Projektligji i fiskalizimit është diskutuar ditët e fundit me disa grupe interesi. Pas komenteve të tyre, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, ka bërë të ditur dinamikat kryesore gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve të zhvilluar në Tiranë.
Pas konsultimeve, ministrja tha se sipërmarrjet e vogla do të kenë lehtësi, mes të cilave edhe pajisja me aplikacionin fiskal falas. Në këtë rast flitet për sipërmarrjet me xhiro deri në 2 milionë lekë në vit.
Ndërkojë, për sipërmarrjet e tjera instalimi i programit të ri do të ketë një kosto shtesë për biznesin, që vlerësohet të shkojë në rreth 5 mijë lekë.
Konsultimi publik i projektligjit është hapur me 31 korrik të këtij viti dhe është shtyrë deri në mes të muajit shtator. Deri më tani, pjesë e konsultimeve janë bërë grupe të ndryshme interesi, si shoqata e bankave, biznesi i vogël, etj.
Lexo: Përgatitet projektligji, faturat do të jenë vetëm elektronike
Drafti, i cili është hedhur për konsultim publik parashikon implementimin e një software-i të ri në kasat e bizneseve, i cili transmeton në kohë reale çdo shitje në serverin e tatimeve.
Deri më tani bizneset raportojnë xhiron e tyre në tatime një herë në ditë, kur mbyllin aktivitetin e tyre dhe shtypin kasën për të transmetuar xhiron ditore. Ligji i ri dhe aplikacioni që do të instalohet, bën transmetim direkt të informacionit për transaksionet që kryhen tek serveri i tatimeve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.