Elon Musk pati një vit plot ngjarje, duke e mbyllur 2022-shin me blerjen e Twitter-it për 44 miliardë dollarë. Drejtuesi ekzekutiv i debatueshëm, ka sjellë ndryshime dhe ndërprerje, pushime nga puna dhe dorëheqje, që vënë në pikëpyetje fatin e platformës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh sjell më shumë detaje.
Viti i Ri sjell fillime të reja. . .dhe për Elon Musk, ide të reja për Twitter-in në vitin 2023.
Miliarderi i sektorit teknologjik tronditi Silicon Valley-in kur mori drejtimin e Twitter-it në tetor. Pas pushimeve masive nga puna, ndryshimeve të papritura të politikave dhe rikthimit të llogarive të mbyllura të përdoruesve të debatueshëm, shumë njerëz po pyesin se çfarë mund të ndodhë më pas.
“Është një pyetje e vështirë – cili është misioni dhe mandati i Twitter-it tani, kësaj platforme që ka mundësuar debatin publik në mënyra të reja dhe jetike në mbarë botën? A do të vazhdojë kështu? Në çfarë forme? Çfarë do të bëjë kjo firmë tani?”, pyet Andrew Miller, ekspert marketingu.
Elon Musk thotë se Twitteri i tij është streha e fjalës së lirë.
Ai ka lejuar më shumë gjuhë të urrejtjes. Organizata Lidhja Anti-Shpifje vë në dukje “një rritje të përmbajtjes antisemite në këtë platformë dhe një ulje të kontrollit të postimeve të tilla”.
Ky version më pak i kontrolluar i Twitter-it mund të jetë më i vështirë për t’u bërë fitimprurës pasi më shumë firma të fuqishëm po tërheqin reklamat nga kjo platformë.
“Nga këndvështrimi i një reklamuesi, momenti në të cilin ndodhet Twitter-i tani, sjell një rrezik të jashtëzakonshëm, prandaj po rishqyrtohen vendimet nëse duhet vazhduar reklamimi atje apo jo”, thotë Andrew Miller.
Me rënien e shitjeve të reklamave, Twitter-i do të duhet të gjejë mënyra të reja për të nxjerr fitime.
“Nëse do të kesh një platformë të hapur, që nuk është e moderuar ose është e moderuar pak, do të të duhet të gjesh rrugë të reja për të siguruar të ardhura, ndoshta duke i bërë përdoruesit të paguajnë, ose të gjesh mënyra të tjera për të krijuar vlerë për përdoruesit që mund të paguajnë, por do të duhet të mbështetesh tek pagesat nga përdoruesit, jo tek pagesat nga reklamat”, thotë Andy Wu, profesor në shkollën e biznesit në universitetin e Harvardit.
Por sa përdorues kanë mbetur? Në korrik, Twitter raportoi 237 milionë përdorues aktivë të përditshëm, 80% e të cilëve ishin jashtë Shteteve të Bashkuara. Sipas firmës kërkimore Statista, Twitter-i renditet i 15-ti në botë për nga popullariteti në mesin e mediave sociale, me 436 milionë përdorues aktivë mujorë, krahasuar me 2.9 miliardë të Facebook-ut.
Disa analistë thonë se ndryshimet e zotit Musk janë të nevojshme për Twitter-in.
“Kjo është një kompani që ka qenë e ngadaltë në rritjen e përdoruesve të rinj, e ngadaltë në sigurimin e të ardhurave nga forma të reja dhe e ngadaltë në ndjekjen e tregjeve të reja për të ardhmen. Nëse do të kishte vazhduar në atë rrugë, është pothuajse e sigurt që biznesi do të ishte në rënie të vazhdueshme”, thotë Andy Wu.
Por a mundet Elon Musk të përsërisë suksesin e tij të sipërmarrjeve të tjera?
“Ajo që shohim tek zoti Musk për mënyrën se si ai menaxhon dhe zotëron Twitter-in nuk është në kundërshtim me mënyrën se si ai menaxhon SpaceX-in, Tesla-n dhe bizneset e tij të tjera. Ai ka një stil menaxhimi shumë agresiv dhe të guximshëm. Padyshim që ushtron shumë presion te njerëzit dhe është personi që mund ta përballojë punën në atë kompani,. . . por është e qartë se në kompanitë e tij të mëparshme, ai ka arritur shumë gjëra të mahnitshme, që nuk mendoheshin të mundshme, dhe ne do të duhet të shohim nëse kjo do të ndodhë me Twitter-in”, thotë Andy Wu.
Elon Musk hyn në vitin e ri duke vazhduar të ulë kostot, me gazetën New York Times që raporton se Twitter-i ka ndaluar pagesën e qirave të zyrave dhe po shqyrton shkurtimin e përfitimeve për punëtorët e pushuar tashmë nga puna.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.