Ai është ndër personat që ka vënë në dukje mungesën dhe nevojën e bursës prej kohësh duke argumentuar se është një zhvillim që duhej tashmë të kishte ndodhur në vend.
Tek Business Magazine, ne kemi dëshirë të informojmë saktë dhe qartë audiencën që na ndjek çdo ditë. Duam që nëpërmjet informimit të përcjellim materiale edukuese për secilin segment të saj, ku bëjnë pjesë të rinj që kanë një ide biznesi, drejtues biznesi në fazat e para apo të mesme, profesionistë në karrierë në shkallë të ndryshme si edhe CEO korporatash apo menaxherë të lartë.
Ndaj ne fillojmë nga pyetjet më të thjeshta dhe drejt e në thelb, për ti dhënë lexuesve pasqyrën më të kthjellët mbi hapjen e një tregu privat të kapitaleve në Shqipëri.
Intervistoi: Gerti Boshnjaku
GB: Çfarë do të thotë hapja e bursës për biznesin?
EM: Bursa për biznesin nënkupton një alternativë efikase për sigurimin e fondeve në sasi të konsiderueshme, me qëllim financimin e projekteve afatgjata të zhvillimit të biznesit të tyre. Gjithashtu, nënkupton dhe një matje, apo vlerësim të ecurisë së tyre, jo vetëm në mënyrë periodike, por dhe të përditshme, si dhe një marketing i përditshëm për publikun e gjerë dhe për atë investues në letrat e tyre me vlerë.
GB: Si do të funksionojë?
E.M: Deri më tani nuk ka shumë detaje mbi funksionimin në praktikë të këtij tregu, por e sigurt është që do të ndjekë modelet aktuale të platformave elektronike, që përdorin dhe shohim rëndom sot në të gjithë bursat në botë.
Nga pikëpamja teknike thuajse të gjithë bursat funksionojnë sipas metodës së ankandit dhe sistemit “order driven” (të drejtuar nga porosia). Nisur nga stadi i zhvillimit të sistemit financiar në Shqipëri, gjykoj se fillimisht do të synohet që të sigurohet tregu dytësor i titujve qeveritarë dhe në një të ardhme të afërt, obligacionet e korporatave. Gjithsesi, kjo e fundit mbetet ende në kufijtë e sfidës dhe “TO DO LIST”, pasi Shqipërisë i mungojnë ende kapacitetet institucionale për të siguruar pastrimin dhe rregullimin (shlyerjen) e transaksioneve në tituj borxhi të shoqërive private (institucioni që do të mbajë regjistrin e obligacioneve dhe depozituesi i obligacioneve, që mundëson dhe garanton shkëmbimin e njëkohshëm të këtyre titujve dhe parave mes blerësit dhe shitësit).
Lexoni: Hapja e bursës, një hap i madh për tregun financiar
GB: Cilat janë kompanitë që mund të jenë të interesuara? Kompani të mesme apo të mëdha?
EM: Natyrisht shoqëritë më të interesuara për të përdorur dhe aksesuar bursën janë shoqëritë e mëdha, por në një masë të vogël edhe ato të mesme. Duhet të jetë e qartë se bursa nuk është “bukë për çdo lloj dhëmbësh” dhe përgjithësisht është domain i korporatave, apo biznesit të madh. Mendoj se biznesi i madh do të jetë aplikanti kryesor dhe i parë në listën e kuotimit të bursës.
GB: Cilët sektorë janë më të interesuar për këtë? Kujt i shërben Bursa Shqiptare e Titujve?
EM: Si sektorët më aftër bursës janë: manifaktura (prodhimi), telekomunikacioni, shërbimet financiare, ato hospitaliere, transporti, tregtia me shumicë dhe teknologjia.
GB: Cilat janë përfitimet direkte dhe ato indirekte?
E.M: Nëse flasim për përfitime, ato janë të shumta, si për emetuesit (bizneset, qeveritë), ashtu dhe për publikun investues.
Nëse flasim për rolin e bursës, mund të themi se prania e saj:
(1) krijon një mekanizëm për shoqëritë aksionare, qeveritë (qendrore dhe vendore), për të emetuar letra me vlerë, me qëllim sigurimin dhe grumbullimin e fondeve,
(2) u mundëson investuesve të blejnë e shesin letra me vlerë, të emetuara më parë në tregun parësor d.m.th. të kthejnë në cash investimet e tyre. Gjithashtu, ekzistenca e bursës siguron, ndër të tjera, edhe përparësitë e mëposhtme:
- Lejon dhe nxit konkurrencën midis instrumenteve të ndryshme, brenda sistemit financiar midis bankave dhe ndërmjetësve financiarë jo-banka.
- Lejon ndarjen e rrezikut mbi baza individuale.
- Ofron instrumente të tillë financiarë që nuk rrezikohen nga mos-rakordimi i flukseve (rrjedhës) së parave.
- Nxit zhvillimin ekonomik.
- Nxit zhvillimin e institucioneve dhe skemave afatgjata të kursimeve.
GB: Për ekonominë e vendit, çfarë impakti do të sjellë hapja e bursës?
Sigurisht nuk duhet të krijohet iluzioni që hapja e bursës do të jetë shkopi magjik që do verë në lëvizje të përshpejtuar ekonominë. Roli i saj duhet kuptuar në drejtim të ofrimit të mundësive për sigurimin e fondeve me afate të gjata maturimi për biznesin, si dhe një alternativë investimi për kursimet e publikut, përtej sistemit bankar dhe aktiveve të tjera që ekzistojnë në ekonomi.
Për të përkufizuar më mirë rolin e bursës në ekonomi dëshiroj t’ju sjell paragrafin e fundit që Baier, Dwyer dhe Tamura, shkruajnë në artikullin e tyre:
“Does Opening A Stock Exchange Increase Economic Growth?” 2003: “…pengimi apo frenimi i funksionimit të bursës së kapitaleve është një rrugë e mirë për të zvogëluar rritjen ekonomike”!
GB: Në vende të ngjashme me tonat, nga rajoni për shembull, a janë operative bursat? Nëse po, në mënyrë të suksesshme apo jo? Cilat janë “Pro dhe kundra” që mund të cilësojmë?
EM: Duhet theksuar se, përveç hapësirës shqiptare, (Shqipëri dhe Kosovë), çdo vend tjetër e ka të paktën një bursë funksionale prek kohësh (të paktën mbi 17-18 vjet më parë).
Nëse flasim për sukses, së pari duhet rënë dakord se çfarë quajmë sukses dhe cila është njësia matëse e tij. Meqenëse janë ende në funksionim kjo do të thotë se nga pikëpamja e funksionimit dhe shërbimit që kanë ofruar, ia kanë dalë të jenë efikase në shërbim të atyre interesave apo grupeve të interesit për të cilin janë krijuar.
Patjetër që nuk mund të flitet për një ndikim të këtyre bursave në jetën ekonomike të këtyre vendeve të krahasueshme me bursat europiane dhe ato amerikane, por gjithsesi ato ia kanë dalë të jenë pjesë sado modeste e sistemit të tyre financiar, duke dhënë një kontribut dhe në thellimin e këtij sistemi.
Për sa i përket aspektit elementëve PRO ose KUNDRA, si për çdo gjë, do të ketë aspekte pozitive por dhe negative dhe këtu një rol të madh në minimizimin e efekteve negative merr rregullimi dhe mbikëqyrja e përshtatshme e tregut, funksionimi etik dhe eficient i tij, si dhe edukimi i vazhdueshëm i publikut.
—————————————————————
Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka është Zv.Rektor për Procesin Akademik dhe Përgjegjës i Departamentit të Financës në Universitetin Europian të Tiranës dhe njëkohësisht kryeredaktor i Revistës “BANKIERI”, botim i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Elvin Meka ka një eksperiencë mbi 16 vjeçare në fushën e tregjeve financiare, letrave me vlerë dhe bankave në Shqipëri. Gjatë karrierës së tij profesionale ka punuar pranë disa institucioneve si: Banka e Shqipërisë (Departamenti i Emisionit, Divizioni i Operacioneve Monetar dhe, Departamenti i Bursës së Tiranës), Bursa e Tiranës sh.a. (Drejtor i Përgjithshëm), Shoqata Shqiptare e Bankave – AAB (Sekretar i Përgjithshëm) dhe Banka Emporiki – Shqipëri (Drejtor Financiar-CFO). Aktualisht është anëtar i bordit editorial të Revistës shkencore “ECONOMICUS”, të Fakultietit Ekonomik të UET.
/BusinessMag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.