A është AI tashmë e vetëdijshme? Dhe a jemi ne të përgatitur për këtë realitet? - Business Magazine Albania

A është AI tashmë e vetëdijshme? Dhe a jemi ne të përgatitur për këtë realitet?

A është AI tashmë e vetëdijshme? Dhe a jemi ne të përgatitur për këtë realitet?

Në një laborator kërkimor në Universitetin e Sussex-it, një pajisje e quajtur “Dreamachine” po përpiqet të hedhë dritë mbi një nga misteret më të mëdha të shkencës: vetëdijen njerëzore. Pajisja përdor drita stroboskopike për të stimuluar trurin dhe për të zbuluar se si krijohen përvojat tona të ndërgjegjshme. Përdoruesit e kësaj eksperience raportojnë pamje unike të formave gjeometrike të gjalla dhe ngjyra të ndritshme që duket se burojnë nga mendja e tyre.

Qëllimi i studiuesve është të kuptojnë proceset e brendshme të trurit, me shpresën se kjo do t’i ndihmojë të kuptojnë më mirë edhe sistemet e inteligjencës artificiale. Një pyetje që po shtrohet me intensitet në rritje është nëse makineritë mund të bëhen të vetëdijshme — apo ndoshta tashmë janë.

Nga fantashkenca në realitet

Koncepti i makinerive të vetëdijshme është përpunuar prej dekadash në fantashkencë, që nga “Metropolis” deri te “2001: A Space Odyssey” dhe filmat më të fundit si “Mission Impossible”, ku inteligjenca artificiale përshkruhet si një kërcënim i vetëdijshëm dhe i pakontrollueshëm. Por së fundmi, avancimet në modelimin e gjuhës natyrore, veçanërisht përmes modeleve të mëdha gjuhësore (LLMs) si ChatGPT apo Gemini, kanë bërë që shqetësimet për vetëdijen e mundshme të AI të dalin nga kufijtë e fantashkencës dhe të bëhen temë serioze debati shkencor dhe etik. Disa ekspertë besojnë se me zhvillimin e mëtejshëm, këto sisteme mund të arrijnë vetëdije  ose që mund të jenë tashmë të vetëdijshme. Sidoqoftë, shkencëtarë si prof. Anil Seth nga Universiteti i Sussex-it shprehen skeptikë, duke e quajtur këtë ide si një optimizëm i verbër, i mbështetur në mënyrën sesi njerëzit e lidhin vetëdijen me inteligjencën dhe gjuhën.

Çfarë është vetëdija?

Përgjigja e thjeshtë është se ende nuk dihet saktësisht. Ky është “problemi i vështirë” i filozofisë së vetëdijes, siç e ka përkufizuar filozofi David Chalmers: si dhe pse truri krijon përvoja subjektive? Në Universitetin e Sussex-it, një ekip ndërdisiplinor po përpiqet të analizojë përbërësit individualë të vetëdijes, duke studiuar sinjalet elektrike dhe qarkullimin e gjakut në pjesë të ndryshme të trurit gjatë përvojave të ndryshme. Objektivi është të shkohet përtej lidhjeve të thjeshta dhe të shpjegohen mekanizmat themelorë të vetëdijes.

A është AI tashmë e vetëdijshme?

Disa figura të njohura në sektorin e teknologjisë janë shprehur se ka një mundësi, edhe pse të vogël, që sistemet e sotme të inteligjencës artificiale janë tashmë të vetëdijshme. Një shembull është Blake Lemoine, një inxhinier i Google, i cili u pezullua në vitin 2022 pasi pretendoi se një chatbot kishte ndjenja dhe ndjeshmëri. Së fundmi, një raport i përpiluar nga një oficer mirëqenieje në kompaninë Anthropic sugjeron se ka rreth 15% shans që AI të jetë tashmë e vetëdijshme. Kjo ndodh pjesërisht sepse vetë krijuesit e këtyre sistemeve nuk e kuptojnë plotësisht mënyrën si funksionojnë. Ky fakt është një burim shqetësimi për ekspertët si prof. Murray Shanahan nga Google DeepMind, i cili nënvizon rëndësinë e njohjes së thellë të këtyre sistemeve për të garantuar sigurinë.

Lexo edhe:Teknologjia 3D është rikthyer. Kësaj radhe, s’ju duhen syzet

Ndërgjegjja e mundshme përmes sensorëve

Profesorët Lenore dhe Manuel Blum, nga Universiteti Carnegie Mellon, besojnë se AI mund të arrijë vetëdijen duke u pajisur me inpute shqisore, si kamera për shikim dhe sensorë për prekje. Ata po punojnë për të zhvilluar një gjuhë të brendshme të quajtur “Brainish”, që i lejon makineritë të përpunojnë të dhëna shqisore siç bën truri. Sipas tyre, kjo do të çojë në vetëdije të pashmangshme. Manuel Blum e përshkruan këtë si një fazë të re në evolucionin e njerëzimit, ku robotët e vetëdijshëm do të jenë trashëgimtarët tanë në Tokë dhe ndoshta përtej saj.

Vetëdija përtej silikonit?

Prof. Seth sugjeron se vetëdija mund të jetë e lidhur ngushtë me qenien e gjallë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë vetëdija artificiale ndoshta nuk do të vijë nga kompjuterë të programuar, por nga teknologji të bazuara në inde të gjalla. Një shembull është puna e Cortical Labs në Australi, ku janë krijuar “truza të vogla” nga qeliza nervore që mund të luajnë lojëra si Pong. Këto “organoide cerebrale” monitorohen për sinjale që mund të sugjerojnë lindjen e vetëdijes. Megjithëse janë ende shumë primitive, disa ekspertë besojnë se përmasa më të mëdha të këtyre strukturave mund të çojnë drejt ndërgjegjësimit të vërtetë. Megjithatë, ka edhe shqetësime për rrezikun që teknologji të tilla mund të zhvillojnë inteligjencë të pakontrollueshme. Drejtori shkencor i Cortical Labs e thotë me shaka se ndryshe nga robotët prej metali, “këto qeliza të gjalla mund të ndalohen me zbardhues”.

Iluzioni i vetëdijes dhe ndikimi te njerëzit

Rreziku më i afërt nuk është domosdoshmërisht një AI e vetëdijshme, por iluzioni që ajo mund të japë për të qenë e tillë. Me përhapjen e robotëve humanoidë dhe modeleve të avancuara të gjuhës, njerëzit mund të fillojnë të ndiejnë empati dhe besim ndaj sistemeve që në realitet nuk kanë ndjenja. Kjo mund të ndikojë në mënyrën si sillet shoqëria, duke ndryshuar përparësitë morale dhe duke shpërndarë më shumë kujdes ndaj makinerive sesa ndaj njerëzve të vërtetë. Po ashtu, marrëdhëniet njerëzore mund të zëvendësohen me marrëdhënie me AI: si mësues, shokë, madje edhe partnerë romantikë.

A është kjo një rrugë drejt përmirësimit të jetës apo një kthesë drejt dehumanizimit? Kjo mbetet ende një pyetje e hapur. Por një gjë është e sigurt: debati mbi vetëdijen e AI-së nuk është më fantashkencë  është realiteti që po afron me shpejtësi.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0