Bashkia e Tiranës ka lançuar projektin “Bibliotekat e Lagjeve si Qendra Multifunksionale” me qëllim rritjen e frekuentimit dhe vëmendjes së qytetarëve ndaj bibliotekave.
Ky projekt, i cili konsiston në përdorimin e ambienteve të bibliotekave nga organizata jofitimprurëse parashikon shtimin e qendrave rinore dhe hapësirave multifunksionale për të rinjtë e Tiranës si dhe zhvillimin e ideve kreative dhe inovative.
Formimi i të rinjve duke i larguar nga fenomenet negative si duhani, bullizmi apo droga është edhe një ndër objektivat kryesorë të këtij projekti që do të vijë si një bashkëpunim i Bashkisë së Tiranës me organizatat jofitimprurëse.
Për t’u bërë pjesë e projektit, të gjitha organizatat jofitimprurëse mund të aplikojnë pranë Bashkisë së Tiranës përmes një formulari aplikimi. Këtë të fundit mund ta shkarkoni nga faqja zyrtare e Bashkisë në adresën www.tirana.al.
Ndërkohë, të interesuarit duhet të plotësojnë një sërë kriteresh për të aplikuar, që përfshijnë:
1- Formularin e aplikimit të plotësuar në mënyrë të plotë dhe të saktë (të firmosur dhe vulosur);
2- Projekt Propozimi dhe kalendarin e aktiviteteve duhet të parashikojnë periudhën një vjeçare;
3- Vendimi i Gjykatës, Statuti i Shoqatës, Akti i themelimit dhe NIPT (Kopjet, duhet të jenë të noterizuara), Vërtetim për statusin e aplikuesit e tërhequr tek e-Albania;
4- Vërtetim nga Gjykata, që Shoqata, Fondacioni, nuk është në proces falimentimi apo likuidimi.
5- CV e organizatës
6- Dokument identifikimi i aplikuesit ( fotokopje e kartës ID të Drejtuesit Ekzekutiv të shoqatës)
Kohëzgjatja e projekt-propozimeve është parashikuar të jetë 12 muaj, ndërsa 30 prill 2018 është edhe afati i fundit për dorëzimin e tyre pranë Protokollit të Bashkisë së Tiranës. Projekti parashikon shtrirjen në bibliotekat e lagjeve në të gjitha Njësitë Administrative të Bashkisë së Tiranës.
Bashkia e Tiranës gjatë muajve të fundit po investon për restaurimin e bibliotekave në lagje, duke i kthyer ato në hapësira me pamje moderne.
/Scan
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.