Mirela Sula, sipërmarrësja që bleu biznesin e saj në Londër - Business Magazine Albania

Mirela Sula, sipërmarrësja që bleu biznesin e saj në Londër


Nëse keni lexuar “Rich Dad, Poor Dad” dhe Robert Kiyosaki përgatituni të lexoni autoren me emër shqiptar të librit “Rich Mama, Poor Mama”.

Me rrugëtimin e saj Mirela Sula, tregon se është e mundur të arrini në majë, nëse fokusoheni dhe punoni me ngulm për atë që po kërkoni. Sigurisht, Mirela as nuk e mendonte atë që po bën sot, kur ishte mësuese në Lajthizë të Pukës. Por, kërkesa e vazhdueshme për më shumë, për më tej, ka shënuar një transformim të plotë tek mësuesja ambicioze që shkurante poezi.

“Think big, Go global”, është motoja e saj, të cilën që prej një viti po e vë në praktikë. Me studime të thelluara në psikologji, Mirela ka arritur të krijojë një sipërmarrje të përmasave globale. Globan Woman, nisi si një revistë në Londër dhe pak më vonë krijohen klubet e Global Woman në kryeqytetet më të mëdha të vendeve të Botës.

Në eventin “Rruga Drejt Suksesit”, Mirela Sula ishte e ftuar dhe tregoi rrugëtimin e saj që nis që në veri të vendit, Në Tiranë, në Londër dhe sot në botë.

Në një intervistë të zhvilluar me BusinessMag, pak ditë pas eventit, Mirela zbulon shumë plane të saj, këndvështrimin e saj për zhvillimin, marrëdhëniet me njerëzit dhe me suksesin.

Me skuadra pune të ngritura në disa vende, Mirela ka edhe skuadrën e saj prej 6 vetash në Shqipëri. Por, planet e saj për t’u zgjeruar krijojnë mundësinë që të rinj të apasionuar e me aftësi të mira në komunikim, design e marketing të mund t’i bashkohen projektit të saj global.

“Kam pasur disa rrugëtime. Ndonjëherë ti nuk e kupton se çfarë ke arritur deri sa vjen një moment që fillon të bësh disa llogari, duke kujtuar të gjitha hapat që ke bërë për të arritur deri këtu. Besoj që është shumë fat gjithashtu. E them gjithmonë që nuk mjafton vetëm mençuria apo puna, por ka të bëjë dhe fati dhe sigurisht që duhet të besosh në fat”.

Ajo beson në forcat e padukshme, ndaj është mirënjohëse për gjithë çfarë ka arritur.

“Ndonjëherë them që nuk është vetëm meritë e punës time të palodhur, por është edhe ndihmë e forcave të padukshme, në të cilat besoj. Pavarësisht se mund të kesh zgjuarsi, njerëz e miq të njohur, asnjëherë nuk do të arrish aty ku dëshiron pa kuptuar se kush je në të vërtetë. Cili është synimi dhe çfarë je gati të sakrifikosh për të patur atë që ti e do me çdo kusht”.

Kjo nuk ka ardhur brenda një dite. Me rritjen e saj janë rritur edhe dëshirat dhe ambicjet, duke kuptuar që qëniet njerëzore kanë një potencial të jashtëzakonshëm. Sfidat nuk kanë qenë pak, që nga fëmijëria deri në largimin e saj nga Shqipëria, por Mirela thotë se, “më kanë vlejtur sepse më kanë bërë të aftë të kuptoj nevojat e njerëzve, qëllimet e tyre dhe për t’ju përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme. Fillova të përgatis veten ndaj çdo rrethane që mund të më vijë në jetë”. Ndaj sot, nuk trembet kur përballet me sfida, pasi sipas saj, “zgjidhja mbërrin para problemit”.

Për Mirelën, hapat drejt suksesit kërkojnë që, “t’i jesh besnik asaj që do në jetë. Dhe gjatë gjithë kohës duhet të kesh vëmendje për veten dhe njerëzit rreth e rrotull teje. Por, ndonjëherë jeta nuk na jep atë që duam. Na jep atë që na duhet”.

Por, rritja ka kostot e saj. Njerëzit të mbajnë mend si dikur, ndërsa ti mund të kesh ndryshuar shumë. “Njerëzit nuk besojnë që çdokush e ka mundësinë për t’u ribërë, për t’u rikrijuar. Çështja është se kur fillon dhe trajton veten, fillon e trajton edhe njerëzit e tjerë, por shpesh njerëzit nuk janë mësuar të trajtohen në këtë mënyrë”, – thotë ajo ndërsa shpjegon ndryshimet e marrëdhënieve të saj shoqërore.

Të lësh pas të shkuarën do të thotë të lësh pas edhe njerëzit, pasi disa nuk të kuptojnë më, disa të shohin me çudi. Ndaj ajo sugjeron se nëse nuk je plotësisht i sigurtë të ndahesh nga e shkuara për të nisur diçka krejt të re, më mirë mos e nis fare atë.

Hapi i parë është të pranosh kush je, sipas Mirela Sulës, kush ke qenë dhe kush do të bëhesh. “Për aq kohë sa ti nuk pranon veten tende, nuk pranon origjinën apo substancën tënde nuk arrin dot të shkosh aty ku dëshiron. Ta pranosh veten dhe ta nderosh për atë që është. Gjithçka ka një arsye. Nuk i zgjedhim ne rrethanat tona, ka një arsye pse gjithmonë jemi aty ku jemi”, thotë ajo.

Sot kur ka marrë përsipër fuqizimin e grave në mbarë botën, përmes Global Woman, Mirela beson se, duhet të mendojmë se jetojmë në një botë që është e ekspozuar. “Nëse do të jesh i suksesshëm duhet të jesh në gjendje t’i përgjigjesh audiencës tënde me vizibilitet. Për sa kohë në mënyrë të vazhdueshme ushtron aktivitetin mendon se çdokush mund të ketë akses tek kjo. Prandaj në këtë moment nuk duhet të keni frikë. Pa socializim nuk mund të shkosh askund, prandaj mënyra se si i krijojmë marrëdhëniet, përcakton largësinë e suksesit tonë”.

Çdo hap në karrierë, i përket një faze, por vetëm kur e pa veten një qytetare globale, nisi të bëjë një rezyme të jetës së saj dhe kupton që ka ecur dhe është rrugës për ku është nisur. “Nuk ka nevojë të dish mënyrën se si do të shkosh atje. E rëndësishme është të besosh fort në atë që do”.

Mirelën e entuziazmojnë gjithmonë enigmat e gjërave të reja dhe gjithnjë pyet veten nëse po rritet. Sot ajo kërkon që Tani, përmes çdo fjale të influencojë për mirë. Nëse nuk ndryshon dot gjithë botën, të paktën ndrysho një person”, thotë Mirela.

Për fuqizimin e gruas, Mirela mendon se ka hapësira të shumta veprimi. Nuk flasim vetëm për gratë e dhunuara, për gratë pa të ardhura ekonomike.

Ajo tregoi se edhe sipërmarrëse të suksesshme që realizojnë miliona dollarë të ardhura në vit, kanë frikë dhe ndihen shpesh të pafuqishme.

Londra, vija e kthesës për Mirelën

Psikologji dhe media ishin dy gjërat me të cilat mund të merrej Mirela në Londër. Studimet për doktoraturë nuk i mundësonin një punësim me kohë të plotë. Për më tepër, nga një intervistë në zyrën e karrierës, komenti i profesorit është se Mirela ishte një person i papunësueshëm. Shqetësimi për këtë konstatim e mbyll 3 ditë në shtëpi, ku vetëm mediton. Ajo del me një ide të qartë se çfarë do të bëjë. Hap revistën e parë. “Global Woman” nis në vitin 2015 në emër të një personi, të cilit Mirela i kërkon ta hapë revistën, pasi në ato rrethana Mirela nuk mund të zhvillonte një biznes.

Lexo: Gratë fymëzohen në Konferencën e Global Women në Tiranë

“Gjithmonë ka mënyra kreative për të arritur gjënë e duhur. Duke qenë se takova njerëzit e duhur, erdhëm në këtë ide dhe i thashë që kur të jem gati unë do të ta blej biznesin”, thotë Mirela.

Njerëzit filluan të kishin interes. Kur Mirela siguron rezidencën në Londër dhe fiton të drejtat ligjore për të zhvilluar biznes, blen sipërmarrjen e saj.

“Nuk jam e para që kam arritur diçka. E them gjithmonë që kam një bankë që çdokush e ka dhe në momentin që të duhen financa aty mund të tërheqësh çdo gjë. Kjo është mendja jote”.

Si po i fuqizon gratë Mirela?

Nga studimet e saj për doktoraturë, Mirela kupton se çfarë i mban gratë e shtypura. Sipas saj, vetëbesimi i ulët dhe varësia financiare, janë dy pengesa të mëdha. “Gratë kanë frikë se po të tregojnë forcën e tyre paragjykohen dhe do të humbasin”. Pikërisht për t’u dhënë zë dhe figurë, Global Woman ka hapur sot 30 klube në të gjithë botën. Klubet po zhvillohen nga gra që paguajnë për këtë.

Mirela po frymëzon, por edhe është frymëzuar nga gra të suksesshme. Një prej tyre është Veronica Tan, Rich Mama e librit të ardhshëm të Mirelës.

Mirela thotë, “Veronica Tan është njeriu të cilit i jam mirënjohëse. Kam fatin të jemi mikesha. Mençuria e saj më ka ndihmuar shumë. E thërras Mama sepse është një figurë mëmësore, ajo i mbështet gratë më mënyrë autentike. Ajo ka krijuar një platformë globale për organizimin e eventeve, por vetë ka qëndruar pas skenës. Ajo është modeli im frymëzues dhe unë e binda që ta sjell në skenë. Kemi gati 5 vjet që bashkëpunojmë dhe e kam pasur si fener ndriçues”.

Veronica, modeste dhe pse shumë e suksesshme në biznes, e ka ndihmuar Mirelën të kuptojë shumë gjëra. “Ndaj më lindi ideja ta prezantoj për publikun si Rich Mama. Në fund të fundit, nuk është babai që mësoi djalin, por edhe mamaja. Ky është një moment revolucionar për t’u thënë grave që nuk ka rëndësi se nga vjen. Ka gjithmonë mundësi për të bërë gjëra. Ka gra që më thonë se nëse ti ke arritur ta bësh edhe unë mundem. Kjo më motivon. Kjo është arritja më e madhe”, thotë Mirela.

https://www.youtube.com/watch?v=i5NZ9iDKCQI&feature=youtu.be

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0