Papunësia është në rënie në veri dhe juglindje të Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT rezulton se dibranët dhe korçarët janë më punëtorët. Ndërkohë që në qytete si Vlora, Lezha dhe Durrësi papunësia është më e lartë, si dhe në Tiranë ku bizneset janë të shumta rezulton e njëjta situatë.
Megjithatë, shifrat përshtaten edhe me veçoritë e njerëzve sipas zonave të caktuara, tregojnë sociologët.
“Tirana lakmohet nga të gjithë të rinjtë e Republikës dhe fatkeqësisht tregu i punësimit është shpërpjestuar. Jo të gjithë shqiptarët mund të punojnë e të jetojnë në Tiranë… çdo vit mendohet se vijnë në Tiranë rreth 70 mijë persona”, shprehet Zyhdi Dervishi, sociolog.
Vlora kryeson listën e rritjes së papunësisë me 23.5%.
Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në qarqet e Korçës dhe Dibrës ishte respektivisht, 5.1 dhe 5.3% në tremujorin e dytë, me rënie të theksuar si nga tremujori i parë dhe nga viti i kaluar.
Si në Korçë dhe në Dibër, punëdhënësi më i madh është sektori i bujqësisë. Në Dibër, 59.5% të të punësuarve numërohen në bujqësi, ndërsa në Korçë 54.4% e të punësuarve janë në sektorin bujqësor.
Por, Tirana vuan nga papunësia e lartë edhe pse rreth 60% e aktiviteteve ekonomike janë të përqendruara në këtë qark. Papunësia në Tiranë shënoi 16.6% në tremujorin e dytë të këtij viti, teksa Tirana dhe Lezha ishin të vetmet qarqe në rang vendi ku papunësia u rrit në tremujorin e dytë, teksa në të gjitha qarqet e tjera treguesi shënoi ulje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.