Kupa e Botës e FIFA World Cup që do të zhvillohet këtë vit në Amerikën e Veriut, me format të zgjeruar, mund të rezultojë një sukses i madh sportiv. Megjithatë, për sponsorët globalë ekziston edhe një rrezik real: mundësia që markat të lidhen me një event problematik, për shkak të veprimeve politike të Donald Trump dhe vendimmarrjeve të vetë FIFA.
Të sponsorizosh apo jo?
Adidas është sponsor i nivelit më të lartë, një “partner” zyrtar i turneut, ndërsa rivali i saj Nike ka zgjedhur një strategji tjetër: të fokusohet tek skuadrat dhe atletët individualë, pa u lidhur drejtpërdrejt me organizatorin e eventit. Këto dy qasje marketingu mund të kenë ndikim vendimtar, veçanërisht këtë vit. Në skenarin më negativ, markat që kanë investuar miliona euro për sponsorizime zyrtare mund të shohin ambiciet e tyre të minohen nga faktorë që nuk i kontrollojnë dot.
Një klimë politike e tensionuar
Pas ndërhyrjes së fundit ushtarake të SHBA-ve në Venezuelë, presidenti Trump ka sugjeruar se një veprim i ngjashëm mund të ndodhë edhe në Kolumbi, një nga gjashtë vendet e Amerikës së Jugut që tashmë janë kualifikuar për Kupën e Botës. Trump ka kërcënuar publikisht bashkë-organizatoren Meksikë dhe më herët ka hedhur idenë që Kanadaja, bashkë-organizatorja e tretë, të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve. Edhe Groenlanda, territor autonom i Danimarkës që ende mund të kualifikohet përmes “play-off”-it, është përfshirë në retorikën e tij. Vjeshtën e kaluar, Trump deklaroi se do të zhvendoste ndeshjet e Kupës së Botës 2026 nga qytetet që ai i konsideron të pasigurta. Ndërkohë, SHBA-të kanë vendosur kufizime udhëtimi për më shumë se 30 shtete, çka mund të pengojë tifozë nga vende si Haiti, Irani, Bregu i Fildishtë apo Senegali të marrin pjesë në turne. Aktivitetet e ICE (Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave) thuhet se tashmë po dekurajojnë disa tifozë nga udhëtimi.
Gjithashtu, autoritetet amerikane kanë propozuar që hyrja në vend të kushtëzohet me paraqitjen e historikut pesëvjeçar të rrjeteve sociale. Gianni Infantino dhe FIFA janë kritikuar ashpër për politikat e çmimeve. Fillimisht u njoftua se biletat e fazës së grupeve do të ishin trefish më të shtrenjta se ato të Kupës së Botës 2022, ndërsa biletat më të lira për finalen janë deri në shtatë herë më të shtrenjta. Turneu i vitit 2026 do të përfshijë gjithashtu pushime të detyrueshme hidratimi gjatë çdo pjese loje. Zyrtarisht, këto pushime synojnë mbrojtjen e shëndetit të lojtarëve, por në praktikë ato krijojnë hapësira të reja për reklama, një përfitim për transmetuesit, por jo domosdoshmërisht për tifozët.
Lexo edhe: Ky mjet i ri tregon sa CO₂ prodhon stili yt i jetesës
Pse ka rëndësi: rreziku përballë përfitimit
Tifozët mund të kenë mendime të ndryshme për faktin që presidenti i FIFA-s i ka dhënë një çmim paqeje një lideri që, pak javë më vonë, urdhëroi një ndërhyrje ushtarake për të rrëzuar qeverinë e një vendi tjetër. Por veprimet e të dyve – përplasjet me bashkë-organizatorët dhe vendet pjesëmarrëse, vështirësimi i udhëtimeve, rritja e çmimeve dhe ndërprerja e ritmit të lojës, nuk krijojnë besim për një turne të qetë dhe të suksesshëm. Skenarët pesimistë përfshijnë edhe paralajmërime për sulme kibernetike ndaj organizatorëve, sponsorëve dhe infrastrukturës, përfshirë rreziqe që mund të vijnë nga Rusia, e cila është përjashtuar nga kompeticionet pas pushtimit të Ukrainës.
Nëse diçka shkon keq, Infantino dhe Trump mund të përpiqen të rishkruajnë historinë. Për sponsorët, kjo do të jetë shumë më e vështirë, pasi reagimi i tifozëve në rrjetet sociale është i menjëhershëm dhe i pamëshirshëm. Për këtë arsye, planifikimi i skenarëve alternativë dhe menaxhimi i krizës bëhen thelbësore.
Markat që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me FIFA-n kanë më shumë hapësirë për t’u distancuar nga problemet organizative dhe për t’u fokusuar te ajo që ka vërtet rëndësi: loja në fushë. Në shumë raste, kjo strategji rezulton edhe më efektive.
Shembulli i Lojërave Olimpike 2024 e dëshmon këtë. Edhe pse Nike nuk ishte partner zyrtar, falë lidhjeve me shumë ekipe dhe atletë, si dhe investimeve gjatë eventit, marka arriti nivele të ndërgjegjësimit spontan dhe të asistuar më të larta se shumë sponsorë zyrtarë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.