As vetë ai nuk e kishte menduar suksesin që do i sillte ngritja e një restoranti në fshatin Fishtë të Lezhës. Altin Prenga, sot drejton një nga restorantet më të kërkuara në Shqipëri nga vendasit dhe të huajt.
Mrizin e Zanave mund ta keni vizituar. Nëse jo, ua sugjerojmë.
Në intervistën e zhvilluar për emisionin Think Big, të BusinessMag.al ai rrëfen të gjithë rrugëtimin e tij të suksesit. Teksa gjërat fillojnë e “piqen” ngadalë, ti kupton se vendit tënd i mungojnë shumë gjëra. E kush më mirë se sa vendasit mund t’a bëjnë këtë. Me hapjen e Mrizit mori jetë fshati Fishtë.
Për emisionin Think Big, ai tregon se ideja ishte krejt e rastësishme. Teksa po kalonte një darkë me të vëllain në një nga zonat rurale të Italisë, në një restorant pak a shumë të njëjtë me atë që ata zotërojnë sot, i bënë njëri-tjetrit një pyetje. A mund t’a bëjmë edhe në këtë? I pari që përqafoi idenë e tyre ishte babai, mbështetja dhe shtysa e tyre më e madhe. E gjithë ideja synonte t’ju tregonte të tjerëve bukurinë e asaj zone, por zëri i këtij restoranti bëri jehonë deri tek turistët e huaj.
Vënia në funksion e idesë së vëllezërve nga fshati Fishtë, filloi në vitin 2009. Brenda një viti me një kosto jo shumë të lartë për ato vite, arritën të ndërtonin restorantin. Ai thekson se çdo gjë aty ka qenë e ricikluar dhe e përdorur, duke filluar që nga kuzhina, e deri tek të gjitha detajet e tjera. Klientela e targetuar prej tij ishte njerëzit nostalgjik ndaj fshatit.
“Në Itali nuk do t’ia kisha dalë kurrë të arrij këtë sukses, pavarësisht mikpritjes së atij vendi për shqiptarët”, thotë ai.
Por, rrugëtimi i suksesit, nuk arrihet pa u “penguar” në dështime. Kur u kthyen në Shqipëri për t’iu përkushtuar sipërmarrjes, ata janë ndeshur me paragjykimet dhe buzëqeshjet ironike të fermerëve të zonës. Diskutohej gjithmonë pjesa e të kthyerit për biznes në fshat. Por, fakti që shqiptarët kanë frymë perëndimore dhe në perëndim pjesa më e madhe janë të fokusuar tek bujqësia, e ka bërë Altinin të besojë fort, që ky biznes do të jepte rezultat. Dhe në fakt pritshmëritë janë kaluar.
Lexo: Albi Zhulali, ëndrra nuk realizohet kurrë i vetëm
Në restorant ai ka 65 të punësuar dhe të gjithë janë nga zona e tij. Stafi ka relativisht moshë të re, por prania e grave më në moshë, është më e rëndësishme sipas tij. “Prania e tyre nuk lejon humbjen e traditës”, – thotë ai. Mrizi është bërë edhe shkak për njohjen dhe martesën e disa çifteve të reja.
Pyetjes se a mundet një menaxher nga qyteti të menaxhojë një restorant të një natyre të tilë, ai i përgjigjet: “Fillimisht duhet të jesh i disponueshëm për t’u kthyer në një dashamirës të tokës, duhet të jesh edhe pak fermer, duhet ta jetosh çdo moment, të bësh këmbët me baltë, të skuqesh nga dielli, të duash tokën dhe të frymëzohesh nga natyra”.
Historia e tij ka qenë frymëzuese për shumë sipërmarrës të tjerë në zonë, ka thyer shumë tabu e madje ka qenë edhe influencuese. Stafin e tij e frymëzon në një mënyrë shumë të veçantë. “Tregojuni vizitorëve se si mund të jeni një katunar i bukur nga fshati Fishtë”.
Për të rinjtë e vendit të tij, ai ka disa këshilla:
- Bëni gjëra pa kosto të mëdha fillestare
- Shfrytëzoni mundësitë tuaja
- Nëse keni dëshirë, e gjithë Shqipëria mund të bëhet.
“Unë e kam nisur me shumë pak tentativë në Shqipëri. Të gjithë ia kemi një borxh vendit tonë, vendi yt ofron mundësi”.
Shiko videon këtu
https://www.youtube.com/watch?v=FYHdtW2qtic
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.