Humbja e një personi të dashur mund të mos ndikojë vetëm emocionalisht, por edhe fizikisht, deri në pikën që të shkaktojë vdekjen. Një studim i ri i publikuar në revistën Frontiers in Public Health tregon se personat që përjetojnë nivele të larta të pikëllimit janë më të rrezikuar të vdesin brenda një dekade pas humbjes, krahasuar me ata që përjetojnë pikëllim më të lehtë.
Studiuesit në Danimarkë analizuan gjendjen shëndetësore afatgjatë të 1,735 familjarëve të pikëlluar gjatë një periudhe 10-vjeçare. Ata i ndanë pjesëmarrësit në dy grupe – ata me “nivel të ulët” dhe ata me “nivel të lartë” të simptomave të pikëllimit. Gjatë kësaj periudhe, 26.5% e atyre me nivel të lartë të pikëllimit humbën jetën, krahasuar me vetëm 7.3% nga grupi tjetër. Simptomat që përcaktojnë një nivel të lartë të pikëllimit përfshijnë ndjesinë e boshllëkut emocional, vështirësinë për të pranuar humbjen, ndjesinë se jeta nuk ka më kuptim dhe konfuzion mbi identitetin personal. Pjesëmarrësit plotësuan pyetësorë në fillim të studimit, gjashtë muaj më pas dhe tre vite pas humbjes, duke i dhënë studiuesve një pasqyrë të qartë të përjetimeve të tyre. Gjithashtu, u vu re se ata që përjetonin pikëllim më të thellë përdornin më shpesh shërbimet e kujdesit shëndetësor, përfshirë mjekët e familjes, shërbimet e shëndetit mendor dhe medikamentet antidepresive.
Lexo edhe:Zbulimi befasues mund të hapë rrugën për një vaksinë universale kundër kancerit
Sipas Mette Kjærgaard Nielsen, bashkautore e studimit dhe kërkuese pranë Universitetit Aarhus, ky grup individësh përfaqëson një kategori veçanërisht të ndjeshme që kërkon vëmendje dhe mbështetje të shtuar, madje edhe përpara se të ndodhë vdekja e të dashurit të tyre. Faktorë si statusi i ulët socio-ekonomik, gjendja e dobët shëndetësore dhe nivelet e larta të depresionit dhe ankthit luajnë rol në përkeqësimin e pikëllimit. Megjithëse studimi nuk u fokusua në shkaqet specifike të vdekjes, rezultatet përputhen me kërkime të mëparshme që lidhin humbjen traumatike me sëmundjet fizike, sidomos ato kardiovaskulare. Një fenomen tashmë i njohur si “sindroma e zemrës së thyer”, ose kardiomiopatia e shkaktuar nga stresi (Takotsubo) — është një gjendje akute që ndodh pas përjetimit të ngjarjeve emocionale shumë të forta, si humbja e një të afërmi. Sipas profesoreshës së kardiologjisë Sian Harding nga Imperial College London, stresi afatgjatë i lidhur me pikëllimin mund të rrisë tensionin e gjakut, nivelet e kortizolit, rrezikun për diabet, si dhe të ndikojë rëndë në shëndetin mendor. Ajo theksoi gjithashtu se ka raste ku individët ndërruan jetë në përvjetorin e humbjes së një të dashuri. Gjetjet sugjerojnë se profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të identifikojnë më herët të afërmit që përballen me pikëllim të thellë dhe të ofrojnë ndjekje dhe mbështetje të vazhdueshme gjatë gjithë procesit të humbjes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto