AI e Google trondit botën e sigurisë kibernetike, zbulon 20 dobësi të rrezikshme - Business Magazine Albania

AI e Google trondit botën e sigurisë kibernetike, zbulon 20 dobësi të rrezikshme

Google ka zbuluar zyrtarisht grupin e parë të cenueshmërive të sigurisë të identifikuara nga një prej agjentëve të saj më të avancuar me inteligjencë artificiale.

Të hënën, Heather Adkins, nënkryetare e sigurisë në Google, njoftoi se kërkuesi i dobësive Big Sleep, një agjent me bazë në modele të mëdha gjuhësore (LLM), i zhvilluar nga DeepMind në bashkëpunim me ekipin elitar të hacker-ëve të Google, Project Zero kishte zbuluar dhe raportuar 20 probleme sigurie në programe të ndryshme open-source.

Big Sleep ka identifikuar cenueshmëri kryesisht në software të hapur dhe shumë të përdorur, si biblioteka e zërit dhe videos FFmpeg dhe paketa për redaktimin e imazheve ImageMagick.

Megjithatë, duke qenë se këto cenueshmëri ende nuk janë rregulluar, detaje mbi ndikimin dhe ashpërsinë e tyre nuk janë bërë publike. Google nuk ka dhënë ende specifikime të mëtejshme, në përputhje me politikën standarde të ruajtjes së konfidencialitetit derisa defektet të riparohen. Vetë fakti që Big Sleep i identifikoi këto probleme është domethënës, ai tregon se këto mjete të bazuara në inteligjencë artificiale po japin rezultate konkrete, edhe pse në këtë rast përfshihet edhe ndërhyrja njerëzore.“Për të siguruar raporte cilësore dhe të zbatueshme, përpara se të raportohen ne përfshijmë një ekspert njerëzor në proces. Por çdo cenueshmëri është zbuluar dhe riprodhuar në mënyrë të pavarur nga agjenti AI,” tha për TechCrunch zëdhënësja e Google, Kimberly Samra.

Në një postim në rrjetin X, Royal Hansen, nënkryetar i inxhinierisë në Google, shkroi se zbulimet e Big Sleep “shënojnë një kufi të ri në zbulimin e automatizuar të cenueshmërive”.

Lexo edhe: Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale

Mjetet e bazuara në LLM që kërkojnë dhe gjejnë cenueshmëri tashmë janë realitet. Përveç Big Sleep, në këtë fushë dallohen edhe RunSybil dhe XBOW.

Në fakt, XBOW ka marrë vëmendje të madhe kohët e fundit pasi u rendit në krye të një prej tabelave të rezultateve në platformën e njohur të shpërblimeve për raportimin e defekteve, HackerOne. Edhe pse raportet e tilla mbështeten në AI, është bërë praktikë që çdo raport të verifikohet nga një njeri përpara se të konsiderohet i vlefshëm, ashtu siç ndodhi edhe me Big Sleep.

Vlad Ionescu, bashkëthemelues dhe drejtor i teknologjisë në startup-in RunSybil, i cili zhvillon mjetet AI për gjetjen e cenueshmërive, tha për TechCrunch se Big Sleep është “një projekt legjitim”, duke shtuar: “Ka një arkitekturë të mirë, njerëz kompetentë pas tij, Project Zero ka përvojë të thellë në gjetjen e cenueshmërive, dhe DeepMind ka fuqinë dhe burimet e nevojshme për ta realizuar.”

Por ndërkohë që këto mjete premtojnë shumë, ato kanë edhe kufizime të rëndësishme. Shumë zhvillues të softuerëve open-source janë ankuar se raportet e krijuara nga AI janë shpesh “halucinacione”, pra të pavërteta.

“Ky është problemi me të cilin po përballen njerëzit,” tha më herët Ionescu për TechCrunch. “Po marrim shumë gjëra që duken si ar, por në të vërtetë janë thjesht mbeturina.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0