Një Akademi dedikuar Aftësive për Punë! - Business Magazine Albania

Një Akademi dedikuar Aftësive për Punë!


Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash në sistemin e punësimit dhe aftësive dhe ka miratuar një paketë me ligje dhe rregullore. Së shpejti pritet që Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Kualifikimeve të jenë tërësisht funksionale. Njësitë e Zhvillimit do të krijohen në nivel ofruesi dhe do të ofrojnë 7 shërbime të ndryshme. Roli i kompanive (punëdhënësve) në drejtimin e institucioneve ofruese parashikohet të rritet ndjeshëm, përmes përfshirjes në procese si rishikimi i ofertës, kualifikimi i vazhduar i mësuesve e instruktorëve dhe të nxënit nëpërmjet punës.

Në kuadër të këtyre reformave, që prej tetorit 2015, projekti “Aftësi për Punë” mbështet qeverinë dhe aktorët e tjerë të interesit për të ndërtuar një sistem efikas të Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) në Shqipëri, të frymëzuar nga modeli zviceran. Konkretisht, projekti ka mbështetur një proces transformimi të konsiderueshëm të shtatë institucioneve publike të AFP-së, duke i mbështetur ato ndër të tjera, për: i) ndërtimin e partneriteteve strategjike me kompanitë në rajonet ku operojnë, ii) planifikim strategjik dhe zhvillimin nga ana organizative; iii) ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e AFP-së.

Artikulli u publikua më parë në faqen 24 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu  nr. 22 të saj.

“Aftësi për punë” ndër të tjera, ka për qëllim që njohuritë dhe përvojat e përftuara gjatë këtyre viteve t’i ndajë gjerësisht dhe t’i zhvillojë më tej me gjithë palët e interesuara. Për arritjen e këtij qëllimi, projekti po promovon një nismë të re:

Akademia “Aftësi për Punë”.

Akademia ka si qëllim të shërbejë si një platformë për nxitjen e të menduarit kritik dhe të dialogut midis palëve të interesuara të sistemit të AFP në Shqipëri. Si pjesë e kësaj nisme, projekti do të mbështesë një sërë aktivitetesh të ndryshme, si: një revistë për politikat e AFP-së, tryeza të rrumbullakëta tematike, shkolla, seminare pune, etj.

Ne, si BusinessMag Albania, ndoqëm nga afër punimet e Shkollës Verore dhe mbetëm të impresionuar nga angazhimi gjithëpërfshirës i shumë aktorëve ndikues në procesin e zhvillimit të kapitalit human dhe praktikave më të mira për nxitjen e arsimit dhe formimit profesional.

Nisur nga rëndësia e kësaj çështje për impaktin e saj ekonomik në vend si edhe me besimin se evente të tilla përbëjnë vlerë në shumë dimensione ne i dedikuam këtë edicion special kësaj teme.

Pyetjeve tona drejtuar organizatorëve për një mesazh përmbledhës pas eventit iu përgjigj Erka Caro, Specialite e Monitorimit dhe Matjes sё Rezultateve, “Aftёsi pёr Punё”.

Shqipëria duhet të rrisë, në mënyrë të konsiderueshme, numrin e personave që ndjekin arsimin profesional

Projekti Aftësi për Punë ka krijuar Akademinë e saj, e cila pati dy sesione deri tani. Pse vendosët ta krijoni? Cili është objektivi juaj me këtë akademi?

Akademia ‘Aftësi për Punë” ka si rol parësor  promovimin e dialogut kombëtar për zhvillimin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri. Akademia kërkon të sjellë bashkë gjithë aktorët e interesit rreth tryezës për të kuptuar më mirë kontekstin, për të reflektuar mbi të ardhmen dhe për të dakorduar për qasje për të forcojmë lidhjen mes sistemit të arsimit dhe botës së punës. Deri më tani, Akademia ka organizuar një shkollë dimërore gjatë shkurtit 2019 dhe shkollën verore që përfundoi në muajin Shtator 2019. Këto evente kanë si qëllim të mbledhin së bashku politikë-bërës, akademikë, drejtues, mësimdhënës të institucioneve ofruese të AFP-së në të gjitha nivelet (publike dhe jo-publike), punëdhënës, nxënës dhe prindër. Temat që trajtohen gjatë këtyre eventeve nxisin reflektimin te pjesëmarrësit dhe kanë si objektiv të identifikojnë zgjidhje dhe nisma konkrete për ta bërë sistemin e AFP-së sa më efikas dhe ofertën sa më të lidhur me tregun e punës.

2- Cilat ishin gjetjet kryesore të Shkollës verore, të cilat i prisnit, por ndoshta edhe nuk i prisnit nga palët e përfshira në aktivitetin intensiv 3 ditor?

Gjatë tre ditëve, Shkolla Verore 2019 mblodhi së bashku më shumë se 350 pjesëmarrës mbi 80 përfaqësues nga bizneset, politikëbërës, akademikë, drejtues, mbi 160 mësimdhënës dhe instruktorë të institucioneve ofruese të AFP-së në të gjitha nivelet (publike dhe jo-publike), nxënës dhe prindër, organizata jo qeveritare dhe profesionistë të tjerë. Sesionet paralele dhe seancat pleanare në Shkollën Verore u organizuan në formate të ndryshme si: diskutimi në panel, workshop, punë me grupe, reflektime nga të gjithë të pranishmit, tavolinë e rrumbullakët, panel me disa kontribues kryesorë, ekspozitë me sisteme që përdoren në institucionet partnere të AFP-së (CISCO, Moodle, Videopedagogy, Epale, Sistem i Menaxhimit të QFP), simulime, panel i hapur, intervistë, lojëra, prezantime, panel nga fëmijë dhe tre seminare pune. Në secilin sesion u ndanë module dhe metodologji që mund të aplikohen në punën e vazhdueshme të secilit aktor që është përfshirë në ekosistemin e AFP.

Tematika kryesore e Shkollës Verore 2019 ishte Zhvillimi i Kapitalit Njerëzor në Shqipëri – Roli i Arsimit dhe Formimit Profesional.

Kapitali njerëzor ështe një faktor kyç që ndikon në rritjen ekonomike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe konkurueshmërinë e një vendi. Shqipëria po implementon reforma të shumta në fushën e arsimit me qëllim për të përmirësuar kapitalin e saj human.  Në mënyrë që vendi të ushqejë më mirë dhe të zhvillojë më tej kapitalin e saj njerëzor, ajo duhet të investojë në përmirësimin e cilësisë dhe relevancës së ofertës së sistemit arsimor.

Thënë kjo, Shqipëria duhet të rrisë, në mënyrë të konsiderueshme, numrin e personave që ndjekin arsimin profesional (krahasuar me gjimnazin) dhe të ofrojë mundësi konkrete për përmirësimin e aftësive të shumë të rinjve që kanë përfunduar gjimnazin dhe nuk ndjekin ndonjë lloj arsimi të mëtejshëm.

Në përpjekje për të kapërcyer hendekun që ekziston midis ofertës së shkollave profesionale dhe nevojave të industrisë, kapitali njerëzor shihet si çelësi për forcimin e aftësive, i cili do të ndihmojë forcën punëtore në të ardhmen të përmbushë shpresat dhe aspiratat e të rinjve për një punë dhe një jetë më të mirë.

Oferta e orientuar drejt tregut të punës dhe zhvillimi i aftësive të drejtuara nga kërkesat e punëdhënësve ishin në zemër të diskutimeve gjatë shkollës verore. Duke u bazuar në shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizën nga institucione të ndryshme, shkolla verore nxiti reflektimin se si t’i bëjnë tregjet e punës dhe politikat e zhvillimit të aftësive profesionale dhe jo vetëm, më efektive, efikase dhe të qëndrueshme përmes një dialogu të vazhdueshëm dhe të strukturuar. Gjatë shkollës verore u theksua rëndësia e cilësisë dhe relevancës së ofertës për një sistem arsimor funksional, brenda një axhende gjithëpërfshirëse dhe duke marrë parasysh implikimet institucionale të shkaktuara nga ndryshimi i natyrës së punës në një epokë dixhitale.

3- Nga konkluzionet, çfarë shikoni më emergjente për të ndërhyrë, apo vepruar në pjesën e arsimit profesional, dhe si do të përqafohen këto gjetje nga Akademia?

Një nga konkluzionet kryesore të shkollës verore ishte se arsimi dhe formimi profesional gjeneron efekte pozitive për individin, të ardhura më të larta dhe mundësi më të mëdha për të patur një vend pune krahasuar me përgatitjet e të njëjtit nivel, por në drejtimin e përgjithshëm.

AFP-ja luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapitalit human dhe rrjedhimisht të ekonomisë së një vendi. Hapja e debatit dhe diskutimi mbi adresimin e disa prej sfidave krysore që prekin sot sistemin arsimor dhe sidomos arsimin profesional në Shqipëri ishte një nga arritjet e shkollës verore. Më poshtë një detajim i konkluzioneve kryesore të nxjerra dhe artikuluara gjatë shkollës verore:

  • Sistemi i AFP-së në Shqipëri nuk prodhon efektivitet. Ka nevojë për një ofertë arsimore të informuar nga nevojat dhe mundësitë e tregut të punës që rrjedhmisht përkthehet në ofertë të përmirësuar dhe të rinj të integruar në tregun e punës. Hartimi i ofertës duhet bazuar në një dialog të strukturuar dhe të vazhdueshëm me sektorin privat në përshtatje me zhvillimet ekonomike dhe sociale në vend;
  • Arsimi profesional nuk është (ende) një zgjedhje e rëndësishme për të rinjtë në Shqipëri, ku vetëm 18.5% të tyre zgjedhin arsimin profesional. Shifrat paraqiten më të ulëtat në rajon. Është e domosdoshme që ky realitet të ndryshohet duke rritur jo vetëm ndërgjegjësimin e të gjithë aktorëve mbi rëndësinë e AFP-së por dhe duke e zhvilluar atë si një alternativë konkuruese në treg.
  • Vetëdijësimi i sektorit privat si kontribues aktiv, i vazhdueshëm dhe kryesor në mirëqëverisjen e institucioneve AFP, në zhvillimin e kurrikulave dhe në zhvillimin e të nxënit përmes punës, janë tre nga disa prej aspekteve të rëndesishme për funksionimin efektiv të institucioneve të AFP-së.
  • Përditësimi i kurrikulave si rrjedhojë e partneritetit me sektorin privat përmes praktikave profesionale në biznes ëshë një faktor mjaft i rëndësishëm që kërkon vëmendje.
  • Për të siguruar efikasitet dhe cilësi në AFP në fokus duhet të jetë dhe cilësia e materialeve mësimore si dhe fleksibiliteti në përshtatjen e këtyre materialeve me zhvillimet teknologjike dhe zhvillimet e tregut.
  • Vëmendje e dedikuar ndaj zhvillimit të aftësive të buta në arsimin profesional dhe në tregun e punës. Me rëndësi të madhe shihet nxitja e aftesive të buta, specifikishit atësitë komunikuese, kreative, integriteti, puna në grup dhe pozitiviteti, si dhe integrimi i tyre nё kurrikulat e arsimit profesional dhe mundësimi i krijimit të sinergjive mes aktorëve institucionalë në fushën e zhvillimit të aftësive tё buta. E lidhur me këtë duhet më shumë fokus dhe në zhvillimin personal paralelisht me zhvillimit profesional të stafit pedagogjik dhe menaxherial në institucionet e AFP-së në Shqipëri.
  • Për të siguruar rritje të produktivitetit dhe përfitim më të lartë për të rinjtë, shtrohet nevoja për një ofertë cilësore në programet profesionale pas të mesmes.

4- Cilat janë objektivat afatgjata me Akademinë? 

Akademia “Aftësi për Punë” është konceptuar në formën e një platforme mësimi, shkëmbimi idesh e praktikash dhe dialogu të strukturuar mes aktorëve të ndryshëm dhe vjen si pjesë e strategjisë së projektit për të rritur ndikimin e nismave të ndërrmara në nivel kombëtar.

Akademia ka si qëllim identifikimin e praktikave më të mira, dokumentimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit ndaj këtyre praktikave nëpërmjet shkollave verore apo dimërore, publikimeve të ndryshme, çmimeve dhe konkurseve  kombëtare.

Pavarësisht zhvillimeve pozitive në sistemin e AFP në Shqipëri ka dhe mjaft sfida të vështira për t’u adresuar, siç janë për shembull përshtatja e  ofertës së AFP-së në mënyrë konstante dhe të strukturuar me nevojat dhe mundësitë e tregun e punës; integrimi në kohë dhe cilësor i të diplomuarve të AFP-së në tregun e punës; mësimdhënie dhe menaxhim efiçent i institucioneve të AFP-së, etj. Këto janë sfida që shkojnë përtej projektimit të një procesi të mirë reformues. Përafrimi i interesave dhe përpjekjeve të shumë aktorëve kërkon qartësi në lidhje me përfitimet e ndërsjella dhe rolin që duhet të luajë çdo palë e interesuar për të arritur rezultatet e pritura.

Akademia “Aftësi për Punë”  kërkon të adresojë këtë nevojë, duke krijuar një platformë diskutimi dhe dialogu të vazhduar në të ardhmen 

Akademia bazohet në supozimin se reformat duhet të komunikohen për të siguruar një perceptim, pozicionim dhe angazhim të përbashkët nga palët e interesuara në të gjitha nivelet. Ekspozimi ndaj praktikave të mira dhe reflektimi mes të ngjashmëve në lidhje me mënyrën e aplikimit të këtyre praktikave në realitete të ndryshme është një nga mënyrat për të nxitur transformimin e sistemit të AFP-së në Shqipëri.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 24 të numrit 22 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 22 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0