Ndonëse i ri në moshë dhe jeton në një qytet të pa zhvilluar ekonomikisht, ai vazhdimisht përpiqet të bëjë më të mirën e mundëshme për të rinjtë e Dibrës. Ka studiuar për psikologji në Universitetin “Aleksandër Moisiu” me studimet master në “Punë Sociale” dhe është angazhuar shumë në fushën e medias dhe të organizatave të ndryshme. Ndryshe nga të rinjtë që pasi mbarojnë studimet gjejnë një punë apo filojnë jetën në qytetet ku studiojnë, Samet Zagradi ka bërë të kundërtën. U kthye në Dibër me një mision të veçantë, të motivojë të rinjtë e vendit të tij.
Por, pse ka zgjedhur këtë rrugë? Për BusinessMag.al ai tregon se nuk e ka patur të vështirë. Duke qenë pjesë e një organizate si World Vision, rrugëtimi i tij në këtë drejtim është më i lehtë. Fakti që i njeh mirë problemet e zonës, punon çdo ditë me këtë zonë e ka edhe më të lehtë komunikimin dhe bashkëpunimin me ta. “Unë kam qenë vetë personi që kam patur nevojë për ndihmë edhe sigurisht me gjithë kënaqësinë më të madhe u gjendem pranë nevojave të tyre”. Puna me ata çdo ditë më ka bërë që kuptoj nevojat apo dhuntitë që ato kanë.
Të rinjve në Dibër, shprehet ai, u mungon motivimi dhe përkrahja, ndërsa potencali i tyre është i jashtëzakonshëm. Krahas punës që ka aktualisht ai është i angazhuar edhe në mediat online. Ai i jep një hapësirë të konsiderueshme promovimit të të rinjve, mundësi kjo që nuk u ishte dhënë më parë. Së fundi, ai ka krijuar një portal të tijin kushtuar promovimit të të rinjve dhe të resurseve të çmuara të vendit, pa u ndikuar nga askush. “Të rinjtë e Dibrës e meritojnë këtë”,- shprehet ai.
Një nga rastet ku puna e tij ka dhënë rezultatin e synuar është ai i djalit të quajtur Argjend Domazeti. Pas leximit të artikullit nga përfaqësues të sporteve në Shqipëri, sot ai është kampion në vendin tonë në sportin e Taekwondo .
Shpesh bëhet pjesë e fushatave nëpër shkolla, ku mundohet të spikasë talentet e reja dhe më pas promovon ato në portalin e tij. Kryesisht punën si motivues mundohet t’a bëjë nëpër shkolla në oraret e tyre të lira, por nuk janë të pakëta rastet kur ai del në terren me ta dhe shkëmben eksperiencat e tij duke i nxitur për të vazhduar më tej.
Udhëton në zona të ndryshme të vendit nga ato më të afërtat e deri tek më të largëtat, pa u lodhur e bezdisur aspak. Bisedon, i këshillon dhe në fund të ditës nga zyra e tij nis e shkruan artikuj për to. Ai sot drejton DibraON.com, një nga portalet më serioze dhe cilësore në Dibër, ku trajton problematikat, aktivitetet, promovimin e të rinjëve duke bërë diferencën në çdo drejtim me mediat në këtë zonë. Ideja e krijimit të këtij portali, lind nga mungesa e një dritareje serioze, ku mund të promovoheshin të rinjtë e zonës.
“Ndihem shumë mirë kur çdo ditë marr buzëqeshje nga fëmijë, të cilët prej kohesh nuk janë në qendër të vemendjes. Kur të rinjtë motivohen dhe mbeshteten është kënaqësi e dyfishtë e sidomos kur ato prekin suksesin, cilido qoftë ai”.
Objektivi i tij është, të jetë ndihmës në përmirësimin e komunitetit nga vjen dhe të promovojë vlerat unike që kjo zonë mbart.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
