Rishtas, duket sikur qetësia dhe ardhmëria kanë ngecur në një tjetër univers për kompanitë telefonike, qofshin këto fikse apo të lëvizshme. Ritmet tanimë janë kthyer në një luftë të pashmangshme përsa u përket ndryshimeve, të cilat ky sektor duhet të ndërrmarrë. Nëse do t’i referoheshim të kaluarës, si shoqëria ashtu dhe vetë aktorët e këtij sektori kanë nënvlerësuar faktorin “pajisje”, pa të cilat pjesa dërrmuese e jona nuk po mundet të jetojë më.
Në fillimet e veta, telefoni (si pajisje) as nuk ishte menduar për të qenë një mjet komunikues. Kujtojmë këtu disa nga aktorët e atëhershëm të kësaj industrie. Western Union, i cili dominonte tregun e industrisë telegrafike (fjalë aspak familjare për brezat e sotëm), sipas librit të Frances Cairncross, telefonin e kishte konsideruar si një pajisje me shumë mangësi dhe nuk mund të merrej seriozisht si mjet komunikimi.
Rreth viteve 1980, kur u prezantua telefoni i parë i lëvizshëm, AT & T parashikonte jo më shumë se 1 milion përdorues (fundja kush mund të parashikonte se përdoruesit mund të kishin në ditët e sotme nga dy-tre telefona!) deri në vitin 2000. Këto parashikime nuk lënë mbrapa gjithashtu dhe sektorin e kompjuterave, apo dhe vetë rrjetin (internetin). Themeluesi i perandorisë Microsoft mendonte se Interneti ishte thjesht një mjet ekstravagant reklamimi. Në vitin 1995 gazeta amerikane Newsweek në një artikull theksonte faktin se asnjë bazë të dhënash nuk mund të zëvendësojë gazetën e përditshme.
Anakronike apo jo, kur mendon se 17 vjet më vonë, Newsweek ndaloi botimin në letër dhe informacionin i prodhuar/ofruar për lexuesit nga kjo gazetë është i arritshëm eksluzivisht vetëm online. Lista e parashikimeve gabim vazhdon pafund në lidhje me teknologjinë.
Lexo: 5 G po vjen. A jemi të përgatitur?!
A mund të themi të njëjtën gjë për atë që po ndodh dhe këto kohëra?! Duket qartë që problemet s’janë më të njëjtat. Në ditët e sotme problemi qëndron larg këtyre parashikimeve. Ajo çfarë nuk është ende e qartë ka të bëjë me të ardhmen e këtyre kompanive. Ndryshimet rrënjësore të sjella nga hyrja në treg e telefonave inteligjentë dhe jo vetëm, nevoja për kapacitete të mëdha transmetuese, 4G (së shpejti 5G), zhvillimet e inteligjencës artificiale e të tjera risi teknologjike po trondisin themelet e kësaj industrie. Modelet e biznesit tradicional po hasin përherë e më tepër vështirësi për mbijetesë. Nga ana tjetër kompanitë telefonike gjenden mes pasigurisë të ekspozuar në një nivel tejet të lartë risku, ku çdo risi mund të rezultojë ose shkatërruese duke e çuar në ndryshime me kosto të lartë ose mundet thjesht të humbasë pa lënë gjurmë.
Së pari, fillon me sjelljen e re të konsumatorit, çfarë shton gjithmonë e më tepër presionin ndaj këtyre kompanive në ofrimin e shërbimeve qoftë kjo në cilësi apo sasi. Nga ana tjetër, gjenden ata, sfiduesit e modeleve të biznesit tradicional, gjigandët e rinj të teknologjisë (e.i WhatsApp, Viber, Skype, Amazon, etc.). Këta të fundit po ndryshojnë modelet aktuale, duke i hapur rrugën transformimit të pashmangshëm tashmë në këtë sektor. Nisur nga këto zhvillime, duke marrë parasysh gjithashtu dhe ambientin e pasigurt, në të cilin duhet që të mbijetojnë jo vetëm kompanitë telefonike, por dhe prodhuesit, investitorët, furnizuesit e sektorit, po u kërkohet gjithmonë e më shumë që të konsiderojnë asetet.
Vendimet që ata mund të marrin sot do të kenë një ndikim të madh nesër tek përdoruesit, kompanitë prodhuese si dhe në ekonomi. Ekspertët e fushës dhe analizat trandicionale e kanë pothuajse të pamundur arritjen e shmangies së pasigurisë për këtë industri, qoftë dhe minimizimin. Gjithçka ofrohet si parashikim, por konservator. Teksa parashikimi i të ardhmes është qartësisht i pamundur, ajo që ofrohet nga këta ekspertë është konsiderimi i disa skenarëve. Skenarët mund të ndihmojnë në zhvillimin e strategjisë dhe të punohet potencialisht drejt një të ardhmeje, por me rezervat përkatëse për secilin skenar.
Skenarët janë të ndryshëm, duke ofruar versione altenative, por nuk mund të jenë as parashikime dhe as strategji. Secili prej tyre “modelon” një alternative specifike, e cila duket bindëse për të ardhmen, por e ndryshme katërcipërisht nga tjetra. Peter Drucker (autor dhe themelues i ideve themelore të biznesit modern) udhëzonte në librat e tij se mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta krijosh atë. Lidhur me këtë, skenarët, të cilët rekomandohen nga ekspertët janë katër, por aspak të vetmit.
Një prej tyre rekomandon forcimin apo ri-shpikjen e mjedisit teknologjik brenda kompanive. Ofrimin në treg nga vetë kompania të produkteve inovative, të cilat prekin apo përmirësojnë përditshmërinë e konsumatorit. Duke u fokusuar në këtë zinxhir vlerash do të mund të përqasen gjithashtu dhe me kontrollin e të ardhurave si për biznesin ashtu dhe për individët. E kundërta rekomandohet me skenarin e dytë: kompanitë telefonike kthehen në shitës “shumice”, duke pasur ende kontroll mbi infrastrukturën dhe teknologjinë, por humbin kontrollin përfundimisht mbi përdoruesin fundor.
Në të tretin, kompanitë mund të jenë thjesht virtuale. Në këtë skenar marrëdhënia me përdoruesin fundor mbetet “pronë” e këtyre kompanive, ama kanë humbur lojën me infrastrukturën dhe teknologjinë. Këtë lojë e fitojnë aktorët e rinj në treg.
Në skenarin e fundit, të ashtuquajtur “markë furnizuese”, mund të largohen nga të dyja fushat e betejës si nga marrëdhënia me klientin ashtu dhe teknologjinë. Do të veprojnë në hije me përpjekjet për të gjetur një vend në treg për t’ju shërbyer kompanive inovatore të reja ne treg.
Të gjithë skenarët, ashtu sikurse theksohet më lart nuk mund të ofrojnë strategjikisht rrugën që mund të ndjekin kompanitë telefonike, por mund të parashikojnë sadopak çfarë do të ndodhë me këtë industri. Faktorët që do të ndikojnë janë si socialë ashtu dhe teknologjikë, ekonomikë, mjedisor apo politikë. Zgjedhja në fund mbetet tek vetë kompanitë dhe sigurisht investitorët e tyre!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.