Industria e librave komikë ka qenë disa herë pranë shuarjes. Nga censura politike e viteve ’50, te krizat e shitjeve në vitet ’90 e deri te shpërndarja digjitale që tronditi botën e printimit, kjo industri ka mbijetuar gjithnjë falë elasticitetit dhe shpirtit krijues të artistëve të saj. Por sot, një kërcënim i ri po troket në derë, Inteligjenca Artificiale.
Shumë artistë mendojnë se AI do të jetë goditja përfundimtare. Të tjerë, megjithë skepticizmin, e shohin si një shans për të ecur përpara.
Një teknologji që sjell shpejtësi dhe eficiencë… por me çmim
Lexo gjithashtu: Qeveria britanike prezanton robotin që dëgjon popullin, fundi i burokracisë tradicionale
Jim Starlin, legjenda që solli në jetë Thanos-in e Marvel-it, pranoi së fundmi se do të përdorë AI në një libër të ardhshëm. Ai e krahason rezistencën ndaj teknologjisë me lëvizjen Luddite që luftonte kundër makinave në epokën industriale. “Tani mund të punosh në tre projekte njëkohësisht. Ke ndihmë të pafundme,” thotë ilustratori dhe instruktori i artit me AI, Steve McDonald.
Edhe platforma e famshme WEBTOON, e cila pritet të dalë në bursë, e promovon AI si mjet për të ndihmuar krijuesit të prodhojnë më shpejt e më lehtë. Sipas dokumenteve zyrtare, mjete si pikturimi digjital apo modelimi 2D/3D synojnë të lehtësojnë barrën e punës për artistët e pavarur.
Për avokatin Gamal Hennessy, që punon me botues të pavarur, AI mund të jetë shpëtim për ata që përballen me kufizime kohe e buxheti: “Kur je një botues i vogël, nxjerrja e një komiku kërkon katërfishin e kohës që nevojitet për Marvel-in apo DC-në.”
Humbje vendesh pune dhe vjedhje pronësie intelektuale
Por jo të gjithë e shohin me optimizëm këtë zhvillim. Artistja Amy Reeder, e njohur për bashkëpunimet me Marvel dhe DC, thotë se ka humbur një punë për shkak të AI: “E kuptova nga ‘mood board-i’ që më dërguan, që ishte krijuar krejtësisht me AI.”
Frika për humbjen e vendeve të punës për shkak të automatizimit nuk është e re, por në industrinë e librave komikë ajo është e ndërlidhur me vetë esencën e zanatit. Si do të rriten artistët e rinj, nëse punët fillestare që ndërtojnë përvojën e tyre i zë AI?
Steve Ellis, ilustrator dhe pedagog, shprehet: “Studentët janë të pasigurt. Pyesin veten si mund ta përdorin AI për të mos mbetur pas.”
Edhe artistët me emër nuk ndihen të sigurt. Ata janë të shqetësuar për faktin se punët e tyre po përdoren për të trajnuar modelet e AI, pa pëlqimin apo kompensimin e tyre. Ilustratori Ben Caldwell paralajmëron se entuziastët e AI shpesh lidhen me një lëvizje anti-IP (kundër pronësisë intelektuale), që mund të dëmtojë më shumë krijuesit e vegjël se sa korporatat e mëdha si Disney.
Lexo gjithashtu: Një vend VIP në darkën kripto të Donald Trump kushton të paktën 2 milion dollarë
A ka zgjidhje? Një udhë përmes rregullave dhe marrëveshjeve
Këto shqetësime nuk janë të reja për industrinë e argëtimit. Kujtohet epoka e piraterisë së muzikës, kur Spotify dhe platformat e tjera ndihmuan që artistët të fitonin përsëri kontroll, edhe pse pagesat ishin simbolike.
Jeff Trexler, drejtues i përkohshëm i Comic Book Legal Defense Fund, thotë se ndoshta një e ardhme e ngjashme mund të ndodhë edhe për artistët vizualë. “Ndoshta do të kemi modele të licencimit të përmbajtjes për AI. Kjo mund të bëjë që krijimtaria të jetë sërish e qëndrueshme financiarisht.”
Në Comic Con-in e Nju Jorkut, në tetor 2024, avokatë të fushës organizuan një panel për të ndihmuar artistët të mbrojnë të drejtat e tyre – duke përfshirë klauzola në kontrata që ndalojnë përdorimin e punës së tyre për trajnimin e AI.
Avokati Thomas Crowell theksoi: “Kemi shumë për të bërë që të mos lejojmë që klientët tanë të hidhen me kokë në platformat që përdorin AI, pa e ditur që kjo mund t’i pengojë të fitojnë të ardhura në të ardhmen.”
Industria e librave komikë është në një udhëkryq. Midis entuziazmit për teknologjinë dhe frikës për të ardhmen, ajo ndodhet sërish në një betejë ekzistenciale. Por nëse historia na ka mësuar diçka, është kjo, artistët e komikëve kanë mbijetuar edhe më parë – dhe ndoshta do ta bëjnë sërish. Vetëm se këtë herë, betejën do ta zhvillojnë me laps në një dorë… dhe një algoritëm në tjetrën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.