Gerti Boshnjaku, themelues i Business Magazine Albania tha se, “edhe pse jemi një ekonomi me probleme, ku vitin e kaluar pati ulje të rritjes ekonomike, zhvlerësim të euros, ikje të talenteve, besojmë se ka një pjesë njerëzish që po ndryshojnë mënyrën e të bërit biznes, duke inovuar e gjetur zgjidhje të reja”.
Sipas tij, pavarësisht vështirësive që ka ekonomia e vendit në tërësi, këta sipërmarrës po punojnë, po zhvillojnë biznese duke u nisur nga problemet që kanë hasur nga afër. “Ata inspirohen, edukohen e zhvillojnë rrugën e të bërit biznes. Nëse 5 vite më parë, nuk kishte një komunitet të mirëfilltë startupesh, sot po përdorim produkte të startup-eve shqiptare”, tha Gerti. Ka nga ato që po zhvillojnë produkte në rang global dhe me impakt tek miliona njerëz. Në tregun vendas, ai solli shembullin e Babbon, përmes të cilit mund të porosisim ushqim në çdo restorant që duam. Për më tepër, nisma të tilla kanë nxitur zgjidhje të ngjashme. I tillë është shërbimi për piceritë.
Një pikë e fortë tek sipërmarrësit e rinj shqiptarë janë mentorët. Sipas Gerti Boshnjakut, sygjerimi i tyre i përgjithshëm është që sipërmarrësi të dalë nga comfort zonë. Aty ku ka probleme, zhvillohen zgjidhje. Kjo vlen shumë për vende të vogla. E njëjta gjë ka ndodhur me Izraelin, i cili ka zhvilluar komunitetin më të fortë startup-esh, pikërisht për shkak të pengesave dhe marrëdhënieve jo të mira me fqinjët.
Duke iu referuar speciales se numrit të fundit të revistës, Gerti theksoi nevojën e zhvillimit të kapitalit njërëzor. Diskutimet dhe tryezat e zhvilluara në Shkollën Verore, mbajtur në shtator nga projekti “Aftësi për Punë”, vunë në dukje renditjen e Shqipërisë në nivele të ulëta për sa u përket: kapitalit njërëzor dhe investimeve në këtë drejtim. Për një zhvillim në këtë drejtim, një rol të rëndësishëm kanë mësuesit.
“Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera është e rëndësishme që oferta e shkollës të përshtatet me tregun. Është e nevojshme të fitohen aftësi të përshtatshme për gjetjen e vendit të punës. Nevojitet që personi të zhvillojë aftësitë e buta. Mësuesit nevojitet të jenë të hapur me ofertën e tyre mësimdhënëse, ndërsa një rol i rëndësishëm u takon kompanivë. Ato nevojitet të investojnë tek punonjësit e tyre”, tha Gerti Boshnjaku.
Për zhvillimin e komunitetit të startup-eve në Shqipëri Gerti vlerësoi ligjin për startup-et që po punohet nga Ministria e Sipërmarrjes, duke theksuar se ka një qasje pozitive nga qeveria dhe institucionet.
Sipas tij, bazuar edhe në përvojën si sipërmarrës, ai mendon se më shumë se mbështetje nga institucionet, bizneseve u nevojitet të lihen të lirë dhe të mund të mos pengohen në projektet e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto