Facebook njoftoi se ka nisur t’i etiketojë mediat e kontrolluara nga shteti, të tilla si Sputnik i Rusisë dhe Xinhua e Kinës, në mënyrë që njerëzit ta dinë se përmbajtja që lexojnë, vjen nga një entitet që mund të jetë nën ndikimin e një shteti.
Tek etiketimi i Sputnikut shkruan: “Ky botues është pjesërisht ose tërësisht nën kontrollin editorial të një shteti”.
I njëjti mesazh shfaqet edhe tek website-i kinez i lajmeve, Xinhua.
Nathaniel Gleicher, kreu i politikave të sigurisë në Facebook, i tha CNN Business gjatë një inteviste se kompania po merr këto masa, në mënyrë që përdoruesit të dinë më shumë se nga vijnë informacionet që u përcillen.
“Shqetësimi ynë është që media shtetërore ndërthur përcaktimin e axhendës së mediave me mbështetjen strategjike të shtetit,” tha Gleicher. “Nëse po lexoni lajme mbi një protestë, është me të vërtetë e rëndësishme ta dini se kush po e shkruan atë lajm dhe çfarë motivimi kanë ata. Qëllimi i kësaj është të sigurohet që publiku të shohë dhe të kuptojë se kush qëndron pas lajmeve.”
Gleicher tha që Facebook u konsultua me 65 ekspertë për të krijuar kriteret e veta, për të përcaktuar se cilat media do të etiketohen si të kontrolluara nga shteti. Këto kritere përfshijnë nga vjen financimi, transparenca editoriale, struktura e pronësisë dhe qeverisja, mekanizmat e përgjegjësisë së brendshme dhe konfirmimi i pavarësisë së palëve të treta. Ekziston mundësia që një njësi mediatike mund të financohet nga shteti, por konsiderohet e pavarur. Gleicher paralajmëroi se lista është “dinamike” dhe do të ndryshojë me kalimin e kohës. Subjektet gjithashtu mund të apelojnë etiketimin e tyre.
Lexoni: Mark Zuckerberg bëhet njeriu i tretë më i pasur në botë
Në vitin 2018, YouTube filloi etiketimin e videove, që vinin nga media të financuara nga shteti.
Tëitter nuk etiketon media të kontrolluara nga shteti, por në gusht 2019, ndaloi reklamat nga subjektet e mediave të kontrolluara nga shteti.
Një zëdhënës i Rusia Today dënoi masën si “një shembull kryesor i lajmeve të rreme”.
Në një email për CNN Business, zëdhënësi tha se Facebook po përpiqet t’i tregojë “tërë pjesën tjetër të botës se çfarë mund dhe nuk mund të thotë”, duke e krahasuar atë me “përkufizimin e një diktature teknologjike dhe censurimi”.
Duke iu përgjigjur politikës së re të Facebook-ut, Geng Shuang, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, u bëri thirrje kompanive të mediave sociale të “heqin dorë nga paragjykimet ideologjike”. Të gjitha organizatat e mediave duhet të “trajtohen në mënyrë të barabartë” për sa kohë që ato respektojnë ligjet dhe rregulloret, shtoi ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.