A ia vlen të qëndrosh apo të ndërrosh punë në Shqipëri? - Business Magazine Albania

A ia vlen të qëndrosh apo të ndërrosh punë në Shqipëri?


Shkruar nga Erald Pashaj, EPPC Albania & Kosovo ltd.

Pyetja që më bëjnë shumë shpesh është: – Sa duhet të qëndroj në një punë? Mos ka ardhur koha të shoh për diҫka tjetër?

Në shumicën e rasteve iu përgjigjem varet, sepse vërtetë varet nga shumë faktorë, të cilët ndryshojnë nga lloji i punës dhe individualiteti i ҫdo personi. Sa herë më bëhet kjo pyetje, e filloj bisedën duke iu bërë vetëm një pyejte: – Sa i/e kënaqur je në punën që bën tani? Këtu qëndron zanafilla.

Lexoni: Të gjithë kritikojnë të gjithë. Po unë si jam?

Qëndrimi në një punë të caktuar lidhet drejtëpërdrejtë me 3 faktorë kryesorë:

  1. Sa i kënaqur je në punën aktuale? Kjo pyetje mund të marrë shumë përgjigje, por unë po i grupoj në 5 variante kryesore; 1. shumë i pakënaqur, 2. i pakënaqur, 3. neutral, 4. i kënaqur dhe 5. shumë i kënaqur. Nëse jeni shumë të pakënaqur dhe të pakënaqur, atëherë ҫfarë prisni? A ka më keq se të jesh keq? Bëni ҫdo gjë që të gjeni një punë tjetër. Nëse jeni neutral dhe në pritje që dikush t’ju propozojë diҫka, të cilën ju ta mendoni e më pas të merrni vendimin për një punë tjetër, atëherë mendoj se pritja juaj është e kotë. Një gjë e tillë mund të ndodhë shumë, shumë rrallë, ndërkohë që ju jetoni në një trishtim të vazhdueshëm. Mendoj që është koha të merrni një vendim, ose të qëndroni dhe të kënaqeni me atë që keni, ose të lëvizni, të rrezikoni dhe të përpiqeni të arrini atë që doni.
  2. Ҫfarë natyre je? Natyrisht që natyra juaj ndikon plotësisht në vendimet që do të merrni. Në vlerësimet Extended DISC ne në EPPC i ndihmojmë kompanitë dhe punonjësit; Kompanitë arrijnë të rekrutojnë dhe zhvillojnë punonjësit e duhur, ndërsa punonjësit që të njohin më mirë veten dhe të identifikojnë aspektet që duhet të përmirësojnë. Vlerësimi përcakton saktë tipologjinë e individit, nëse ai/ajo është i orientuar nga njerëzit apo nga detyra. Analiza e profilit personal të individit lidhet drejtëpërdrejtë me vendimet që ai/ajo merr për të ndryshuar apo jo punë. Sa më të hedhur, të paduruar, shprehës, etj., të jemi aq më shpesh ndërrojmë punë dhe sa më qetë, të duruar dhe analitik të jemi, aq më pak mendojmë për të ndërruar punë.
  3. Mundësitë që ofron tregu. Tregu i punës është plotësisht i lidhur me ecurinë e ekonomisë së vendit. Nuk mund të ketë shpërthim të tregut të punës, nëse ekonomia nuk lulëzon ose rritet ndjeshëm. Të kërkojmë punën e ëndrrave në një ekonomi të dobët, me prodhim të brendshëm bruto ndër të fundit në Europë, është thuajse e pamundur. Prandaj në Shqipëri, ata që kanë punë të mira nuk lëvizin për shumë e shumë vite, sepse pavarësisht kënaqësisë së tyre në punë, apo natyrës së tyre, tregu nuk iu ofron më mirë.

A janë vetëm 3 faktorët më lartë që përcaktojnë qëndrimin ose jo në një punë? Jo! Ata janë faktorë kryesorë, por ka edhe të tjerë, si:

  1. Mosha;
  2. Mjedisi i punës;
  3. Lloji i punës që bën;
  4. Ambicja;
  5. Gjendja familjare;
  6. Gjinia;
  7. Vendbanimi;
  8. Profesioni specifik;
  9. Etj.

Pra qëndrimi ynë në një punë varet nga shumë faktorë që kur ndërthuren me njëri-tjetrin, e bëjnë edhe më të ndërlikuar vendimin për ndryshim. Gjithsesi, bazuar në “Sondazhin e kënaqësisë në punë” që ne realizuam në fund të vitit 2017, rezultoi se qarkullimi më i madh është te:

  1. Të rinjtë deri në moshën 29 vjeç;
  2. Personat me paga të ulëta;
  3. Meshkujt në krahasim me femrat;
  4. Personat me punë të pakualifikuara;
  5. Profesonistët e mesëm që nuk paguhen shumë dhe mund të gjejnë më mirë (psh: infermierë, elektriçistë, teknik ndërtimi, montues pllakash apo guri, etj)

Lexoni: Sa të kënaqur janë të punësuarit shqiptarë?

A është i mirë ndryshimi i punës apo jo? – Përsëri varet. Shpesh herë është i mirë ose shumë i mirë dhe shpesh herë nuk është i mirë. Duket si një përgjigje diplomatike, por kjo është e vërteta. Në EPPC i këshillojmë kandidatët që nëse lëvizin, atëherë duhet që lëvizja të jetë progresive, pra në rritje në pozicion ose në një kompani më të madhe e me reputacion më të mirë se ajo ekzistuese. Lëvizja progresive është thelbësore për një karrierë të shëndetshme. Një pikë tjetër shumë e rëndësishme është dhe paga. Ne rekomandojmë që lëvizja nga një punë në një tjetër duhet të vijë me rritje page prej të paktën +30% (duke hamendësuar se kushtet e tjera janë të njëjta).

Kohëzgjatja e qëndrimit në një punë të caktuar lidhet edhe me llojin e punës që bëjmë. Sa më i ulët kualifikimi që kërkon puna, pra kur flitet për një punë që mund të bëhet nga kushdo, me pak ditë trajnim, aq më i shkurtër është qëndrimi në një punë të tillë dhe e anansjellta. Punët e pakualifikuara kanë një qëndrim mesatar 1-2 vite, punët mesatarisht të kualifikuara kanë një qëndrim nga 2-6 vjet dhe punët e kualifikuara kanë qëndrime të gjata 6-15 vjet, por edhe më shumë. Natyrisht që sa më lart lidhen drejtëpërdrejtë me shpjegimet e sipërpërmendura.

Së fundi, këshilla ime do të ishte që secili të marrë atë vendim që i hap më shumë dyer nesër dhe të mos tërhiqet nga faktorë të izoluar siç mund të jetë edhe paga më e lartë, por që lidhet me një vend pune që nuk të krijon asnjë mundësi më shumë në të ardhmen.

E rëndësishme është që të jeni të qartë për mundësitë që ekzistojnë dhe për atë që kërkoni, sepse kush kërkon gjen, edhe në Shqipëri!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0