Individët apo sipërmarrjet? Cilët kanë më shumë nevojë për mbështetje - Business Magazine Albania

Individët apo sipërmarrjet? Cilët kanë më shumë nevojë për mbështetje


Shkruar nga Zef Preçi

Është e vështira të portretizosh se cili subjekt ka më shumë nevojë për mbështetje financiare: individët apo sipërmarrjet? Lë te përpiqemi të hedhim sadopak dritë në këtë drejtim. Fillimisht t’i analizojmë me radhë. Le të fillojmë me individët.

Pranohet gjerësisht se rreth 40% e të punësuarve në sektorin privat paguhen me paga të ulëta, afër pagës minimale zyrtare. Kuptohet duke përjashtuar këtu atë pjesë relativisht të madhe të tyre, të cilët janë edhe nën këtë nivel për shkak se një pjesë të pagës së marrë përmes pageses bankare detyrohen t’ia kthejnë punëdhënësit në cash… Kjo do të thotë se paga e punës, edhe pse në nivele shumë të ulëta – afër minimumit jetik – përsëri mbetet burimi kryesor i (mbi)jetesës së një numri të madh familjesh shqiptare. Kështu që humbja e saj, qoftë edhe e përkohshme i bën këto familje edhe më vulnerabël dhe i çon në kufinjtë e varfërisë ekstreme e pse jo edhe të urisë. Natyrisht këtu nuk mendoj aspak sipas propagandës zyrtare se “nuk ka vdekë njeri për bukë” e të tjera slogane të dala boje si këto. As se varfëria e shkaktuar nga kriza aktuale mund të zbutet me dy qese ushqimesh që shpërndan kryebashkiaku i Tiranës, e që kushtojnë as sa 1/10 e mbulimit mediatik të filmimeve të llojit “porno me varfërinë” që shoqërojnë këtë akt.

Bizneset: Ndoshta është më e udhës që të veçojmë biznesin e vogël, biznesin e madh dhe brenda këtij të dytit bizneset e llojit PPP. Biznesi i vogël, sipas vlerësimit tim, gjendet në kushte krejtësisht të ngjashme me individët apo të punësuarit që përmendëm më lart. Ky grupim i biznesit (biznesi i vogël) bëhet edhe më i ndjeshëm sa i takon nevojës për mbështetje për faktin se biznesi i vogël përfaqëson edhe pjesën dërmuese të bizneseve në vend. Biznesi i madh, përtej zhurmës dhe propozimeve të ndryshme që hidhen në opinion, mendoj se ka probleme të tjera më thelbësore të sistemit që lidhen me konkurrencën e pandershme, me mosfunksionimin e sistemit juridik të vendit, me klientelizmin dhe favorizimin në prokurimet publike, etj.

Këto dhe probleme të tjera të ngritura në vijimësi nga komuniteti i biznesit nuk zgjidhen thjesht me mbështetje financiare, edhe pse ky instrument nuk duhet nënvlerësuar. Natyrisht ky arsyetim nuk vlen për bizneset e mëdha të rregulluara nga shteti (tele-komunikacionet, bankat, e sidomos për ato të llojit PPP).

Lexo: Liderët e botës duhet të reagojnë menjëherë ndaj COVID-19

Është e çuditshme refuzimi dhe shurdhëria e qeverisë lidhur me kërkesat e përsëritura për rishikimin e kontratave koncesionare në formën e partneritetit publik-privat, megjithë kërkesat dhe sugjerimet e herëpashershme të opozitës, të ekspertëve të botës akademike, etj. Të krijohet përshtypja se “force majour” (që mendoj se duhet konsideruar edhe pandemia aktuale e coronavirusi-it) nuk vepron në kontratat publike, gjë që me siguri do të jetë edhe objekt i hetimeve të specializuara në të ardhmen e afërt.

Personalisht mendoj se megjithë paqartësitë apo ambiguiteti ligjor rreth definimit të këtij nocioni të së drejtës, injorimi i këtij në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhet aktiviteti ekonomik në vend e vendos qeverinë e pozitat e anësimit në favor të këtyre bizneseve dhe mosveprimit në mbrojtje të interesit publik. Madje kjo shkon edhe më tej. Kështu, nëse flasim për koncesionin famëkeq të “check-up”-it, as pas tre muajsh nga shfaqja e pandemisë së coronavirus-it, opinioni publik nuk është njohur me asnjë referencë justifikuese të këtij studimi mbi sëmundshmërinë në vend, e cila mund të ndihmonte në shpëtimin e jetëve të qytetarëve. E kam fjalën për mundësinë e identifikimit të personave me sëmundje shoqëruese apo të grupit të riskuar nga kjo pandemi…

Përfundimisht, për biznesin mendoj se paketa apo rishikimet e saj në të ardhmen duhet të mbështesin fuqimisht dhe në formën e financimeve në cash për biznesin e vogël, ndërsa te biznesi i madh mendoj se duhet të mbështeten në cash drejtpërdrejt të punësuarit në këto biznese, si dhe më shumë në formën e lehtësirave fiskale, në pezullimin e disa tatime-taksave, duke përfshirë edhe ato vendore për periudhën e bllokimit të aktivitetit ekonomik në vend, kurse mbështetja në cash duhet parë e lidhur me garancinë sovrane të ofruar nga qeveria.

Për bizneset e llojit PPP, si dhe duke marrë parasysh faktin se këto biznese prej një dekade rezultojnë ndër bizneset me normën më të lartë të fitimit dhe se vendi gjendet në një situatë të jashtëzakonshme, mendoj se qeveria duhet të rinegociojë kontratat në fjalë me qëllim që brenda një periudhe sa më të shkurtër kohe të fiksojë normën e fitimit si tregues të aktivitetit në këto kontrata me qëllim që ta përafrojë me të njëjtin tregues në sektorët e tjerë të ngjashëm. Kuptohet se kjo vlen pas anullimit de facto dhe de jure të një numri kontratash të tilla të dyshuara gjerësisht si korruptive dhe për të cilat nuk kemi akoma asnjë hetim nga SPAK (përderisa dyshohet përfshirja e zyrtarëve të lartë të qeverisë në aferat e dyshuara me këto kontrata).

Lexo: Si të komunikojnë bizneset lokale me klientët gjatë COVID-19

Pavarësisht se qeveria ka kapacitete të reduktuara të ekspertizës dhe është prirur që të ruajë status quo-në në ekonominë tonë kombëtare, mendoj se kjo krizë duhet të shihet gjerësisht edhe si një mundësi për të rishikuar strukturën e kësaj ekonomie, aftësinë e saj konkurruese dhe rolin apo kontributin e degëve kryesore të saj. Kështu që adresimi i mbështetjes shtetërore sipas llojeve të biznesit dhe duke përfshirë edhe të punësuarit, por vetëm për kohën e krizës, mendoj se e lejon një ristrukturim të ekonomise dhe në perspektivë edhe rritjen e fuqisë konkurruese të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0