Prej muajsh një kilogram patate në pikat e shitjes së perimeve tregohet me rreth 90 lekë, ose 50% më shtrenjtë se e njëjtja periudhë e një viti më parë.
Reshjet e shumta të shiut patën paralajmëruar dëme në prodhimin e kulturave të mbjella në pranverë. Vetë fermerët raportonin se dëmi më i madh në bujqësi ishte shtyrja e të mbjellave.
Tashmë kur ka kaluar gjysma e vitit, shirat që sollën më shumë prodhim të energjisë elektrike, e një blianc më të mirë të Shqipërisë në eksporte, tregojnë se bujqësinë nuk e kanë favorizuar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, sipërfaqet e mbjella në gjysmën e parë të këtij viti, janë më të ulëta për patatet, misrin, foragjeret e perimet e fushës.
Sipas këtyre të dhënave, sipërfaqja e mbjellë me patate ishte 9.7 mijë hektarë, rreth 5% më pak se një vit më parë. Me gati 5% u tkurr edhe sipërfaqja e mbjellë me perime në fushë të hapur, ndërsa serat nuk patën luhatje. Perimet e mbjella në fushë këtë vit arrijnë në 28.7 mijë hektarë.
Mbjelljet e kufizuara krahasuar me një vit më parë, kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të disa kulturave bazë. Krahas patates, edhe domatet, trangujt e bishtajoret kanë një çmim më të lartë se vjet.
Por, nuk përjashtohet mundësia e rritjes edhe më vonë të çmimit tek prodhimet shtazore. Drithërat dhe foraxheret e mbjella shënuan ulje të dukshme, çka paralajmëron më pak lëndë të parë për bagëtinë. Ministria e Bujqësisë raporton për Businessmag.al se sipërfaqja e mbjellë me misër këtë vit është gati 54.5 mijë hektarë, ose rreth 5 % më pak se një vit më parë.
Për foragjeret, sipërfaqja e mbjellë është gati 10% më pak se një vit më parë (50.7 mijë hektarë).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto

