Hapja e transportit publik për në 15 qershor është anuluar. Kryetarja e Komitetit Teknik, Mira Rakacolli tha se për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, hapja e transportit publik do të shtyhet me 1 javë.
“Kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike“.
Sipas Rakacollit, edhe pse ditët e fundit ka një rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus, ekspertët e Komitetit Teknik e vlerësojnë situatën të qëndrueshme.
“Kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme. Pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situatën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar. Kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes“.
Megjithatë, ekspertët rekomandojnë mbajtjen e distancës, si dhe përdorimin e maskës, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.