AHMETAJ: NË JANAR EDHE DEKLARATA DOGANORE E AKCIZA ONLINE

Ahmetaj: “Në janar edhe deklarata doganore e akciza online.”


Listës së vërtetimeve online pritet t’i shtohen edhe disa vërtetime të tjera. Flitet për disa autorizime nga doganat dhe dokumenta për pullat fiskale. Duke renditur dokumentat pjesë e deregullimit, ministri i Financave ka ftuar përfaqësitë e biznesit përmes një letre, të japin propozimet e tyre për thjeshtimin e procedurave.

Më poshtë BusinessMag ju sjell letrën e Arben Ahmetajt dërguar shoqatave të biznesit

Të nderuar sipërmarrës,

Qeveria shqiptare ka prezantuar prej muajsh një nga reformat kryesore të mandatit të dytë, me në fokus përmirësimin e shërbimeve publike për biznesin dhe qytetarin, uljen e peshës së burokracisë, thjeshtimin e procedurave, reduktimin e kohës dhe kostove si dhe ofrimin e shërbimeve të reja online.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si një nga institucionet me peshën dhe rolin kryesor në këtë reformë, ndërmori një proces të detajuar të identifikimit të shërbimeve publike që ofrohen në sportelet e institucioneve të saj të varësisë, dokumenteve që kërkohën për përfitimin e shërbimeve dhe atyre që mund të eleminohen apo ofrohen online.

Nga 1 tetori, në bazë të Urdhrit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë nr. 101/1 “Për ofrimin e dokumenteve online”, 13 dokumente nuk kërkohen më nga qytetarët apo sipërmarrja, për asnjë shërbim të ofruar nga MFE dhe institucionet e saj të varësisë. Këto dokumente gjenerohen nga zyrat përkatëse të ofrimit të shërbimeve përmes platformës elektronike e-Albania ose nëpërmjet ndërveprimit dhe komunikimit mes institucioneve.

  1. Certifikata e regjistrimit në QKB, përfshirë NIPT/NUIS
  2. Ekstrakt historik i kompanisë
  3. Vërtetim për posedim mjetesh
  4. Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për tatimpaguesit E-SIG 02a
  5. Vërtetim për të ardhurat e realizuara në tre vitet e fundi për tender
  6. Vërtetim për individ të paregjistruar
  7. Formulari E-SIG03a – Vërtetim për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për individët
  8. Vërtetim për përgjegjësinë tatimore
  9. Vërtetim për pagimin e detyrimeve
  10. Vërtetim për statusin e tatimpaguesit
  11. Vërtetim për regjistrimin e investitorit tek Drejtoria Rajonale
  12. Dëshmi penaliteti dhe vërtetim i gjendjes gjyqësore
  13. Të gjitha llojet e certifikatave që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile

Me një llogaritje të thjeshtë, vetëm përmes heqjes së detyrimit për dorëzimin e këtyre dokumenteve nga qytetarët dhe sipërmarrja, u kemi kursyer atyre rreth 598 mijë dokumente dhe 56 vite kohë pritje në rradhë e sportele, në vetëm një vit.

Në fazën e dytë të reformës, ne po avancojmë në dy korsi paralele, së pari reduktimi i numrit të lejeve, licensave dhe autorizimeve, të cilat përbëjnë mbirregullim të tregut, për të cilat është përgatitur tashmë paketa e plotë e ndryshimeve ligjore dhe së dyti, në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), po punojmë për ofrimin e shërbimeve të reja online, që përfshijnë pagesat elektronike në tatime, autorizime të lëshuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, leje të punës dhe vërtetime të zyrave të punës etj.

Brenda muajit janar, do të ofrohen të tjera lehtësi në favor të sipërmarrjes:

  1. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave:

Katër autorizime të rëndësishme të regjimeve doganore do të ofrohen online:

  • Autorizim për Regjim të Lejimit të Përkohshëm me Përjashtim të Pjesshëm
  • Autorizim për Regjim të Përpunimit Pasiv (RPP)
  • Autorizim për Regjim të Magazinimit Doganor
  • Autorizim për Regjim të Përpunimit Aktiv (RPA)

Gjithashtu, tre procese të rëndësishme në kërkësat e subjekteve pranë DPD-së lidhur me produktet e akcizës, duke synuar standardizimin dhe lehtësimin e procesit, do të ofrohen online:

  • Porosi pulla fiskale për produktet e akcizës
  • Modifikim profili në sistemin Sicpatrace, shtesë furnitori
  • Modifikim profili në sistemin Sicpatrace, shtesë kategorie produkti të akcizës

Certifikimi elektronik i dokumentacionit nga ana e Agjensive Doganore për llogari të operatorëve ekonomikë, duke shmangur dorëzimin e tyre pranë Degëve Doganore, pra duke kaluar në një sistem doganor “paperless”.

Lehtësim i procedurave doganore nga ana e operatorëve ekonomikë duke shtuar kategorinë e përfituesve në kanalin ”jeshil”.

Lehtësim i qarkullimit të mallrave nëpër pikat doganore për operatorët ekonomikë – duke prezantuar për herë të parë kategorizimin e kanalit “blu”- ushtrim i kontrollit dokumentar duke liruar në mënyrë automatike (brenda 20 minutave) mallrat në qarkullim të lirë.

Ngritja e një sistemi të vlerësimit qendror pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave­për vlerësimin e deklaratave doganore elektronike në sistem për të gjithë ato raste që janë kategorizuar në kanalin e” kuq” dhe kanalin e “verdhë”.

2. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve

13 shërbime pagesash do të ofrohen online:

  • Pagesa online e taksës së TVSH të biznesit
  • Pagesa online e tatim fitimit të biznesit
  • Pagesa online e tatimit të lojrave të fatit të biznesit
  • Pagesa online e tatimit mbi të ardhurat personale
  • Pagesa online e rentës minerare të subjektit
  • Pagesa online e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit
  • Pagesa online e taksave kombëtare
  • Pagesa online e tarifave kombëtare
  • Pagesa online e tatimit të mbajtur në burim
  • Pagesa online e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga biznesi
  • Detyrimet globale
  • Pagesa online e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi nga biznesi
  • Pagesa online e tatimit mbi të ardhurat personale të biznesit të vogël

Në vazhdën e bashkëpunimit tejet të mirë dhe komunikimit të hapur mes Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, si dhe në përmbushje të një prej angazhimeve të marra së bashku në Këshillin e Investimeve, ju ftoj të ndani me ne sugjerimet dhe komentet tuaja në funksion të avancimit të kësaj reforme të rëndësishme për ekonominë shqiptare, në adresën e dedikuar [email protected] brenda datës 15 shkurt 2018.

Propozimet tuaja për procedurat që mund të preken në funksion të thjeshtimit, eleminimit apo ofrimit online, si dhe për lejet, licencat dhe autorizimet që konsideroni se përbëjnë mbirregullim të tregut, janë mëse të mirëpritura për t’u kthyer në një platformë të re dialogu dhe konsultimi mes nesh shumë shpejt në një tryezë të përbashkët.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0