Stresi është pjesë e pashmangshme e jetës sonë të përditshme, por jo çdo stres është domosdoshmërisht i keq. Sipas ekspertëve, ekzistojnë forma të ndryshme stresi që ndikojnë ndryshe në trupin dhe mendjen tonë, dhe një prej tyre mund të jetë madje i dobishëm për shëndetin.
Daniel Kirsch, president i Institutit Amerikan të Stresit, shpjegon se stresi nuk duhet parë vetëm si diçka negative. Ai e quan “erzën e jetës”, duke theksuar se në doza të caktuara, stresi është thelbësor për funksionimin normal të organizmit.
Ekspertët dallojnë tre lloje kryesore stresi. I pari është eustresi, forma pozitive e stresit që shoqërohet me emocion, motivim dhe pritshmëri pozitive, si për shembull para një dasme apo një gare sportive. Ky lloj stresi ndihmon në përqendrim, rrit performancën dhe përforcon rezistencën psikologjike.
Në anën tjetër qëndron distresi, forma e dëmshme e stresit, e cila lidhet me presion të vazhdueshëm, humbje, probleme në punë apo shëndet. Ky stres mund të ndikojë negativisht në sistemin imunitar, kardiovaskular dhe mendor, duke rritur rrezikun për sëmundje afatgjata.
Ndërsa lloji i tretë, neustresi, konsiderohet neutral, as i mirë e as i keq, dhe lidhet me situata që nuk na shkaktojnë reagim emocional të fortë. Megjithatë, kërkimet mbi këtë formë janë ende të kufizuara.
Ekspertët theksojnë se çelësi nuk është eliminimi total i stresit, por menaxhimi i tij. Pushimet e shpeshta nga teknologjia, aktiviteti fizik, frymëmarrja e thellë, meditimi dhe një stil jetese i shëndetshëm janë disa nga mënyrat më efektive për të mbajtur stresin nën kontroll.
Në fund, mesazhi është i qartë, jo çdo stres është armik, por kur bëhet i vazhdueshëm, edhe stresi “i mirë” mund të kthehet në rrezik për shëndetin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto