“Gjithçka filloi rreth pesë vite më parë me një postim të thjeshtë në një forum boshnjak ku jepeshin udhëzime si të prodhosh vetë birrë,” kujton Mirza Nalo, që hapi një birrari të vogël në Sarajevë, të quajtur Brko. “Ky ishte fillimi i të gjithë lëvizjes së prodhimit të birrës në këtë vend,” thotë ai, duke theksuar se ky aktivitet ishte i pazakontë për Bosnjen.
“Bosnja është një vend i rakisë, më shumë se një vend i birrës,” thotë Mirza. “Pas luftës 1992-1995 kur fillova të udhëtoj jashtë, nuk e dija se mund të bëheshin shumë lloje birrash, për mua ishte si të zbuloje një botë krejt të re”.
Pavarësisht stanjacionit të raportuar në industrinë e birrës në vend në vitet e fundit dhe pavarësisht detyrimit për të imponuar shumicën e materialeve dhe pajisjeve bazë, prodhuesit vendas të birrës formuan shpejt një komunitet aktiv të mbledhur rreth një forumi specifik dhe organizuan panairet e para dedikuar aktivitetit të tyre.
Ajo që filloi si një lëvizje e vogël dhe amatore, tani po kthehet në një biznes lulëzues. Arman Galiçiç, pronar i birrarisë Brew Pub, që u hap në Sarajevë në 2014, thotë se kërkesa është aq e lartë saqë birraria e tij nuk e përmbush dot.
“Njerëzit po na kërkojnë ta çojmë birrën tonë në qytete të tjera si Banja Luka, Tuzla ose Mostari, por ne nuk kemi kapacitet për t’i shpërndarë produktet tona në të gjithë Bosnjen,” tha Galiçiç. Ndërsa prodhuesit e vegjël të birrës në Bosnjë mbështeten kryesisht te lidhjet direkte me baret dhe restorantet për të shitur prodhimet e tyre, Brew Pub pati sukses në arritjen e një marrëveshjeje me një zinxhir shpërndarjeje për të shitur një nga produktet e veta, birrën Sefte, në supermarketet e Sarajevës.
“Ne donim të shisnim të njëjtën lloj birre që shitet kryesisht në Bosnje, por të tregonim se mund ta bënim në një stil të ndryshëm,” shpjegoi Galiçiç. Aktualisht, tregu duket shumë premtues, pohojnë prodhuesit. “Çdo ditë, marr shumë mesazhe nga njerëz që më pyesin se ku mund ta blejnë birrën time,” shpjegon Zinaid Derakoviç, themelues i birrarisë Castrum me bazë në Doboj.
Pas përpjekjes për të pasur një prodhim të vetin, Zinaid hoqi dorë nga puna e vjetër për t’iu dedikuar krejtësisht këtij aktiviteti. Sot, ai prodhon rreth 1500 litra birrë në muaj, që i shet rregullisht në pubet e Sarajevës, Mostarit dhe Dobojit. “Duket se boshnjakët duan të provojnë diçka ndryshe, por askush nuk i ofron atyre diçka ndryshe,” argumenton ai.
Megjithëse e ardhmja duket e ndritur për bizneset, më shumë duhet bërë për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e saj, thotë Vlado Mandiç, i cili krijoi birrarinë me pakicë Lovac në Siroki Brijeg në 2013.
“Legjislacioni i birrës duhet të rregullohet për birraritë e vogla sepse prodhuesit e vegjël aktualisht duhet të paguajnë të njëjtat tarifa dhe taksa si birraritë e mëdha, gjë që nuk është normale,” thekson Mandiç. Ai gjithashtu thotë se një pjesë e madhe e punës së tyre në të ardhmen do të jetë e përqendruar te nxitja e birrave të prodhuara me kujdes dhe te edukimi i klientëve të mundshëm në Bosnje.
“Tregu i birrës në Bosnje është plot prodhues industrialë të birrave dhe të gjitha ato kanë të njëjtën shije. Ndërsa birra e prodhuar vetë në sasi të pakëta është zakonisht më e shtrenjtë se ato industrialet, ne duhet të kontaktojmë me klientët e mundshëm dhe t’i shpjegojmë atyre se si funksionon prodhimi ynë,” përfundoi ai.
Burimi: Shkruar nga Rodolfo Toe dhe publikuar në reporter.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.