A është Mira Murati Elon Musk-u i AI-së? 5 fakte që duhet të dini për Thinking Machines Lab - Business Magazine Albania

A është Mira Murati Elon Musk-u i AI-së? 5 fakte që duhet të dini për Thinking Machines Lab

Mira Murati, një nga figurat më të spikatura në inteligjencën artificiale moderne, po krijon valë të reja në industrinë globale të teknologjisë me startup-in e saj më të ri: Thinking Machines Lab. Me një ambicie të çmendur për të mbledhur 2 miliardë dollarë në raundin e parë të investimeve, ky projekt premton të trazojë rrënjësisht lojën e inteligjencës artificiale. Dhe ndërkohë që bota po vëren nga afër çdo lëvizje të Muratit, një surprizë erdhi nga Shqipëria: qeveria shqiptare ka deklaruar një investim prej 10 milionë eurosh në këtë startup si një sinjal besimi në teknologjinë dhe vizionin e saj.

Ky veprim strategjik i vendit tonë vjen si pjesë e përpjekjeve për të rritur profilin ndërkombëtar të Shqipërisë në sektorët e teknologjisë dhe inovacionit. Dhe kur bëhet fjalë për një shqiptare që ka ndërtuar themelet e ChatGPT dhe DALL-E, vendimi merr edhe më shumë kuptim. Megjithatë në një raportim të ditës së sotme Business Insider shkruan Thinking Machines Lab ka vendosur një prag minimal investimi prej 50 milionë dollarësh për çdo investitor të interesuar.

Lexo edhe: Shteti shqiptar investon 10 mln $ për startupin inovativ të Mira Muratit

Nga OpenAI tek kompania e saj: Thinking Machines Lab
Pas më shumë se gjashtë viteve në zemër të OpenAI, ku shërbeu si drejtore teknologjike dhe për një moment si CEO e përkohshme, Murati themeloi Thinking Machines Lab në shkurt 2025. E pajisur me përvojë nga Tesla dhe projekte të mëdha si Autopilot dhe Model S/X, ajo e ka dëshmuar veten si një lider vizionare në teknologji.

Një ambicie miliardëshe – pa produkt e pa të ardhura
Po, lexuat mirë. Startup-i i Muratit synon të mbledhë 2 miliardë dollarë në raundin e parë të investimeve, edhe pse aktualisht nuk ka asnjë produkt të lancuar dhe asnjë të ardhur. Kjo shifër e jashtëzakonshme jo vetëm që e dyfishon synimin fillestar, por synon të eklipsojë edhe raundet e hershme të financimit të gjigandëve të tjerë në këtë fushë. Ky optimizëm masiv reflekton një realitet të ri: besimi i investitorëve në fuqinë e AI-së dhe në lidere si Murati, që janë në gjendje të sjellin transformime përtej imagjinatës.

“Dream Team-i” që do të sfidojë OpenAI-n
Murati nuk është vetëm në këtë rrugëtim.  Deri më tani Thinking Machines Lab ka tërhequr 30 nga mendjet më brilante të industrisë, përfshirë emra të njohur nga OpenAI, Meta dhe Mistral. Disa prej tyre janë Bob McGrew, Alec Radford, John Schulman dhe Barret Zoph; të gjithë emra të lidhur me sukseset më të mëdha të inteligjencës artificiale në dekadën e fundit.

Inteligjencë artificiale më e kuptueshme, e personalizueshme dhe e sigurt
Qëllimi i Thinking Machines Lab është të krijojë sisteme më të thjeshta për t’u kuptuar, më të personalizueshme dhe me kapacitete më të gjera. Në vend që të ndërtojnë një “makinë gjigande” që nuk kontrollohet, ata synojnë të ndërtojnë AI që përputhet me vlerat dhe nevojat njerëzore.

Ky vizion përkon me zhvillimet më të fundit rregullatore në botë, përfshirë Ligjin e Tregjeve Digjitale dhe Aktin e AI-së të BE-së, që kërkojnë më shumë transparencë dhe siguri nga sistemet e AI.

Shqipëria përqafon të ardhmen me një bast të guximshëm
Në këtë kontekst, lajmi se qeveria shqiptare po investon 10 milionë euro në startup-in e Muratit vjen si një mesazh i qartë: Shqipëria nuk dëshiron të qëndrojë më në periferinë e zhvillimeve teknologjike. Investimi konsiderohet si pjesë e një strategjie të re për të fuqizuar lidhjen me diasporën dhe për të krijuar ura midis talenteve shqiptare dhe tregjeve globale.

E ardhmja? Ndoshta po lind OpenAI-ja e re
Thinking Machines Lab është më shumë se një startup. Është një simbol i shkëputjes së elitave të teknologjisë nga gjigandët ekzistues për të ndërtuar platforma të reja, më të hapura dhe më të qëndrueshme. A do të arrijë të sfidojë dominimin e OpenAI? Apo do të krijojë një rrugë të re për AI më të përgjegjshme dhe më humane?

Në një epokë kur fuqia teknologjike përcakton fatin ekonomik dhe politik të kombeve, të gjithë sytë janë nga Thinking Machines Lab!

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0