A po dobësohet NATO? Sinjalet që dolën nga Konferenca e Mynihut - Business Magazine Albania

A po dobësohet NATO? Sinjalet që dolën nga Konferenca e Mynihut

Takimi vjetor në Konferencën e Sigurisë në Mynih nxori në pah vizione konkurruese për Perëndimin. Ndërsa Rubio i bëri thirrje Europës të ndihmojë në shpëtimin e një qytetërimi të përbashkët, kryediplomatja europiane Kaja Kallas sugjeroi se Europa nuk ka nevojë për shpëtim.

Tubimi vjetor mblodhi delegacione të larta diplomatike amerikane, ukrainase dhe europiane, me marrëdhëniet transatlantike në qendër të vëmendjes. Tre ditët e diskutimeve theksuan dy vizione konkurruese për Perëndimin, për atë që ai përfaqëson dhe për vlerat e tij.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i kërkoi Europës të ndihmojë në shpëtimin e Perëndimit si një qytetërim i përbashkët, ndërsa Kaja Kallas kundërshtoi duke thënë se BE-ja nuk ka nevojë për shpëtim. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje europianëve të bien dakord për një datë, në mënyrë që Ukraina të jetë “teknikisht gati” për t’u anëtarësuar në bllok në vitin 2027.

Euronews dëgjoi fjalimet e liderëve dhe ministrave botërorë që morën fjalën në skenë për t’ju sjellë gjashtë citatet që duhet të mbani mend nga ky edicion.

SHBA “nuk ka interes të jetë kujdestare e sjellshme dhe e rregullt”u shpreh Rubio

“Ne nuk duam që aleatët të racionalizojnë status quo-në e prishur në vend që të përballen me atë që është e nevojshme për ta rregulluar, sepse ne në Amerikë nuk kemi interes të jemi kujdestarë të sjellshëm dhe të rregullt të rënies së menaxhuar të Perëndimit,” tha Rubio të shtunën.

Konteksti: Liderët europianë prisnin me ankth fjalimin e Rubios, duke shpresuar që të mos përsëritej sulmi i ashpër i vitit të kaluar ndaj kontinentit nga zëvendëspresidenti JD Vance. Tensionet mbeten të larta edhe pas kërcënimeve të fundit të presidentit amerikan për të marrë me forcë kontrollin e Groenlandës.

Edhe pse Rubio përdori një ton më të butë se Vance, mesazhi ishte i ngjashëm: Perëndimi po përballet me një rënie qytetërimi, të zgjedhur vetë, për shkak të politikave të gabuara që burojnë nga një “kult” klimatik dhe migracioni masiv. Dhe ai ka nevojë për shpëtim.

Ndryshimi ishte thirrja e tij që europianët t’i bashkohen SHBA-së, duke e përshkruar Uashingtonin si “fëmijë të Europës” dhe duke theksuar se fati i tij “është  dhe do të jetë gjithmonë  i ndërthurur” me Europën.

Lexo më shumë: Taksat mbi të ardhurat personale në Europë, kush paguan më shumë në 2026-ën?

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se u ndje “më e sigurt” për marrëdhëniet me SHBA-në pas fjalimit të Rubios.

Kallas hodhi poshtë narrativën se Bashkimi Europian ka nevojë për shpëtim.
“Në kundërshtim me atë që disa mund të thonë, një Europë  e dobët dhe dekadente nuk po përballet me zhdukje qytetërimi,” tha ajo, duke iu referuar një dokumenti strategjik amerikan të vitit të kaluar.

Zelenskyy: Mungesa e Europës në bisedimet e paqes është “gabim i madh”

“Europa praktikisht nuk është në tryezë. Sipas mendimit tim, është një gabim i madh. Janë ukrainasit ata që po përpiqen ta sjellin Europën plotësisht në proces, që interesat dhe zëri i saj të merren parasysh. Kjo është shumë e rëndësishme,” tha Zelenskyy.

Konteksti: Europa është lënë jashtë bisedimeve të paqes që nisën vitin e kaluar pasi Trump rifilloi kontaktet me Moskën. Bisedimet dypalëshe Ukrainë–Rusi ndërmjetësohen nga SHBA në vende jashtë Europës.

Kjo ndodh megjithëse vendet europiane janë donatorët më të mëdhenj të ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën dhe pritet të mbajnë peshën kryesore të garancive të sigurisë pas një armëpushimi.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka tentuar të rinovojë kontaktet me Moskën, por me pak rezultate.

Presidenti lituanez Gitanas Nausėda tha se këto përpjekje kanë pak rëndësi, sepse “Putini nuk është i gatshëm të flasë me ne dhe Uashingtoni është i gatshëm ta lejojë këtë”.

Macron deklaroi në Mynih se Europa do të duhet të ridizejnojë plotësisht arkitekturën e saj të sigurisë përballë një Rusie agresive.

Merz: “Rendi botëror siç e njohim nuk ekziston më”

“Kam frikë se duhet ta themi edhe më ashpër: ky rend, sado i papërsosur edhe në kulmin e tij, nuk ekziston më,” tha Friedrich Merz.

Sipas tij, rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore ka përfunduar dhe politika e “fuqive të mëdha” është rikthyer, me rregulla të ashpra dhe shpesh të paparashikueshme. Ai paralajmëroi se liria e Europës “nuk është më e garantuar”.

Macron: Franca në dialog me Gjermaninë për ombrellën bërthamore

“Ne kemi nisur një dialog strategjik me kancelarin Merz dhe liderë të tjerë europianë për të parë se si mund ta artikulojmë doktrinën tonë kombëtare” për frenimin bërthamor, tha Macron.

Debati mbi frenimin bërthamor, që tradicionalisht garantohet nga SHBA për Europën është rikthyer mes dyshimeve për angazhimin amerikan. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi kundër riarmatimit bërthamor, duke e quajtur atë një “bast” të rrezikshëm.

Frederiksen: “Dëshira” e Trump për Groenlandën është “e njëjta”

“Jo, për fat të keq jo. Mendoj se dëshira e presidentit amerikan është saktësisht e njëjta,” tha kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kur u pyet nëse tensionet rreth Groenlandës ishin zbutur.

Trump kishte kërcënuar me marrjen me forcë të ishullit arktik, duke nxitur tensione brenda NATO-s. Megjithatë, një marrëveshje kuadër e ndërmjetësuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, çoi në ulje tensionesh dhe në nisjen e një aktiviteti të ri vigjilence në Veri, të quajtur “Arctic Sentry”.

Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e quajti presionin “të papranueshëm”, por procesin trilateral “hapin e parë të duhur”.

Von der Leyen: Klauzola e mbrojtjes së ndërsjellë të BE-së duhet të marrë jetë

“Ka ardhur koha ta bëjmë funksionale klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë të Europës. Mbrojtja e ndërsjellë nuk është opsionale për BE-në. Është detyrim në Traktatin tonë,  Neni 42(7),” tha Ursula von der Leyen.

BE ka nisur një program prej 800 miliardë eurosh për të forcuar gatishmërinë mbrojtëse deri në vitin 2030, mes frikës nga Rusia dhe dyshimeve mbi përkushtimin amerikan ndaj Nenit 5 të NATO-s.

Von der Leyen theksoi se Neni 42(7) do të ketë peshë vetëm nëse ndërtohet mbi besim dhe kapacitete reale, duke bërë thirrje për vendimmarrje më të shpejtë dhe partneritete më të forta, veçanërisht me Mbretërinë e Bashkuar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Sa shumë shqetësime largon kur vendos të jesh dikush dhe jo diçka.”
— Coco Channel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0