Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të mbrojnë fëmijët, nga loja më e re online në rrjetet sociale si TikTok, Twitter, Instagram, Discord dhe të tjera, e quajtur “Jonathan Galindo”. Kjo lojë, e ngjashme me “Balena blu” dhe “Momo”, i çon fëmijët drejt vetvrasjes, pasi u ka dërguar mesazhe, duke i inkurajuar apo kërcënuar që të marrin pjesë në sfidat e saj.
Policia e Shtetit theksoi:
“Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, në Departamentin e Policisë Kriminale prej disa kohësh ka evidentuar daljen dhe zhvillimin e një loje të re dhe të rrezikshme virtuale, e cila quhet “Jonathan Galindo”.
Për të sqaruar më mirë opinionin publik, loja e re virtuale “Jonathan Galindo” vjen pas disa lojërave virtuale të rrezikshme siç kanë qenë “Balena Blu” dhe “Momo”. “Jonathan Galindo”, i njohur edhe si “Cursed Goofy”, është një personazh i përshkruar si një njeri i veshur me një maskë qeni “Goofy” dhe është i lidhur me sfidën Balena Blu.
Përdorues anonimë krijojnë profile duke përdorur emrin “Jonathan Galindo” dhe duke përdorur imazhe të ndryshme të “Cursed Goofy” dhe më pas iu dërgojnë mesazhe grave dhe fëmijëve nëpërmjet platformave të mediave sociale, duke i pyetur ata nëse dëshirojnë të luajnë një lojë, duke iu referuar sfidës së Balenave Blu, e cila ka ngjashmëri me sfidën “Momo”.
Lexoni: SHBA synon ta vendosë aplikacionin TikTok në listën e zezë
Nëse ata refuzojnë, përdoruesi do t’i kërcënojë se do bëjë publik informacionin e tyre personal.
Nëse personat të cilët kanë marrë mesazhet do të pranojnë të luajnë, kjo sfidë mund të zgjasë 50 ditë, me 50 sfida të ndryshme dhe si përfundim sfida e fundit mund t’i çojë deri në shkaktimin e vetëvrasjes.
Pamja e përdorur nuk është pamje e cila detyrimisht duhet të tregojë që përdoruesi i saj të jetë pjesë e kësaj sfide, pasi ajo mund të përdoret dhe nga përdorues të tjerë për qëllime tërësisht të ndryshme. Imazhet e përdorura në profilet e këtyre llogarive e kanë origjinën nga stilisti Samuel Canini dhe datojnë të paktën në vitet 2012-2013.
Personazhi “Jonathan Galindo” aktualisht është i paidentifikuar, por profili i parë i përdorur për këtë qëllim vjen nga platforma sociale “TikTok”, në vjeshtën e vitit 2019.
Që nga krijimi i këtij profili, llogari të shumta të ngjashme me njëra-tjetrën janë shfaqur në të gjithë rrjetet sociale si: TikTok, Twitter, Instagram, Discord dhe më shumë, duke dërguar mesazhe tek përdoruesit e këtyre rrjeteve sociale dhe duke i inkurajuar ose kërcënuar ata që të marrin pjesë në këtë sfidë.
Aktualisht, sipas të dhënave që Njësia “C” disponon, personat më të prekur janë fëmijët e moshave nga 10 deri në 18 vjeç, të cilët bëjnë pjesë dhe në grupet më të prekshme të shoqërisë.
Të gjithë qytetarët duhet të bëjnë kujdes përsa i përket monitorimit të pjesëtarëve të familjes së tyre dhe veçanërisht të fëmijëve, në çdo rast dhe sidomos kur vërejnë shenja si:
- Fëmijët marrin mesazhe apo postime nga “Jonathan Galindo”, i cili është një njeri që e ka fytyrën të lyer si personazhi “Micky Mouse” ose si qen;
- Ndryshime ekstreme në zakonet e tyre të të ngrënit apo të gjumit;
- Përdorimi i veshjeve të gjata, që mbulojnë mirë pjesët e trupit me qëllim që të fshihen vetëdëmtimet trupore;
- Fotografimi i veprimeve apo aktiviteteve të ndryshme dhe dërgimi në llogari të rrjeteve sociale, që prindërit nuk i njohin.
Lexoni: Reklama e gabuar, Colgate dhe Procter & Gamble përballen në gjyq
Ndoshta disa prej këtyre shenjave mund të mos kenë të bëjnë me këtë sfidë, por gjithsesi përbëjnë arsye serioze për t’u shqetësuar.
Deri më tani Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Policinë e Shtetit nuk ka evidentuar asnjë rast të tillë në Republikën e Shqipërisë dhe njëkohësisht bën thirrje për çdo shtetas që beson apo dyshon se gra apo fëmijë ndodhen në situatë të një rreziku të tillë, të njoftojnë menjëherë dhe në çdo moment Policinë e Shtetit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.