Abedin Pasha Dino, krijuesi i parë i Bursës së Stambollit

Abedin Pasha Dino, krijuesi i parë i Bursës së Stambollit


Shkrim nga Laurant Bica.

Cili ishte Abedin Dino? Ç’përfaqëson detyra e tij si Komisar i Bursës së Stambollit? Ç’është vepra e tij “Lojrat e Ajrit” dhe së fundi, Bursa e Shqipërisë dhe Integrimi në BE? Natyrisht duke trajtuar këto çeshtje ne do të tregojmë kualitetet e këtij personaliteti si rilindas dhe si ekonomist, nevojën e studimit të mendimit ekonomik shqiptar dhe shkruarjen e historisë së tij, gjendjen e bursës në kohën e sotme në Shqipëri dhe së fundmi studentëve e kuadrove të reja të fushës së ekonomisë u del si detyrë që në të ardhmen të zgjedhin e realizojnë tema masterash apo doktoratash edhe nga fusha e Historisë së Mendimit Ekonomik.

Shqiptar siç ndodh edhe në vende të tjera të botës, duke filluar që nga vendet fqinje të Ballkanit kanë kaluar plot 25 vjet nga koha kur shkruajta dhe botova në gazetën “Çamëria” në numrin e dytë të saj një artikull shkencor për rilindasin Abedin Pasha Dino, si patriot dhe personalitet poliedrik i kombit tonë. Dhe tani erdhi rasti të ndalemi në një drejtim të panjohur më parë, dimensionin e tij si një nga ekonomistët më të zot që ka pasur Perandoria Osmane si dhe një nga figurat më të shquara të Historisë së Mendimit Ekonomik Shqiptar. Sigurisht nuk është i vetmi. Po të doja të veçoja disa figura eminente para tij, bashkëkohës apo që erdhën më pas, mund të përmendja: Kryeministrin osman Ajaz Pashën, Këshilltarin e tre katër sulltaneve osmane, Mustafa Koçi Bej nga Korça, Mehmet Frashërin, vëllanë më të vogël të Frashërllinjve të Mëdhenj, ish Drejtor i Përgjithshëm i Doganave të Libanit, në fund të shekullit të19të, kur Rilindasi Pashko Vasa ishte guvernator i kësaj province osmane, njeri me kulturë gjermane.

Po të vijmë në kohën tonë do të dalloja një personalitet të letrave shqiptare si Mitrush Kuteli, sado që pak-kush e di që Dhimitër Pasko ka qenë, jo vetëm shkrimtar i madh, por ekonomist akoma edhe më i madh; ai ka qenë guvernator i Bankës Nacionale në dy shtete te Ballkanit, të Rumanisë dhe të Shqipërisë (gjatë luftës së dytë botërore), ka shkruar dy vepra ekonomike një në rumanisht e një në shqip që pothuajse nuk njihen.

Para se të flasim për Bursën e Stambollit dhe Komisarin e Saj duhet të themi se kush ishte rilindasi Abedin Dino me dy fjalë dhe të sjellim për dëgjuesit tanë telegrafisht një historik të shkurtër të Bursave në Botë. A.Dino është një personalitet i jashtëzakonshëm. Ka qenë Kryetar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Jugun, theu në krye të forcave shqiptare agresionin grek për pushtimin e Epirit(Camerise) me 1878, mblodhi më 1879 krerët e Lidhjes në Prevezë dhe për 35 vjet e shpëtoi atë pa rënë në duart greke deri më 1912. Shiti 2000 ha tokë të vetat dhe paratë i vuri në dispozicion të Lidhjes Shqiptare. Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, organ i Shoqërisë së Stambollit që botohej në Athinë e mbahej financiarisht nga Abedini.

Më 1879-1880 kur ishte ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane nuk lejoi, sa qe ai në atë detyre, në luftë dhëmb për dhëmb me Fuqitë e Mëdha të kohës, që t’u dorëzohej Ulqini dhe Çamëria, fqinjve grabitqarë. Për njëçerek shekulli ka qenë vali në qytete të ndryshme të perandorisë osmane, duke filluar nga Selaniku e deri në Adana të Anadollit. Kur ishte qeveritar i Ankarasë, për 8 vjet ka drejtuar një territor 90.000 km. katrorë dhe me një popullatë rreth 1.000.000 banorë, që me llogaritë e sotme i bie të ketë qenë 6-7 milion, pra sa trefishi i Shqipërisë së sotme si territor e popullsi atij i takon merita se kudo që punoi la gjurmë të thella në banorët e vendit si shtetar dhe ekonomist i dalluar. Ai i solli Ankarasë ujin e pijshëm, hekurudhën, rregulloi qytetin, ngriti konake qeveritare etj. Një rajon i Ankarasë mban emrin e tij, bulevardi kryesor i Adanasë mban emrin e tij, kulla e sahatit e këtij qyteti është e ndërtuar prej tij, etj. Më 1906 u thirr në Stamboll u emërua kryeministër dhe pa filluar mire detyrën u helmua.

Nuk ka nje datë të saktë se kur filloi të funksionojë bursa e parë e letrave me vlerë. Mendohet se bursat e para kanë qenë ato me origjinë italiane. Aty rreth vitit 1400, në Venedik bëhej tregtimi i borxheve publike dhe për këtë qëllim hartohej një listë. Në vazhdim, gjenovezët dhe milanezët u dhanë një shtytje të madhe panaireve të shkëmbimit.

Ndërkohë, që në vitin 1531, në Anversë (Belgjikë), lindi e para bursë e madhe e letrave me vlerë që më 1702 ndoshta e më parë përmendet bursa e Londrës, por duhej pritur viti 1785 që bursa e Amsterdamit (Hollandë), të ishte organizuar zyrtarisht. Sot në botë ka një numër shumë të madh bursash, ku më të rëndësishmet mund të përmendim bursat ndërkombëtare, si atë të Nju Jorkut (NYSE), atë të NASDAQ, atë të Tokios (TSE), të Londrës (LSE), atë të Frankfurtit etj. Bursa e Stambollit, ka si pararendës Bankieret e lagje Gallate, me origjinë gjenoveze, të ashtuquajturit Levantinë që jetojnë në Stamboll që nga koha e Bizantit. Këta kanë qenë huadhënës të mëdhenj të Sulltanëve që nga koha e Mehmetit të IIte (Fatih), Sulejmanit të Madhërishëm e të tjerëve me rradhë deri në shekullin e 19të. Më 1864 bankierët e Gallatës e të Peres krijuan nje bursë jo zyrtare në Gallata Havjar Han, deri sa u krijua nga Qeveria Osmane Bursa Zyrtare me emrin “Dersaadet Tahvilat Borsasi”(Bursa e Letrave me Vlerë).

Me 1873 me propozim të Ministrisë së Financave dhe aprovimin e Sulltanit u emërua Komisar i Përgjithshëm i Bursës së Stambollit. Në krah të tij kishte dhe një Komitet prej 20 anëtarësh. Më 1885 -1886 u krijuan bursat tregtare. Duam të tërheqim vëmendjen e dëgjuesve në lidhje me këtë emërim.

U vu në krye një njeri i zoti. A.Dino është themeluesi dhe organizatori i Bursës së një Perandorie të tërë sikurse shqiptari tjetër, rilindasi nga Çamëria, Hasan Tahsini, themelues dhe organizator i Universitetit të Stambollit. Të dyja këto flasin për standartet e tyre si personalitete të jashtëzakonshëm. Bursa është një institucion delikat ku lëviz Paraja, Kapitalet, Aksionet, Letrat me vlerë etj. Pra u vu një njeri i besuar, në raport me paranë. Nipi i tij me të njëjtin emër, piktori Abedin Dino, ka shkruar në kujtimet e tij se “Familja jonë kishte pronë të vetën gjysmën e Epirit (Çamërisë)”, ndaj përjashtohej në këtë rast abuzimi me detyrën dhe çfarëdo lloj korrupsioni. Gjithashtu u vu në krye një ekonomist i veçantë, që siç thuhet në një nga burimet enciklopedike kishte mbaruar Universitetin e Parisit. Nga fundi i jetës u dekorua nga Akademia e Shkencave të Francës me dekoratën e lartë “Palma akademike”, si rrallëkush në ato kohë. Kandidatura e Abedin Dinos nuk qe e rastit dhe ajo ka qenë tepër e studjuar. Ai erdhi në majë të këtij institucioni financiar kur Borxhi i Shtetit Osman që nga Tanzimati kish arritur nivele të frikshme dhe Kriza Botërore si kudo edhe në këtë perandori po bënte kërdinë.

Pra kemi të bëjmë me një njeri të përsosur që gëzonte një besim të jashtëzakonshëm deri në qarqet më të larta qeveritare osmane. Dhe për 6 vjet rradhazi, edhe në peripecitë që kaloi perandoria me luftën ruso-turke të 1877-1878ës dhe të Kongresit të Berlinit, ai qe në krye të saj, deri sa bankierët e fuqishëm të Gallatës me prapaskenat e tyre e bënë sulltanin që të detyrohej ta hiqte. Ai ndërkohë ka kryer dhe detyra të tjera, ka qenë në Komisionin që hartoi Kushtetutën e parë Osmane të vitit 1876 etj.

Vepra e tij Lojrat e Ajrit (në Bursë) (Hava Oyunlari) dhe K O H A E S O T M E
në vitin 1874, pra fill pas krijimit të saj, u botua me inisiativën e Abedin Dinos, edhe me shtytjen e Bankierëve të Gallatës, një libër instruktiv për Bursën e Stambollit dhe për “lojrat” në të, i hartuar prej vetë komisarit të bursës. Titulli i saj ishte: “Hava Ojunllari” (Lojrat e Ajrit, pra në Bursë) me nën-titull “Veprimet Financiare në Bursën Osmane”. Aty sqarohet organizimi i bursës, rregullat e saj, mekanizmi i brendshëm i saj dhe veprimet që kryhen me letrat me vlerë për të fituar dhe “lojrat” e ndryshme me paratë, shkëmbimet e ndryshme, etj. Gjithashtu jepen dhe këshilla të ndryshme nga autori i saj, që e ruajne vlerën e tyre edhe pas pothuajse gjysëm shekulli i botimit të parë të saj. Siç pohon shtypi i sotëm turk me rastin e ribotimit të saj në vitin 2011 në gjuhën e sotme turke; si psh: “Në bursë fitojnë gjithmonë peshqit e mëdhenj”.

Vetë përkthyesi i saj, Xhelali Jillmaz një autoritet i padiskutueshëm në fushën e ekonomisë, të financë-bankës, të Bursës së historisë së saj, me dy tre universitete, me specializime në Amerikë në Universitetin e Pensilvanisë etj., shprehet me superlativa për vlerat e librit të Abedin Dinos edhe tani, gati pas një shekulli e gjysëm. Duke e çmuar si një nënpunës të lartë të talentuar, një burokrat të shquar të shtetit osman, duke shkruar për vlerat e kësaj vepre të Abedin Pasha Dinos një artikull shkencor në revistën e Bursës së Stambollit me titull “Borsa” thotë në fund të tij. Si përfundim, si rezultat, kush do që të kuptojë më mirë pjacat financiare dhe të shohë çfarë ka ndryshuar e çfarë jo, megjithëse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, po t’i hedhë një sy librit të Abedin Dinos “Hava Ojunllari” kjo është më se e mjaftueshme”.

Më 5 korrik 2010 isha për një vizitë pune në Bursën e Stambollit për kërkime shkencorë për rilindasin tonë të madh Abedin Pasha Dino. Në bibliotekën e këtij institucioni gjeta shumë materiale me vlerë që kur të vijë koha do t’i botoj. Dua të falendëroj nga zemra tre Zonja të nderuara atje që më dhanë një ndihmë të pakursyer dhe në shenjë mirënjohjeje po përmend emrat e tyre, Arzu, Zejnep dhe Nur Hanëm. Fotokopjova me dhjetra e dhjetra faqe dhe nuk më kërkuan asnjë vlerë monetare, përkundrazi më ndihmuan me gjithçka që pata nevojë! Respekt e nderim për këta njërëz të mirë! Do t’u mbetem përhërë mirënjohës dhe do të mbeten gjithmonë të paharruar në kujtesën time!

Dhe tani të vijmë tek e sotmja! Me keqardhje e them dhe s’dua te zgjatem! Pas Stambollit shkova në Bursën e Tiranës. Munda të marr vetëm disa broshura që i kam dhe sot. Bursa jonë është pothuajsë inegzistente. Ajo përveç se me bonot e thesarit të shtetit dhe ndonjë letre tjetër me vlerë, deri më sot nuk është marrë me gjë tjetër. Është në varësi të Bankës së Shqipërisë por asnjë firmë apo institucion i vendit, pa le më i huaj nuk është regjistruar në të deri më sot që po flasim. Që nga krijimi i saj më 2 maj 1996, qeveritë e ndryshmë shqiptare nuk i kanë kushtuar ndonjë kujdes dhë ajo deri më tash është jo funksionale. Është vetëm një grup nënpunësish që marrin një rrogë dhe shtyjnë ditët…Sigurisht në Shqipëri ne nuk trashëguam ndonjë traditë nga e kaluara në lidhje me tregjet e letrave me vlerë, por kjo nuk do të thotë që në këtë fushë gjërat t’i lihen spontanitetit, pritshmërisë e rastësisë. Të tëra shtetet e Ballkanit kanë Bursat e tyre ,vetëm vendi ynë jo. Nuk i kanë munguar në të kaluarën e as i mungojnë edhe sot njerëzit e aftë këtij vendi në fushën e ekonomisë, të financës, të bankave, të bursës etj. Rasti i Abedin Dinos, flet shumë, na tregon për atë se shqiptarët kanë drejtuar bursat e perandorive e më gjerë.

Pa dashur të zgjatëm në këtë pikë mund të them se tani që po integrohemi në Bashkimin Europian krijimi i një Tregu të Letrave me Vlerë është bërë një domososhmëri, një detyrë imperativee që nuk pret. Organet kompetente si Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë e Shteti Shqiptar duhet të shkundën nga “gjumi” që i ka zënë dhe ta bëjnë funksionale Bursën e Tiranës (të themi më të paktën) në mënyrë që dhe ne të integrohemi me kokën lart si gjithë kombet.

Lexoni: Merita Pinta, shqiptarja që po shkëlqen në Zvicër me biznesin e saj

/BusinessMag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0