Klea Isakaj
Secili prej nesh është i bekuar me një talent, të cilin mundohemi ta zhvillojmë në shumë raste. Dikush di të këndojë ose të pikturojë. Të tjerë dinë të bëjnë gjëra nga më të çuditshmet. Talenti është një mundësi shumë e mirë për të gjeneruar të ardhura. Është mënyra më argëtuese për të fituar para, ndonëse edhe mund të ketë vështirësitë e saj. Rezart Hoxha, një djalë vërtetë i talentuar, e bën këtë.
Me talentin për të krijuar art të vërtetë me lapsat me ngjyra dhe bojërat e ndryshme. Rezarti vjen nga fshati Bërxullë i Tiranës dhe është djali i vetëm i familjes Hoxha, pas dy motrave të tij më të mëdha. Duke qenë i tillë ndihet tepër i përkëdhelur nga familja e tij. “Më plotësohej gjithmonë çdo dëshirë, ndoshta ngaqë isha më i vogli i familjes”, shprehet Rezarti.
Pasioni për pikturën i erdhi natyrshëm rreth moshës 12 vjeçare. “Një ditë mësuesja e vizatimit na kërkoi të vizatonim flamurin e Shqipërisë, ku unë dallova nga të gjithë moshatarët e mi. Kjo ishte shkëndija ime e parë e artit”, tregon ai. Rezarti arriti të kuptonte se ai me të vërtetë kishte talent në pikturë rreth moshës 15 vjeçare, pasi arrinte të realizonte piktura shumë të vështira dhe e karakterizonte një durim “i hekurt” për realizimin e detajeve.
Familja e tij po e mbështet për të zhvilluar talentin. Në fillim, ishin të shqetësuar. Ai shpenzonte shumë kohë për të bërë një pikturë dhe askush nuk i jepte vlerësimin e duhur. Por, pasi vendosi të prezantojë punët e tij në rrjetet sociale, interesi filloi të rritej akoma edhe më shumë. “Duke marrë shkas nga kjo, prindërit më mbështetën edhe më shumë. Unë, tashmë njihesha si piktori i vogël i shtëpisë”, shprehet Rezarti. Familja e shtyu t’i reklamonte pikturat e tij në telajo dhe ato murale e t’i shiste. “Në fakt, fillimisht unë nuk e imagjinoja kurrë që talentin tim ta ktheja në biznes, por ishin të afërmit e mi që shprehën këtë ide”, tregon Rezarti. Papritur, njerëzit filluan të interesoheshin për kostot dhe gjithmonë e pyesnin atë për punimet e reja. Për reklamimin e punës së tij, shfrytëzon: Facebook, Instagram dhe Youtube. Më parë, asnjë nuk ishte në dijeni për talentin e mrekullueshëm që ka Rezarti, deri në momentin kur ai vendosi t’i reklamojë punimet e tij. “Në Instagram, u tregoj njerëzve se si funksionon jeta ime e përditshme dhe kohën që shhpenzoj duke pikturuar. Më pas, në kanalin tim në Youtube, u tregoj njerëzve proçesin e realizimit të pikturave dhe kjo i bën ata kuriozë për të parë punimet e mia të reja”, shprehet ai.
Njerëzve u pëlqen tej mase stili i tij i të pikturuarit. Ai i kushton shumë vëmendje detajeve të një pikture, pasi siç e dimë: “Detaji bën diferencën”. Kjo teknikë bën që pikturat e tij të duken realiste.
“Kur afrohen të prekin telajon, atëherë e kuptojnë që çdo centimetër e pikturës është punuar me pasion dhe përkushtim”, tregon Rezarti. Një tjetër proçes që i lë njerëzit të “shqyejnë” sytë nga habia janë edhe pikturat murale. Ato duken tepër të pamundura për t’u realizuar për shkak të përmasave të mëdha.
Ai ka arritur të bëhet një piktor i suksesshëm duke kaluar të gjitha vështirësitë që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij të shitjes së pikturave.“Suksesi arrihet vetëm me punë dhe unë mendoj që e kam arritur këtë, sepse dikur pikturoja në shtëpi për qejfin tim, ndërsa sot pikturoj më shumë që të jem sa më aktiv në rrjetet sociale, në mënyrë që ndjekësve të mi mos t’iu bie interesi për artin që zhvilloj”, shprehet Rezarti.
Ambicia e Rezartit për të punuar fort mbi pasionin e tij meriton një duartrokitje të madhe, pasi ditët e sotme në vendin tonë, kultura e të punuarit ka rënë ndjeshëm tek rinia shqiptare. Tepër të dembelosur, preferojnë të shpenzojnë kohën e tyre për të ndenjur nëpër kafene me bashkëmoshatarët e tyre, duke mos vlerësuar përpjekjet e shumta që bëjnë prindërit e tyre për t’i bërë njerëz më të mirë për jetën. I pyetur rreth kësaj çështjeje, Rezarti thotë se, “Do i këshilloja ta provonin ëmbëlsinë e të punuarit sepse puna i ka rrënjët e hidhura, por frutin e ëmbël”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.