AI mund të na ndihmojë një ditë të kuptojmë gjuhën e balenave, delfinëve dhe kafshëve të tjera - Business Magazine Albania

AI mund të na ndihmojë një ditë të kuptojmë gjuhën e balenave, delfinëve dhe kafshëve të tjera

AI mund të na ndihmojë një ditë të kuptojmë gjuhën e balenave, delfinëve dhe kafshëve të tjera

Kënga e balenave është qetësuese, eterike dhe shumë më komplekse sesa mendohej dikur. Vetëm këtë vit, një ekip ndërkombëtar studiuesish zbuloi se thirrjet e balenave gunga përmbajnë struktura të ngjashme me gjuhën njerëzore.

Duket se, ashtu si gjuha jonë, edhe kënga e balenave ka segmente që përsëriten, të cilat shfaqen në modele që mund t’i bëjnë më të lehta për t’u mësuar. Për shembull, pjesët që përsëriteshin më shpesh rezultuan të ishin më të shkurtra.

Sigurisht, këto këngë nuk janë gjuhë në kuptimin që ne i japim komunikimit njerëzor. Nuk është ende e qartë nëse këto vokalizime mbartin domethënie specifike, apo nëse duhen krahasuar më tepër me muzikën, e cila po ashtu përmban segmente ritmike e të përsëritura. Megjithatë, këto rezultate sugjerojnë se ne ndajmë disa tipare kyçe të komunikimit me kafshë që mësojnë përmes transmetimit kulturor, pra duke kaluar informacion nga një individ te tjetri. Po ashtu, ato zbulojnë modele të komunikimit të kafshëve që një ditë mund të interpretohen e të na ndihmojnë të kuptojmë më mirë botën e tyre të brendshme.

Çfarë është gjuha?

Gjuha nuk është thjesht një fjalë apo tingull që lidhet me një domethënie të caktuar. Ajo është një sistem shumë kompleks që na lejon të shndërrojmë një numër të kufizuar tingujsh (fonemash) në fjalë, fraza dhe fjali, përmes të cilave mund të shprehim një gamë pothuajse të pafund idesh dhe kuptimesh. Kjo është arsyeja pse qeni juaj Labrador mund të kuptojë fjalën “walkies”, por nuk mund të përfshihet në një debat të zjarrtë rreth pushimeve. Dikur mendohej se gjuha ishte një aftësi unike njerëzore, por studimi mbi balenat gunga është vetëm një shembull nga një sërë kërkimesh që tregojnë kompleksitetin e komunikimit të kafshëve. Dy studime të publikuara këtë vit treguan se si bonobot dhe shimpanzetë shfaqin aftësi për kompozicionalitet — domethënë, mund të kombinojnë thirrje të ndryshme për të shprehur kuptime të reja, njësoj siç ne kombinojmë fjalët për të formuar fjali. Aftësi të ngjashme janë identifikuar edhe te zogjtë, si p.sh. zogu japonez great tit. Ndër studime të tjera: surikatët shkëmbejnë thirrje të vazhdueshme me njëri-tjetrin, delfinët dhe elefantët kanë “emra” individualë, ndërsa balenat kashalot posedojnë një sistem vokal që ngjason me një alfabet fonetik.

Lexo edhe: Pasuria, pushteti dhe ndotja, fotografia reale e pabarazisë botërore në 2025-ën

Drejt zbulimit të kodit

Kjo na çon te pyetja: nëse vokalizimet e kafshëve shfaqin modele të ngjashme me gjuhën tonë, a është e mundur të zbulojmë se çfarë “thonë” ato? Interesi është i madh, Coller Dolittle Challenge ofron deri në $10 milionë investim ose $100,000 në para për kushdo që sjell përparime të rëndësishme në këtë fushë. Ndërkohë, avancimi i modeleve të inteligjencës artificiale po e bën të mundur analizimin e dataset-eve gjigante audio e vizuale për të zbuluar modele që mund të lidhen me kuptime specifike.

Një shembull është DolphinGemma i Google, i zhvilluar së bashku me Wild Dolphin Project dhe Georgia Tech, që synon të interpretojë klikimet dhe fishkëllimat e delfinëve deri në atë pikë sa të mund të prodhojë përgjigje realiste.

Projekti tjetër ambicioz është Earth Species Project, që ka krijuar modelin e parë të gjuhës për bioakustikën, me synimin për të deshifruar komunikimin në gjithë mbretërinë shtazore.

Përdorime të tjera të AI po e ndihmojnë kërkimin. Laela Sayigh, nga Woods Hole Oceanographic Institution, përdori AI për të analizuar dekada të tëra të të dhënave mbi thirrjet e delfinëve dhe zbuloi se 50% e fishkëllimave nuk i referoheshin një individi të caktuar (studimi aktualisht në fazë paraprake). Ndërkohë, identifikimi i “alfabetit fonetik” të balenave kashalot u mbështet te algoritme shumë komplekse të njohjes së modeleve.

Inteligjenca artificiale është ende në fazat e saj të hershme. Por ajo po hap një dritare të re të jashtëzakonshme drejt kuptimit të botës së kafshëve dhe komunikimit të tyre. Kështu që mbani veshët hapur, në kuptimin e vërtetë të fjalës. E ardhmja mund të na sjellë një ditë kuptimin e vërtetë të këngës së balenave, thirrjeve të delfinëve dhe shumë specieve të tjera që kanë ende sekrete për të zbuluar.

discover

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0