SHBA – Shqipëri, marrëveshje për bashkëpunim ekonomik

SHBA – Shqipëri, marrëveshje për bashkëpunim ekonomik

SHBA – Shqipëri

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan sot në Tiranë dy marrëveshje. Nënsekretari amerikan për Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach firmosi me ministren shqiptare të Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj Memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik.

Ndërsa ministrja e Infrastruktrës Belinda Balluku nënshkroi Memorandumin e mirëkuptimit me kompaninë amerikane Bechtel për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, një prej veprave më të rëndësishme energjitike të vendit.

Siguria 5G ishte një tjetër temë e rëndësishme në bisedimet mes zotit Krach dhe autoriteteve shqiptare

Për kryeministrin Edi Rama e sotmja ishte “një ditë e shënuar në marrëdhëniet e miqësisë së posaçme dhe të partneritetit të paçmueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Memorandumi që nënshkruajmë sot për bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-së faktikisht do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e nje kapitulli të ri për investimet e drejtëpërdrejta, jo vetëm amerikane, por në tërësi të huaja në Shqipëri. Do të rrisë eksportet shqiptare duke përmirësuar ndjeshëm bilancin tregtar”.

Edhe për Nënsekretarin amerikan Keith Krach “ky është një hap i rëndësishëm dhe madje një katalizator i rëndësishëm për shtrimin e rrugës për rritjen e tregëtisë dhe investimeve përfshirë dialogun ekonomik në të ardhmen ndërmjet dy vendeve tona. Drita e investimeve të huaja veçanërisht për firmat në Shtetet e Bashkuara do të krijojë vende pune më të mira, mundësi më të mira për të rinjtë në Shqipëri e do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi më të mirë biznesi”.

Por angazhimi i Shteteve të Bashkuara do të përkthehet në terma konkretë edhe për një nga veprat më të rëndësishme energjitike të vendit, ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Kryeministri Rama, gjatë një komunikimi me gazetarët, tha se pala amerikane do të ofrojë ekspertizën e saj, teknologjinë si dhe financim për realizimin e këtij projekti së bashku me qeverinë shqiptare.

Memorandumi i firmosur mes ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku dhe kompanisë amerikane Bechtel “do të fusë në rrugën përfundimtare të realizimit një ëndërr 50 vjeçare që është ndërtimi i HEC-it të Skavicës, gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur në burime hidroenergjitike, por i varur në vijimësi nga moti dhe nga importi, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë”, nënvizoi kryeministri Rama.

Në bisedimet me Nënsekretarin amerikan një vend të rëndësishëm ka zënë dhe siguria 5G. Zoti Krach tha se “kërcënimi i privatësisë së të dhënave, pronësisë intelektuale dhe sigurisë kombëtare vjen nga ndërhyrja e aktorëve malinj siç është Partia Komuniste kineze”.

Ai vlerësoi mbështetjen e hapur që Shqipëria i ka dhënë nismës amerikane për Rrjet të pastër, e cila “trajton kërcënimet afatgjata të privatësisë së të dhënave, të sigurisë, së të drejtave të njeriut dhe bashkëpunim parimor paraqitur botës së lirë.

Rrjeti i pastër është i rrënjosur me standardet e besimit të gjithanshëm të pranuar ndërkombëtarisht. Ai përfaqëson ekzekutimin e një strategjie shumëvjeçare të ndërtuar mbi një koalicion partnerësh të besuar, vendesh dhe kompanishë. Rrjeti i pastër në fakt ka çuar në një valë vendesh që kanë marrë një qëndrim parimor kundër shitësve jo të besueshëm e me rrezik të lartë siç është Huawei”.

Kryeministri Rama nga ana e tij theksoi se “Shqipërisë dhe rajonit i duhet një qasje strategjike për të patur një rrjet të sigurtë në procesin e kalimit në nivele të tjera të digjitalizmit dhe të transferimit të të dhënave. Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjesht si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por si një rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G”.

Dy ditë më parë, kryeministri Rama mori një letër falenderimi nga Presidenti Trump për qëndrimin që Shqipëria ka mbajtur ndaj “ndikimeve malinje të Kinës”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0