Nëse jeni një nga ata përdorues që konsumojnë rregullisht përmbajtje në platforma si TikTok, YouTube apo Masterclass, është shumë e mundur që tashmë jeni mësuar të dëgjoni njerëz që flasin me një ritëm të përshpejtuar, pothuajse si në një episod të Looney Tunes.
Shikimi i videove me shpejtësi të rritur është kthyer në një mënyrë gjithnjë e më të zakonshme për të përthithur informacionin, duke e ndarë kohën e konsumimit në gjysmë ose më pak. Por a keni menduar ndonjëherë se çfarë ndikimi ka kjo praktikë në trurin tuaj?
Një grup ndërkombëtar studiuesish ka analizuar këtë fenomen, duke shqyrtuar 24 studime që ndanin pjesëmarrësit në dy grupe: njëri që shikonte video me shpejtësi normale dhe tjetri që i shikonte me shpejtësi të rritur, 1.25x, 1.5x, 2x dhe 2.5x. Më pas, të dyja grupet plotësonin teste për të vlerësuar sa mirë e kishin mbajtur mend përmbajtjen e videove. Ndërsa ndryshimet në kujtesë ishin minimale në shpejtësinë 1.5x, rënia e mbajtjes së informacionit u bë e dukshme në 2x e lart. “Informacioni që vjen ruhet përkohësisht në sistemin e kujtesës së përpunimit të menjëhershëm, të quajtur ‘working memory’,” shkruan Marcus Pearce, studiues i shkencave konjitive në Queen Mary University of London, në një artikull për The Conversation. Ky sistem ndihmon në përpunimin dhe transformimin e informacionit në mënyrë që të transferohet në kujtesën afatgjatë. Por kapaciteti i tij është i kufizuar dhe kur mbingarkohet, çon në humbje informacioni. Përfundimi shkencor është i qartë: për përmbajtje të panjohura ose komplekse, është më mirë të qëndroni në shpejtësi 1.25x ose 1.5x. Gjetjet janë publikuar së fundmi në revistën shkencore Educational Psychology Review.
Lexo edhe:Ky mjet i ri zbulon sa shpejt po plakeni!
Shpesh mendohet se mënyra se si konsumojmë përmbajtjen ndikon kryesisht tek të rinjtë, por ky kërkim tregon se edhe të rriturit preken dukshëm. Një studim i vitit 2023 ka zbuluar se të rriturit e moshës 61 deri në 94 vjeç shfaqin një rënie prej 31% në kuptim vetëm në shpejtësinë 1.5x, ndërsa të rinjtë (18-36 vjeç) ruajnë mbi 90% të kuptimit edhe në 2x. Ende mbetet e paqartë nëse diferenca ka të bëjë me moshën apo me praktikën, pra, a janë të rinjtë më të mirë në përthithjen e përmbajtjes me ritëm të shpejtë sepse kanë trurin më të adaptueshëm, apo sepse janë mësuar me këtë mënyrë konsumimi? Nëse është kjo e fundit, a mund të përmirësohen edhe të rriturit në këtë drejtim?
Kërkimet e kufizuara tregojnë se, fatkeqësisht, përgjigjja është “jo shumë”. Truri i të rinjve është më i aftë për t’u përshtatur, megjithatë disa studime sugjerojnë se edhe të moshuarit mund të trajnohen për të përmirësuar këtë aftësi, edhe pse u duhet më shumë kohë dhe kanë më shumë gjasa të arrijnë një tavan përparimi. Për të moshuarit që duan të mësojnë të ndjekin video me shpejtësi më të madhe, rekomandohet një program i kujdesshëm trajnimi, me rritje graduale të shpejtësisë, ushtrime për të testuar përthithjen e informacionit dhe aktivitete për përmirësimin e aftësive konjitive. Lajmi i mirë është se shikimi i videove në shpejtësinë normale e bën përvojën më të këndshme për të gjithë.
Por kjo, me sa duket, nuk i ka bindur drejtuesit e platformave si Netflix, të cilët pesë vite më parë u përballën me kritika të ashpra pasi ofruan opsionin për të parë përmbajtjen deri në 1.5x shpejtësi. Me sa duket, “Netflix and chill” nuk është më aq relaksuese sa dikur.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.