A është Europa në prag të krizës së punës? Shenjat që nuk duhen injoruar - Business Magazine Albania

A është Europa në prag të krizës së punës? Shenjat që nuk duhen injoruar

Me normat e tarifave dhe ndikimin e tyre në ekonominë europiane që kanë luhatur ndjeshëm muajt e fundit, Euronews Business shqyrton se si kjo mund të ndikojë në punësim në mbarë kontinentin. Shumë vëmendje i është kushtuar mënyrës se si tarifat e importit nga SHBA mund të godasin industritë dhe korporatat e mëdha europiane, teksa marrëdhënia dikur e qëndrueshme tregtare transatlantike përballet me një nga sfidat më të mëdha të epokës moderne.

Megjithatë, një aspekt që është lënë kryesisht në hije, fati i punëtorëve, mund të pësojë po ashtu goditje, teksa lëkundjet në stabilitetin ekonomik të BE-së çojnë në reduktim të vendeve të punës dhe dobësim të sigurisë së punësimit.

Norma e vendeve të lira të punës
Një nga treguesit kryesorë të shëndetit të tregut të punës është norma e hapjes së vendeve të reja, një shenjë se sa të sigurta ndihen bizneset për të zgjeruar stafin.

Kur ka shumë vende të lira, zakonisht nënkupton që kompanitë janë të vetëbesuara dhe të gatshme të punësojnë. Kur ofertat fillojnë të pakësohen, kjo shpesh sinjalizon se po bëhen më të kujdesshme. Nëse vendet e lira rriten ndërkohë që papunësia është e ulët, punëtorët kanë më shumë mundësi zgjedhjeje dhe fuqi negociuese. Por, rënia e tyre është shpesh paralajmërimi i parë për ngadalësimin e tregut të punës.

Punëdhënësit zakonisht ndalin rekrutimet shumë përpara se të nisin shkurtimet, prandaj normat e vendeve të lira janë tregues të hershëm. Të dhënat e Komisionit Europian për tremujorin e parë, publikuar në qershor, tregojnë një rënie të lehtë në normën e vendeve të lira në eurozonë, 2.4% nga 2.5% në fund të vitit 2024. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, rënia është më e theksuar: nga 2.9% në 2.4%.

Rëniet më të mëdha u shënuan në Gjermani, Greqi, Austri dhe Suedi, duke sugjeruar një prirje më të kujdesshme të punëdhënësve për të zgjeruar stafin. Për punëtorët, kjo do të thotë më pak mundësi për të ndërruar punë, fuqi negociuese më të ulët për rritje page dhe pritje më të gjatë për t’u rikthyer në treg pas një pushimi nga puna.

Nëse ky trend vijon, deri në fund të vitit 2025 punëtorët mund të gjenden përballë një pozicioni negociues shumë më të dobët.

Orët e punës dhe orët shtesë
Një tjetër tregues i rëndësishëm është reduktimi i orëve të punës, një hap që zakonisht paraprin shkurtimet ose ngrirjen e punësimeve. Orët shtesë po ashtu bien kur punëdhënësit përballen me rënie kërkese ose mungesë furnizimesh.

Në BE, në vitin 2024, personat 20–64 vjeç punuan mesatarisht 36 orë në javë, duke përfshirë si punën me kohë të plotë ashtu edhe atë me kohë të pjesshme. Greqia kishte javën më të gjatë të punës me 39.8 orë, e ndjekur nga Bullgaria (39), Polonia (38.9) dhe Rumania (38.8). Holanda kishte javën më të shkurtër me 32.1 orë, e ndjekur nga Austria, Gjermania dhe Danimarka (33.9).

Në tremujorin e parë të 2025-s, orët e punës ranë me 0.3% si në eurozonë ashtu edhe në BE krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s, pati një rritje të lehtë prej 0.1% në eurozonë dhe një rënie prej 0.2% në BE.

Më pak orë shpesh nënkupton më pak paga dhe përfitime, veçanërisht për punëtorët me pagesë orare. Kjo prek më shpejt familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilat tashmë përballen me kosto më të larta jetese. Edhe nëse punësimi mbetet i qëndrueshëm, nën-punësimi — kur njerëzit kanë punë por jo orët që dëshirojnë — mund të rritet. Në tremujorin e parë të 2025-s, 10.9% e fuqisë punëtore të zgjeruar të BE-së ishte nën-shfrytëzuar, rreth 23.6 milionë persona.

Të drejtat e punës
Mbrojtjet institucionale të punëtorëve në Europë po dobësohen; një shqetësim serioz përballë goditjeve të mundshme ekonomike nga tarifat. Indeksi i të Drejtave të Punës për 2024 evidenton boshllëqe ligjore në fusha si liria e organizimit sindikal, siguria e punësimit dhe detyrimet familjare.

Megjithëse shumë vende të BE-së kanë rezultate të larta në letër, mungesat ligjore në mbrojtjen nga pushimi i padrejtë apo në trajtimin e barabartë të punëtorëve me kontrata jo-standarde lënë segmente të mëdha të pambrojtura ndaj humbjes së papritur të punës.

Lexo edhe: Arsimi në rrezik, numri i nxënësve bie me 10 % pas pandemisë

Raporti i ITUC për 2025 tregon një përkeqësim të vazhdueshëm: mesatarja e Europës u rrit në 2.78 nga 2.73 në 2024 dhe 2.56 në 2023, rënia më e madhe në një dekadë krahasuar me çdo rajon tjetër. Thuajse tri të katërtat e vendeve europiane kanë shkelur të drejtën e grevës, një e treta ka arrestuar ose ndaluar punëtorë, dhe mbi gjysmën kanë kufizuar qasjen në drejtësi një rritje e ndjeshme nga 32% në 2024.

Çfarë nënkuptojnë këto shenja?
Sinjalet e një tregu pune në ngadalësim, rënia e vendeve të lira, shkurtimi i orëve dhe rritja e nën-punësimit tregojnë se punëtorët mund të kenë gjithnjë e më pak mundësi për të mbrojtur veten pikërisht në momentin kur vendet e punës dhe të ardhurat janë nën presion.

Nëse presioni i tarifave kombinohet me erozionin e të drejtave, kostoja mund të matet jo vetëm në humbje vendesh pune, por edhe në dëmtim afatgjatë të fuqisë negociuese të punëtorëve për vite me radhë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0