Një studim i publikuar së fundmi sugjeron se përdorimi rutinë i antibiotikëve tek fëmijët e kequshqyer mund të mos jetë i domosdoshëm, duke hapur debat të ri mbi mënyrën si trajtohen këto raste.
Hulumtimi është realizuar nga mjekë në Kolegjin Mjekësor GSVM në Kanpur, të cilët testuan efektivitetin e antibiotikëve tek 100 fëmijë të moshës 6 deri në 59 muaj. Fëmijët u ndanë në dy grupe me nga 50 pjesëmarrës.
Grupi i parë mori antibiotikë së bashku me dietë të përshtatshme ushqimore dhe terapi intravenoze (IV) në rastet e nevojshme. Ndërsa grupi i dytë u trajtua me të njëjtën dietë dhe mbështetje mjekësore, por pa antibiotikë.
Rezultatet treguan se të dy grupet u shëruan në mënyrë të ngjashme. Fëmijët shtuan në peshë dhe u rritën në gjatësi proporcionalisht, pa u vërejtur përfitime shtesë nga përdorimi i antibiotikëve.
Studimi është udhëhequr nga shefi i Departamentit të Pediatrisë, Dr. Yashwant Rao, dhe është publikuar në Gazetën Indiane të Pediatrisë. Ai është financuar nga Këshilli Indian për Kërkime Mjekësore.
“Rezultatet kanë qenë shumë inkurajuese për të gjithë ne. Mund të reduktojmë përdorimin e antibiotikëve tek fëmijët,” është shprehur Dr. Rao.
Në fazën e ardhshme, studiuesit planifikojnë të përfshijnë 400 fëmijë të tjerë për të konfirmuar më tej gjetjet. Një qendër kërkimore për këtë qëllim është ngritur në Kalyanpur.
Ekspertët theksojnë se ky studim mund të kontribuojë në reduktimin e përdorimit të panevojshëm të antibiotikëve, një çështje e rëndësishme globale për shkak të rritjes së rezistencës bakteriale. Po ashtu, një udhëzues i fundit i publikuar nga qendra kërkimore rekomandon që antibiotikët të mos përdoren në rastet e Covid-19, përveç kur ekziston dyshimi klinik për infeksion bakterial.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto