Legalizimi i kanabisit për qëllime mjeksore krijon më shumë dëm se sa të ardhura.
Administratori i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku paralajmëron se nëse nuk do të ndalohet nga ne, kjo nismë do të ndalohet nga Bashkimi Europian, por me kosto të lartë për integrimin. Fundja, Italia, Gjermania, etj, pse nuk e kanë legalizuar?!
Z.Buxhuku, cili është mendimi juaj për nismën e fundit të qeverisë për ligjërimin e prodhimit të kanabisit në Shqipëri?
Para së gjithash duhet të kuptojmë, se kemi të bëjmë me një çështje, që normalisht tejkalon ndjeshëm mundësinë e plotë vendimarrëse të cilësdo qeveri shqiptare pa asnjë paragjykim. Çfarë dua të them me këtë? Çdo debat për mundësinë dhe leverdishmërinë ekonomike të diskutueshme të prodhimit të kanabisit në Shqipëri, ka kuptim të fillojë vetëm atëhere kur qeveria të ketë shpallur haptazi, se ka kërkuar dhe ka marrë miratimin e aleatëve strategjikë të BE, SHBA. Shto këtu edhe miratimin nga vende të tjera të BE, që janë tregjet pritëse të para në përballje me dërgesat e paligjshme të sotme të sasive të kanabisit shqiptar. Në rradhë të parë të Italisë. Nëse, shtetet e mësipërme nuk kanë dhënë miratimin, atëhere është mirë të mbyllet gjithçka pa u zgjatur më shumë. Ndryshe, gabimi do të ishte jo vetëm një humnerë ekonomike e sigurt, por arrin deri te prekja e interesave strategjike afatgjata të shqiptarëve si komb. Deri më sot nuk kemi një shprehje të qartë të qeverisë, nëse është hapur drita e gjelbër nga aleatët për nismën në fjalë. Dhe, për hir të së vërtetës, nuk besoj se mund ta hapin dritën e gjelbër. Të paktën tani për tani.
Përse mendoni se do të preken interesat strategjike të shqiptarëve, nëse kanabisi formalizohet pa marrë miratimin e BE dhe aleatëve të tjerë?
Sepse, Shqipëria për shansin tonë të mirë, është shtet me sovranitet të kufizuar. Dhe jo vetëm ne, por dhe shtete të tjera të Rajonit. Arsyeja është për shkak të detyrimeve në kuadër të proceseve integruese dhe aleancave euroatlantike ku jemi përfshirë. Sidomos, kur vjen fjala për çështje të tilla të ndjeshme sikurse është tregtia e narkotikëve, qartësisht janë partnerët ndërkombëtarë, që vendosin. Aq më shumë kur dihet njolla e errët, që ne fatkeqësisht kemi në këtë fushë. Formalizimi pa leje i kanabisit do të thoshte të ndalonin gjithë proceset e deritashme të integrimit në BE dhe aleancat euroatlantike. Dhe jo vetëm kaq. Nëse, edhe për nismën e amnistisë fiskale nuk është marrë miratimi i aleatëve, atëhere bëhet vërtet e rrezikshme për të prekur edhe më rëndë interesat kombëtare. Armiqtë tanë historikë do të kishin arsye të tundnin para botës së qytetëruar, tezën e vjetër se shqiptarët janë të aftë vetëm për të ndërtuar antishtetin e pastrimit të “parave të zeza” dhe tregtisë së narkotikëve në zemër të Evropës.
Por, përse BE duhet të ndihet e prekur, kur kemi të bëjmë vetëm me ligjërim të prodhimit të kanabisit me sasira të kufizuara vetëm për qëllime mjekësore?
Nuk besoj se duhet ndonjë aftësi e madhe, që të kuptohet, se çfarë mund të ndodhë kur të fillojë lejimi masiv, pasi shteti për dhjetëra vjet kthehet si eksportues i rëndësishëm botëror i kanabisit edhe kur është i ndaluar rrepëtësisht me ligje të ashpra prodhimi edhe i një bime të vetme. Shqipëria rrezikon të kthehet në një magazinë të madhe formale e kanabisit në pragun dhe vetë trupin e BE. Treçereku i punës bëhet pa asnjë rrezik. Mbetet vetëm cereku tjetër i punës në pritje të kohës së mirë për skafet, anijet, avionët dhe makinat për të kryer “eksportin”.
Të mendojmë për një çast se shtetet e BE e kanë dhënë miratimin për ligjërimin e prodhimit të kanabisit në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj parë leverdishmërinë ekonomike të pritshme?
Pikërisht këtu fillon dhe mbaron çështja. Ju si mendoni? Italia, Spanja, Franca, Gjermania, etj. nuk kanë toka, teknologji, infrastrukturë, financime, etj. për të mos ta prodhuar vetë kanabisin? Dhe paratë e tyre, që mund t’i merrnin fermerët e tyre t’ja jepnin Shqipërisë? Natyrisht jo. Ata e kanë të ndaluar prodhimin në vendin e tyre, deri në atë pikë, që edhe sasi të vogla për industrinë farmaceutike i prodhon vetë ushtria. Çdo gjë tjetër emërtohet kriminale. Dhe pikërisht një analizë e tillë tregon, se fitimet e kanabisit sigurohen vetëm, sepse veprimtaria ëshë e ndaluar në shtetet e pasura të BE. Në kushte të formalizimit, çmimi do të ishte shumë më i ulët dhe seriozisht do të vihej në pikpyetje leverdia ekonomike e prodhimit dhe e përpunimit të kanabisit. Natyrisht, të gjithë ata që do kishin investuar në kushte të tilla do rrezikonin shumë financiarisht. Të mos ta bëjmë sikur nuk e dimë, që kanabisi ka vlerë vetëm kur hyn ilegalisht për përdorim të ndaluar në tregjet e pasura të BE dhe jo si medikament farmaceutik! Ndërkohë, dëmet e shkaktuara janë shumëfish më të mëdha, sesa thjesht humbje financiare për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Cilat mund të jenë arsyet e ndërmarrjes së nismës nga ana e qeverisë shqiptare? Mendoni, që nuk e kanë bërë një analizë të tillë?
Arsyet mund të jenë të ndryshme. E para, që më vjen në mëndje është gjendja e vështirë ekonomike. Paaftësia dhe pamundësia për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm më mënyra ligjore të çon edhe drejt zgjidhjeve dëshpëruese. Aq më shumë kur jemi në vitin e ardhshëm zgjedhor, çuditërisht ngjashëm me Shqipërinë e “gjelbër” të 2016. Zgjidhje dëshpëruese, që mund të shtyjnë në ligjërimin e prodhimit të drogës, amnistia fiskale, etj., por që në fakt të zhysin edhe më thellë në dështim, prishje konkurence dhe shkatërrim ekonomik, shëndetësor dhe vlerave demokratike. Shto këtu edhe goditjen e bujqësisë shqiptare, duke rrezikuar kthimin në monokulturën e kanabisit. Përveç dëmtimit afatgjatë të interesit gjeostrategjik të kombit shqiptar në tërësi. Aq më shumë, kur çështja e Kosovës është më e nxehtë se asnjëherë. Më e lehta e këtyre lëvizjeve do të ishte bërja e bllofit për të “kërcënuar” BE për procesin e integrimit. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë, që grupet e trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave të “zeza” janë të fuqishme.
Shkurt, arsyet mund të jenë të ndryshme, por shpresoj, që nismat në fjalë të ndërpriten sa më shpejt nga vetë ne. Përndryshe do ta bëjnë partnerët ndërkombëtare, por me kosto të lartë për shtetin dhe kombin shqiptar. Pandemia Covid 19 nuk mund të ndihmojë për t’i shpërqëndruar në këtë rast!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.