A është dixhitalizimi një sukses apo rrënim për industrinë bankare? - Business Magazine Albania

A është dixhitalizimi një sukses apo rrënim për industrinë bankare?


“Kur shkoj në Silicon Valley … të gjithë atje duan të hanë drekën tonë. Çdonjëri prej tyre do përpiqet ta provojë atë!” Këto fjalë me ngjyra shqetësimi, të artikuluara nga z. James Dimon, CEO i JP Morgan Chase, në Ditën e Investuesve Amerikanë rreth dy vjet më parë, përmbledhin më së miri sfidën më të madhe, që e gjithë industria bankare, qoftë ajo tregtare ose e investimeve, po përballet në veprimtarinë e saj të përditshme.

Sfida ka një emër: Revolucioni Dixhital dhe kjo është tejet e ndërlikuar për bankat, në kuptimin që atyre iu duhet të “luftojnë” në dy fronte: dixhitizim dhe dixhitalizim. Nëse fronti i parë është intuitivisht i kuptueshëm dhe i perceptueshëm, e si pasojë është përkthyer në strategji operacionale të mirëpërcaktuara shumë vite më parë që me përhapjen masive të internetit, kjo e dyta është shumë më e vështirë, e shtrirë në kohë dhe me plot rreziqe, madje deri në vënien në pikëpyetje të mbijetesës së biznesit.

FinTech-sat me modelet e tyre novatore të biznesit, si: financimi nëpërmjet publikut pa ndërmjetësim (crowdfunding), P2P, P2B dhe B2B, së bashku me teknologjitë e tyre “shkatërruese” po rrezikojnë seriozisht modelin e biznesit bankar, pavarësisht faktit se kanë qenë pikërisht bankat pionieret e përdorimit të kompjuterëve dhe teknologjisë së informacionit. Ata po e sulmojnë industrinë bankare thuajse në çdo pikë nevralgjike të zinxhirit të saj të vlerës (kohëzgjatjen e huamarrjes, kryerjen e pagesave, kërkesat për kapital, etj.)

Ky sulm është shumë asimetrik, pasi Fintechsat nuk rregullohen ashtu si bankat, por i konkurrojnë ato duke përdorur parime, pajisje dhe mekanizma të ngjashëm, por me qasje krejtësisht të ndryshme. Gjithsesi, rreziku dhe kthimi ecin krah për krah dhe bankat mund të sigurojnë fitime të konsiderueshme, nëse përshtaten shpejt me prirjet e kohës.

Ashtu siç sugjeron dhe McKinsey në një kërkim më të fundit … “(bankat) që mbeten prapa në dixhitalizim mund të përjetojnë rënie të fitimeve neto deri në 35 %, ndërsa fituesit mund të realizojnë një rritje të fitimit rreth 40 %, ose më shumë”. Por që të arrijnë këtë, bankat duhet të familjarizohen me faktin se dixhitalizimi në banka dhe industrinë bankare nuk përbën një zgjedhje, apo një opsion: ai është një vendim ekzistencial, i marrë paradoksalisht jashtë vullnetit të bankave.

Me fjalë të tjera, bankingu dixhital është një sfidë “për jetë a vdekje” për bankat, ndërsa institucionet që do t’i bëjnë rezistencë inovacionit digjital teknikisht i kanë ditët të numëruara, pasi të gjitha grupet e interesit, përfshi këtu investuesit, klientët, tregjet etj., do të “hakmerren” ndaj “konservatorizmit” të tyre.

Përveç kësaj, bankat duhet të pranojnë se po ushtrojnë biznes në epokën e Revolucionit të Katërt Industrial (revolucioni dixhital) dhe kjo do të ndikojë në modelin aktual të biznesit të tyre, ashtu siç kanë ndikuar gjatë gjithë historisë revolucionet, apo risitë e mëparshme, duke përdorur pikërisht të njëjtin mekanizëm dhe parim të shkatërrimit krijues. Edhe pse Shqipëria duket një vend i vogël për një revolucion të tillë, konkurrenca nga sfidantët dhe praktikat e jashtme nuk duhet të neglizhohen, ose anashkalohen nga bankat.

Në këtë kuadër, është jetike që bankat në përgjithësi, si dhe ato shqiptare, të formulojnë një strategji dixhitale fituese, qoftë individualisht ose kolektivisht, në mënyrë që të përballen me sukses me “cunamin” dixhital, që padyshim do të prekë dhe ndikojë çdo aspekt të operacioneve bankare, nga zhvillimi i produkteve, menaxhimi i rrezikut, kërkesat për kapital, e deri te menaxhimi i burimeve njerëzore. Përndryshe, nëse lihet jashtë vëmendjes, apo keqmenaxhohet, revolucioni dixhital do të kthehet në një armë të mundshme të shkatërrimit të bankave!

/Shkruar nga Elvin Meka për Mapo

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0