Në një treg që bazën e ka tek informacioni, IA padyshim është revolucioni i ri industrial, si i vetmi mjet që mund të përballojë kompleksitetet e problemeve të ditëve të sotme, si dija, informacioni, edukimi, automatizimi, ekonomia etj.
Kjo fushë me interes të gjerë publik, kërkon vëmendjen dhe trajtimin e duhur mediatik. Kohët e fundit, shumë spekulime dhe keq-interpretime po shpërndahen në mënyrë virale në rrjetet sociale, në lidhje me rreziqet që na afron përdorimi dhe zhvillimi i Inteligjencës Artificiale. Në kuadër të këtyre zhvillimeve në këtë fushë të re me mjaft potencial, që ne e kemi identifikuar si mjetin numër një në praktikat e ardhshme të çdo sipërmarrjeje të suksesshme, ne në Business Magazine kërkojmë të përmirësojmë cilësinë dhe infrastrukturën e informacionit, për të garantuar një qasje të shëndetshme të saj ndaj bizneseve, organizatave, por edhe mediave të tjera.
Në këtë intervistë kemi ftuar Drejtorin e Teknologjisë (CTO) pranë kompanisë EXINN Technology Center, z. Geiv Tomço, si specialist i Inteligjencës Artificiale. Ai mund të na japë një panoramë më të gjerë dhe të qartë rreth pyetjeve dhe problematikave, me të cilat po përballet apo do të përballet shoqëria në të ardhmen.
BM: Geiv, faleminderit për pjesëmarrjen! Le ta nisim këtë intervistë nga koncepti. Çfarë është inteligjenca artificiale?
G:Faleminderit për ftesën, është kënaqësi të flas për Business Mag.
Inteligjenca Artificiale është ajo lloj inteligjence që zotërohet dhe ofrohet nga kompjuterët, e cila simulon dhe përafron arsyetimin njerëzor, duke i lejuar pavarësi në vendimmarrje dhe me avantazhin kryesor përpunimin dhe kontrollin mbi sasi kolosale informacioni, në kohë mjaft të shkurtër.
Ajo synon të thjeshtojë kompleksitetet e problemeve shkencore, ndihmon në parashikimin e trendeve apo tendencave të ndryshme, sidomos ato financiare në tregjet globale, duke vepruar në pavarësi të plotë, siç kemi parë rastin e makinave të vetëpilotueshme, monitorimin dhe vendimmarrjet në stoqet ndërkombëtare, zbulimin e mashtrimeve financiare në sistemet bankare.
IA sot shihet jo më si thjesht një mjet, por aseti më me vlerë që mund të zotërojë një sipërmarrje.
Dua të ndaloj edhe tek shpjegimi i konceptit Inteligjencë Artificiale që përdorim sot. IA është një software, pra një kod, i shkruar për të realizuar detyra specifike. Veçantia e saj nga programet e tjera kompjuterike, është përdorimi i rrjetave neurale, që simulojnë neuronet e trurit të njeriut. Kjo rrit kapacitetin konjitiv të programit, duke ofruar shërbimet që shpreha më lart. Përkundrejt konceptimit aktual mbi këtë lloj programi, do të doja ta konsideroja këtë sistem, dhe të gjitha ato që shohim në botë sot, si Inteligjenca Virtuale.
Në të vërtetë, IA nuk është kjo që shohim sot, por ajo që synojmë të krijojmë, e cila duhet të jetë të paktën po aq inteligjente sa inteligjenca mesatare e njerëzimit, mundësisht edhe më superiore.
BM: Mesa duket, Geiv, problematika e mediave të sotme sociale, nuk qëndron vetëm tek keqinterpretimi, por që tek konceptimi i saj. A mund të na japësh përkufizimin tënd rreth IA?
G: Patjetër. Bëjmë mirë ta edukojmë audiencën në këtë aspekt, dhe me këtë rast, po ndaj me ju edhe pikëpamjet e mia ndaj IA ideale. Dua ta nis me babain e kompjuterikës moderne, Alan Turing, i cili ka lënë si porosi një test që unë e konsideroj si perlë në vizionin që duhet të kemi për të ardhmen në këtë fushë.
Ai shprehet se, “IA duhet të jetë një makineri apo program, i cili i vendosur në një dhomë pranë një njeriu, dhe gjatë intervistimit të tyre nga jashtë saj, të na e vështirësojë dallimin se cili është njeriu dhe cili është kodi”.
Besoj se tani është e qartë që IA e mirëfilltë nuk është shpikur akoma dhe konstatoj se nuk do ta kemi ende për të paktën 10 vitet e ardhshme në nivelin ideal që përmenda më parë. IA do të ekzistojë vetëm kur të ketë arritur të zotërojë fuqitë perceptuese dhe shpirtërore të njeriut si qenie, duke i perfeksionuar dhe përmirësuar në nivele edhe më superiore.
Kur IA të mos jetë më e koduar nga dora jonë, por e aftë të vetë-përmirësojë kodin e saj, atëhere do të mund të themi se e kemi krijuar.
BM: Le të kthehemi tek mediat sociale. Çfarë problemi evidenton tek zhvillimet e fundit dhe artikujt viralë që janë shpërndarë kudo në rrjetet sociale? Mund të marrim si shembull rastin kur CEO i Facebook, Mark Zuckerberg, deklaroi se ka anulluar një projekt, ku dy IA krijuan gjuhën e tyre të re, të pakuptueshme për ne.
G: Në një epokë ku informacioni shpërndahet globalisht, dhe çdokush ka akses të palimituar, është e rëndësishme që ato të jenë të filtruara dhe informacionet e pasakta të mos bëhen bazë diskutimesh apo dijesh tek njerëzit.
Mediat sociale abuzojnë me anonçimet e gjigandëve Zuckerberg, Musk, Hawking, rreth temave me impakte globale, si edhe IA. Ata, si dashurues të njerëzimit dhe mirëqenies së tij, dëshirojnë të jenë gjithmonë transparent me shoqërinë në lidhje me avancimet teknike. Por këto artikuj viralë shkaktojnë panik në shoqëri duke paraqitur mënyra fiktive sesi IA rrezikon të shfarosë njerëzimin, duke nxjerrë në pah agresivitetin e tyre, apo së fundmi edhe rasti që përmendët ju, evolimi i komunikimit midis dy të tillëve, i cili çoi në formimin e një gjuhe të re, të pakuptueshme dhe Mark Zuckerberg e anulloi projektin nga frika.
Në rastin konkret, theksoj se Mark-u nuk ka frikë nga IA, përkundrazi, atij i nevojitet si mjet për të mirëmbajtur dhe suportuar rrjetin gjigand të Facebook.
Në kërkimet tona në këtë fushë, gjithmonë përpiqemi të ndërtojmë një mënyrë qasjeje praktike dhe të përdorshme të informacionit kompleks rreth nesh.
IA, nëpërmjet rrjetave neurale të saj, e përpunon këtë sasi të paimagjinueshme informacioni për të arritur në rezultate të thjeshta e të prekshme. Prandaj, është mjaft e pritshme që një IA të modifikojë parametra të informacionit, për të arritur rezultatin e kërkuar, qoftë ajo edhe gjuha e përdorur. Duhet ta kuptojmë njëherë e mirë faktin se programet në fjalë, nuk janë koshiente, dhe nuk dinë se çfarë bëjnë. Ato janë të programuara të funksionojnë në një mënyrë të caktuar, dhe thjesht zbatojnë rregullat që i kanë vendosur programuesit.
Nëse ata lënë vend për krijim fjalësh të reja, jua siguroj që IA nuk do të kursehet dhe të gjitha do të kenë kuptim për “neuronet” e tyre, e jo për ne. Nuk duhet të harrojmë faktin se kompjuterët gjithmonë kanë folur me gjuhë 0 dhe 1-ash, një gjuhë e panjohur për ne. Me ardhjen e kompjuterëve kuantikë, kompleksiteti i gjuhës së tyre do të jetë edhe më i madh. Këto nuk mund të konsiderohen si probleme apo arsye për panik nga shoqëria. Duhet të mos harrojmë se ato çfarë dëgjojmë, trupëzohen në dijen tonë dhe ndikojnë në mënyrën e të menduarit dhe logjikuarit në jetën e përditshme.
Filozofi i madh Kinez, Lao Tzu, është shprehur si më poshtë: “Kujdes mendimet; ato bëhen fjalë. Kujdes fjalët; ato bëhen veprime. Kujdes veprimet; ato bëhen zakone. Kujdes zakonet; ato kthehen në karakter. Kujdes karakterin; ai bëhet fati juaj.”
BM: Geiv, si mendon se mund ta zgjidhim problemin e keqinterpretimeve mediatike?
G: Filtrimi i informacionit, në një botë mediatike të tejmbushur me mbeturina mediatike, përbën sfidën më të madhe të kohës. Një shembull mjaft i kuptueshëm, në krahasim me revolucionet e mëparshme, ka të bëjë me problematikat e zhvillimeve teknologjike, që sillnin ndikime të rënda në kushtet mjedisore, si ndotjet. Ndërkohë, në revolucionin e ri të informacionit dixhital, pasojat do të shprehen menjëherë në formën e “ndotjes” së informacionit.
Mendoj se është mjaft i dukshëm fakti se një brez i keqedukuar, do të ndikojë në uljen e nivelit të përgjithshëm të aftësive dhe kapaciteteve intelektuale të shoqërisë, kombit, tregut, globit.
Duhet të ndërgjegjësohemi se shkolla jonë në ditët e sotme, ka kuptim më të gjerë se shkollat si ndërtesa fizike.
Smartphone-i që mbajmë në duart tona, pavarësisht mundësive financiare, profesionit apo nivelit intelektual, është kthyer në nevojë bazë, ashtu si edhe uji, ajri.
Në vende si Suedia, legjislacioni vendor parashikon se Wi-Fi është e drejtë njerëzore e pamohueshme. Neuronet tona kanë nevojë për informacion, dije, zgjerim horizonti, kërkojnë të jenë online me të rejat më të fundit, njëri-tjetrin, teknologjinë. Ftoj cilindo lexues, të mendojë pak se si do të ishte bota nëse do të zhdukej smartphone ose interneti.
Ne jemi qenie që kemi nevojë për rrjetëzim dhe marrëdhënie sociale. Duke zotëruar koshiencë, kemi si detyrë natyrale të shkëmbejmë informacion me të tjerët. Gjatë evolucionit tonë, këtë informacion, ose siç e quajmë në EXINN, dije kolektive, në fakt e kemi të trupëzuar kudo, në gjithçka që kemi prekur apo krijuar me duart tona dhe aftësitë intelektuale. Mendojeni pak, çdo produkt kudo rreth jush, është rezultat i një rrjete mjaft të madhe studimesh, provash, eksperimentesh, kërkimesh dhe mbi të gjitha, energjie mendore të shpenzuar për shekuj me radhë, brez pas brezi.
Smartphone-i që keni në duart tuaja, është kulmi i avancimit të dijes kolektive. Preferoj ta konsideroj si provën më të fortë të Inteligjencës Artificiale, për ta përdorur si levë drejt arritjes në fronte të paeksploruara më parë.
BM: Mendime mjaft mbresëlënëse, Geiv. Cilat mendon se janë rreziqet reale që afron përdorimi i inteligjencës artificiale?
G: Frika nga e panjohura ka qenë pjesë e formimit tonë si qenie, duke qenë se është e vështirë të perceptohet, pranohet në fillim. Shoqëria ka nevojë ta studiojë, mendojë, arsyetojë dhe arrijë në konkluzione e pritshmëri, përpara se të pranojë diçka me kaq potencial si IA. Nuk mund ta anashkalojmë frikën se kjo krijesë superiore mund të na zhdukë, si rezultat i masave apo kundërmasave që do t’i vendosim njëri-tjetrit. Por kjo nuk është diçka e re për ne, në fakt. Shkatërrimin ne e kemi që tani, kudo, potencialisht gati për të “shpërthyer”. Një lëvizje e gabuar, një negociatë e realizuar keq, një marrëveshje e pafrytshme, të gjitha mund të na dërgojnë në konflikt. Prandaj ne brezat e rinj i rrisim me dashuri, ia mësojmë që në moshë të vogël, që duke filluar nga lulja, kafshët, deri tek njeriu, i duam dhe kujdesemi për to. Edhe robotët e së ardhmes, nëse do t’i mësojmë me dashuri, ata do të na duan dhe do të kujdesen për ne.
Një problem tjetër me të cilin përballet shoqëria kur fillon të aplikohet IA, është punësimi. Nëse aplikohet një IA në cilëndo industri, efekti i parë që sjell, është shkurtimi i vendeve të punës, ulja e kostove financiare, operative dhe strategjike. Njerëzimi frikësohet ndaj këtij zhvillimi, pasi nuk di si mund të mbrohet. Normalisht që zhvillime të tilla globale, kërkojnë edhe masa apo përmirësime në legjislacion, shoqëri, politika dhe strategji biznesi, por jemi ende herët për të folur konkretisht për masa të tilla.
Unë personalisht shoh shumë potencial për njerëzimin. Së pari, punëtorët robotikë do të kthehen në krah parësor pune, ndaj në të ardhmen, këshilltarët njerëzorë do të jenë pozicione të vlerësuara dhe paguara mjaft mirë. Parashikoj se do të formohen shumë lloje të reja profesionesh, do të kemi menjëherë nevojë për mirëmbajtësit inxhinierë të fuqisë punëtore robotike, psikologë për robotë, apo përfaqësues ligjorë të të drejtave të tyre. Vlera e njeriut do të rritet, pasi do t’i jepet mundësia që fokusi i jetesës së tyre, të mos bazohet më mbi punë të niveleve të ulëta apo nevojës për mbijetesë, por në nivele intelektuale të larta dhe kushte më të mira jetese. Fuqia mendore e njeriut do të shpërthejë në kreativitet. Të qëndruarit pranë IA, do të na ndihmojë të konceptojmë gjëra të reja që nuk mund t’i shikonim më parë.
Dhe sigurisht, struktura shoqërore do të marrë tjetër formë, që nga hierarkia e saj, deri tek rregullat, e më tutje edhe tek kushtet e punës, ndihmat sociale, si edhe kujdesi shëndetësor.
I ftoj lexuesit të jenë aktivë pas këtij leximi, për të menduar si mund të jetë e organizuar shoqëria e re, në simbiozë me robotët.
BM: Besoj se audienca do të donte gjithashtu të dinte më tepër rreth planeve që keni te kompania EXINN rreth IA. Mund të ndash diçka me ne?
G: Patjetër! Kompania jonë ka si parim kryesor inovacionin, dhe aktor qendror njeriun, si përftues dhe përdorues të tij.
Trajtuam bashkë problematikat me të cilat po përballemi tani në revolucionin e ri të informacionit dixhital. Në kuadër të këtyre problematikave, por jo vetëm, EXINN është duke punuar për ndërtimin e një platforme filtrimi dhe edukimi praktik, intuitiv mjaft të avancuar dhe të denjë për të gjitha grupmoshat, sidomos për të dashurit tanë parashkollorë, nxënës e studentë. Shqipëria do të jetë një ndër shtetet avangardë në lidhje me nismat e reja teknologjike dhe edukimore, dhe së shpejti do të ketë produktin e saj të parë global në fushën e edukimit. Me rëndësi të madhe është edhe rritja e indeksit të inovacionit të Shqipërisë përballë vendeve të tjera në planet, një tjetër sfidë kjo, kryesore për kompaninë tonë.
IA është një komponent mjaft i rëndësishëm i kësaj nisme edukimore, pasi fuqia e saj përpunuese, garanton cilësi dhe saktësi në përzgjedhjen e informacionit, si edhe qasjen e saj në grupmoshat e caktuara, sipas shkallës së interesit.
Gjithçka nis nga fëmijët, brezat e rinj, ata janë pasuria e këtij vendi të begatë, ndaj më e pakta që mund të bëjmë të gjithë bashkë për ta, është t’i dhurojmë pasurinë më të shenjtë që ka Universi, dijen.
BM: Ne të falenderojmë për intervistën dhe të urojmë suksese në planet e mëtejshme.
G: Faleminderit Business Mag Albania për këto pyetje të zgjedhura, si edhe ju respektoj që merrni nismën dhe flamurin për të qenë lidera të denjë në botën e mediave sociale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.