Oborri mbretëror ka publikuar fotografitë nga dasma private e Princeshës Beatrice në Mbretërinë e Bashkuar, e cila u martua me biznesmenin Edoardo Mapelli Mozzi, ditën e premte në një ceremoni në Kalanë Windsor ku mori pjesë Mbretëresha Elizabeth II.
Fotografitë e publikuara nga Buckingham Palace të shtunën tregojnë se princesha qëndron në distancë nga gjyshja e saj, Mbretëresha Elizabeth dhe gjyshi, Princi Philip.
Princesha Beatrice vuri të njëjtën kurorë, që mbretëresha Elisabeth kishte vendosur 73 vite më parë në dasmën e saj me princin Filip në vitin 1947. Beatrice, e cila është e nënta në radhë në fronin britanik dhe mbesë e Mbretëreshës dhe Princit Filip, Duka i Edinburgh, u shoqërua nga babai i saj, Princi Andrew.

Beatrice dhe Mapelli Mozzi janë fejuar që nga shtatori i kaluar por pandemia e koronavirusit shkaktoi shtyrjen e datës së dasmës, e cila ishte planifikuar më 29 maj.
“Çifti vendosi të zhvillojë një ceremoni të vogël private me prindërit dhe familajrët e tyre pas shtyrjes së dasmës në maj. Dasma ishte në përputhje me rrethanat unike të COVID-19, ndërsa i mundësoi atyre të festojnë dasmën me familjen e tyre më të afërt”, tha një nga përfaqësuesit e pallatit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto