Biznese e ekspertë në debat për deeuroizimin

Biznese e ekspertë në debat për deeuroizimin


Konfindustria e ka cilësuar jo profesionale nismën e Bankës së Shqipërisë për kufizimin e përdorimit të monedhës europiane, e cila sipas saj përkon me zhvlerësimin e fortë të euros kundrejt lekut në masën 0.14 lekë brenda një dite. Sipas administratorit të Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, “kjo lë të hapur mundësinë për spekulime financiare në dëm të interesit publik dhe përfitime kryesisht të kompanive të huaja, që transferojnë fitimet vjetore jashtë vendit”.

Duke u shprehur kundër vendimit të Bankës së Shqipërisë për kufizimin me ndërhyrje rregullatore-administrative të përdorimit të monedhës “euro”, Konfindustria thekson se kjo po bëhet në kushtet e mungesës së plotë të raporteve kosto-përfitim që do të prodhohen në ekonominë kombëtare në afatgjatë.

Sipas njoftimit zyrtar të Konfindustrisë, ndërhyrjet institucionale me mënyra jashtë tregut të lirë në dobësimin e sforcuar të monedhës “euro” dhe të pashoqëruara me masa mbështetëse, rrezikojnë të godasin kategori të gjëra të prodhimit vendor dhe të favorizojnë grupe të caktuara importesh.

Lexoni: https://businessmag.al/pse-dhe-si-planifikohet-ulja-e-perdorimit-te-euros/

Brenda ekonomisë kombëtare më të rrezikuara, sipas Konfindustrisë, janë sektorët e agroindustrisë, kategori të caktuara eksportesh dhe qytetarët e varur nga remitancat. Në të njëjtën kohë ulet aftësia konkurruese për të tërhequr investime të huaja, vëren Konfindustria.

Më parë, Kreu i Shoqatës së Eksportuesve Alban Zusi, është shprehur se, “përpjekjet për të ulur përdorimin e euros në ekonomi do ta zhvlerësojnë monedhën me të cilën kryhet i gjithë aktiviteti eksportues”. Zusi ka theksuar se është e nevojshme të bëhet i ditur i gjithë plani për deeurozimin, pse bëhet, cilat janë kostot që kanë bankat duke mbajtur transaksione në euro dhe cila do të jetë vlera e euros në raport me lekun, pas këtij procesi. Eksportet do të ishin të goditura, nëse euro zhvlerësohet, sipas tij.

Nga ana tjetër, ekonomistë, ekspertë të sistemit bankar vlerësojnë se sipërmarrjet duhet të ishin përgatitur për të shmangur efektet e kursit të këmbimit.  Elvin Meka, thotë se, tregjet e zhvilluara prej kohësh përdorin në transaksionet e eksport-importit produktet derivate (futures, forwards, options, swaps), pikërisht për të minizuar rrezikun e kursit të këmbimit dhe atë të tregut”.

Kundërshtitë e sipërmarrjes, Meka i krahason me ato të konsumatorëve. “A mund të protestojnë konsumatorët shqiptarë kur zhvlerësohet Leku dhe pasurohen eksportuesit, thjesht nga mekanizmi i kursit të këmbimit? Fakti që biznesi shqiptar nuk i përdor këto instrumente të thjeshta mbrojtës nuk i jep atij të drejtë të pretendojë mosmarrjen e masave de-euroizuese, me pretendimin se dëmtohemi nga efektet zhvlerësuese të euros”. Sipas Mekës, në 25 vite i vetmi angazhim që ka pasur biznesi shqiptar ka qenë ai i transferimit të rrezikut të kursit të këmbimit direkt te konsumatori, duke mos mbajtur asnjë kosto mbi vete.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0