A do ta "vrasë" AI industrinë e librave komikë? - Business Magazine Albania

A do ta “vrasë” AI industrinë e librave komikë?

A do ta "vrasë" AI industrinë e librave komikë?

Për ata që nuk janë të njohur nga afër me industrinë e librave komikë, mund të jetë e habitshme të mësojnë se, pavarësisht lidhjeve miliardëshe me botën e filmit, kjo industri ka qenë disa herë në prag të rrënimit. Sot, teknologjitë e inteligjencës artificiale po shtojnë frikën se mund të jetë ky fundi përfundimtar. Që nga censura politike në vitet ’50, deri te kolapsi i shitjeve në vitet ’90 dhe sfidat e epokës dixhitale, krijuesit e komikëve kanë përjetuar shpesh ndryshime të thella. Prandaj nuk është për t’u habitur që janë skeptikë ndaj një teknologjie që shpesh shihet si mjet për vjedhje të të drejtave të autorit.

Megjithatë, një pjesë e artistëve po përpiqen të përqafojnë ndryshimin dhe të përdorin inteligjencën artificiale për të përshpejtuar procesin krijues, një përpjekje për të mbijetuar në një industri që ka ditur të përshtatet vazhdimisht.

Shpejtësi dhe efikasitet më i lartë

Në nëntor, legjenda e komikëve Jim Starlin,  krijuesi i personazhit Thanos të Marvel  deklaroi në një intervistë për Popverse se do të përfshijë AI në një libër të ardhshëm. Ai theksoi se do të jetë transparent për pjesët ku do të përdoret AI, por gjithashtu krahasoi kundërshtarët e kësaj teknologjie me Luditët, grupin që kundërshtonte revolucionin industrial. “Përqafo faktin që tani mund të punosh në tre projekte njëherësh, ndërkohë që më parë mezi realizoje një. Përqafo idenë që mund të krijosh një ‘botë’ asistentësh që ndihmojnë procesin tënd krijues,” u shpreh ilustruesi dhe instruktori i artit me AI, Steve McDonald për CNN. Edhe platforma e botimit të komikëve në format dixhital, WEBTOON, ndan të njëjtin entuziazëm. Në dokumentet e paraqitura pranë autoriteteve amerikane të bursës (SEC) për ofertën publike fillestare (IPO), kompania theksoi rolin e veglave të reja me AI në mbështetje të krijuesve për të përshpejtuar procesin e prodhimit. “Kemi përdorur inteligjencën artificiale dhe avantazhin tonë në të dhëna për të lançuar produkte që synojnë të reduktojnë ngarkesën e punës për krijuesit, me qëllim prodhimin e përmbajtjeve me cilësi të lartë,” shkruhej në dokument, duke përmendur veglat për pikturë dhe modelim 2D dhe 3D. Për më tepër, AI mund të ndihmojë bizneset e vogla të zhvillojnë ide, të përballojnë detyrat e përsëritura dhe të ndihmojnë në kërkime, tha avokati Gamal Hennessy, i specializuar në industrinë e komikëve.“Kur AI përdoret për këtë lloj funksioni, artistët janë të entuziazmuar, sepse u jep mundësinë të shpejtojnë ritmin e prodhimit. Për një botues të pavarur, nxjerrja e një komiku kërkon katërfishin e kohës që i duhet një shtëpie të madhe si Marvel apo DC,” shtoi ai.

Lexo edhe:“Squid Game” thyen rekordet në Netflix me 60.1 milion shikime për 3 ditë!

Humbje vendesh pune dhe shkelje e të drejtave të autorit

Megjithatë, për shumë krijues, përfitimet që ofron AI nuk e kompensojnë rrezikun që sjell. Amy Reeder, artiste e njohur që ka punuar me Marvel dhe DC, thotë se e ka humbur një mundësi pune pikërisht për shkak të përdorimit të AI. “Jam mjaft e sigurt që më ishte ofruar një punë dhe pastaj më është tërhequr, sepse ata kishin një ‘moodboard’ të mbushur me ilustrime të gjeneruara nga AI,” tha ajo. Frika se automatizimi do të zëvendësojë vendet e punës nuk është vetëm çështje e industrisë së komikëve. Aktori dhe producenti Ben Affleck ka shprehur shqetësime të ngjashme për industrinë e efekteve vizuale në filma, duke thënë: “Nuk do të doja të isha pjesë e kësaj industrie tani. Çka dikur kushtonte shumë, tani kushton shumë më pak, dhe kjo po i shkatërron ata.” Në industrinë e komikëve, shqetësimi është më i thelluar: humbja e vendeve të punës fillestare, që më pas i përgatisin krijuesit e rinj për karriera afatgjata. Artisti dhe mësuesi Steve Ellis vuri në dukje se AI mund të privojë brezin e ri nga këto mundësi zhvillimi profesional. “Studentët janë vërtet të shqetësuar. Nuk dinë si të reagojnë dhe disa prej tyre ndoshta po mendojnë: ‘A duhet ta përdor këtë teknologji në punën time?’” tha Ellis. Edhe artistët me karriera të qëndrueshme nuk ndihen të sigurt. Ata druhen se veprat e tyre janë përdorur për të trajnuar modelet e AI pa lejen apo kompensimin e tyre. Ben Caldwell, një tjetër artist komikësh, thotë se shumë mbështetës të AI përfaqësojnë në thelb një “lëvizje anti-IP” që synon të çlirojë të drejtat autoriale të korporatave të mëdha si Disney, por që në shumë raste godet krijuesit e pavarur.

Nevoja për rregullim dhe drejtësi

Është e vështirë të besohet se artistët që kundërshtojnë fuqishëm AI do ta pranojnë ndonjëherë përdorimin e saj. Por nuk duhet harruar se industria e muzikës dhe filmave përjetoi një krizë të ngjashme në vitet ’90 dhe 2000, kur pirateria dixhitale kërcënoi sistemin tradicional të të drejtave. “E mbani mend kur kishim të njëjtat frikëra për piraterinë në muzikë dhe filma? Çfarë ndodhi më pas? Platforma si Spotify siguruan licenca dhe një mënyrë për të gjeneruar të ardhura,” tha Jeff Trexler, drejtues i përkohshëm i Comic Book Legal Defense Fund. Edhe pse të ardhurat nga platformat si Spotify janë shumë më të ulëta se më parë, ato e kanë bërë të paktën të mundshme një karrierë në muzikë. Trexler beson se një model i ngjashëm do të shfaqet edhe për artistët vizualë dhe përdorimin e përmbajtjeve të tyre në trajnimin e AI. “Besoj se drejt kësaj do të shkojmë drejt një sistemi licencimi për përmbajtjen që përdoret në AI,” përfundoi ai.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Disiplina është ura midis qëllimit dhe arritjes.”
— Jim Rohn
Must watch
Business Mag Nr. #38 - Qershor 2025

Shqipëria është sot më pranë se kurrë Bashkimit Europian. Hapat integrues të ekonomisë drejt njëjtësimit me standardet europiane, transformimi digjital, ligji për mbrojtjen e të dhënave, qasja ndaj inovacionit dhe mbrojtja e pronës intelektuale, janë të gjitha tregues të një Shqipërie që po zhvillohet me ritme të kënaqshme.

Kjo nuk është më Shqipëria e viteve të gjumit institucional dhe të një sektori privat që rri në pritje. Sot, vendi është në lëvizje. Nga hapësirat e betonit gri të Piramidës në Tiranë, ku të rinjtë po programojnë të ardhmen, e deri te sipërmarrjet që sjellin zgjidhje inovative dhe injektojnë ritëm e ambicie në treg, po ndërtohet një ekonomi që kërkon të jetë pjesë e botës së zhvilluar.

“Krijo, por mbro!” – ky apel i DPPI-së duhet të shkruhet në çdo zyrë, studio, fabrikë apo laborator. Nuk ka zhvillim pa siguri ligjore, dhe nuk ka ekonomi kreative pa mbrojtje të së drejtës autoriale.
Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian po zgjat dorën me fonde dhe projekte konkrete. Nga modernizimi i rrjetit hekurudhor tek financimi i startup-eve dhe sipërmarrjeve të gjelbra, mbështetja e BE-së po i jep frymë një transformimi të qëndrueshëm ekonomik. Platformat si Think Big dhe programet e edukimit digjital janë duke krijuar një ekosistem të ri për inovacionin.

Për bizneset shqiptare, e tashmja është një mundësi që nuk mund të shpërdorohet. Standardet …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0