Pasagjerët e avionëve në BE do të udhëtojnë pa kosto për bagazhet e dorës - Business Magazine Albania

Pasagjerët e avionëve në BE do të udhëtojnë pa kosto për bagazhet e dorës

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian kanë miratuar një propozim që u mundëson pasagjerëve të avionëve të marrin me vete një çantë personale dhe një bagazh dore deri në shtatë kilogramë pa asnjë kosto shtesë. “Votimi i sotëm shënon një hap të rëndësishëm drejt udhëtimit më të drejtë dhe transparent,” tha Matteo Ricci, nënkryetar i Komitetit të BE-së për Transport dhe Turizëm dhe mbështetës kryesor i projektligjit, në një deklaratë për shtyp. Ai shtoi se rregullat e qarta për bagazhet e dorës pa pagesë janë “një e drejtë themelore për të shmangur kostot e padrejta shtesë,” duke garantuar një sistem më të drejtë dhe efikas.Ky vendim vjen si pjesë e reformave më të gjera të propozuara nga Komisioni Evropian në vitin 2023 për të drejtat e pasagjerëve. Këto reforma kërkojnë që linjat ajrore të tregojnë kostot totale të fluturimit që në fillim të procesit të prenotimit, si dhe të ndikojnë në të drejtat për kompensim.

Çfarë do të thotë kjo për pasagjerët?
Sipas rregullave të reja, udhëtarët në fluturimet brenda BE-së do të kenë të drejtë të marrin një çantë personale, si një çantë dore ose shpine dhe një bagazh dore me përmasa maksimale 100 cm dhe peshë deri në 7 kg, pa pagesë shtesë. Çantat personale mund të kenë përmasa deri në 40x30x15 cm.

Linjat ajrore nuk do të lejohen të vendosin tarifa shtesë për këto sende. Ky vendim mbështetet në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të më shumë se një dekadë më parë, i cili përcaktoi se bagazhet e dorës nuk mund të jenë subjekt i tarifave shtesë, për sa kohë që përmbushin kërkesat e arsyeshme për peshën, përmasat dhe standardet e sigurisë.

Lexo edhe: Gjermania e treta në botë për numrin e super të pasurve

Kohët e fundit, një grup organizatash të konsumatorëve i ka kërkuar organeve kombëtare të mbrojtjes së konsumatorit dhe Komisionit Evropian të hetojnë atë që ata e konsiderojnë si tarifa të padrejta për bagazhet e dorës të aplikuara nga linjat ajrore me çmime të ulëta. Sipas tyre, këto linja vendosin tarifa për bagazhe që konsiderohen “të tejkaluara,” por që përshtaten me përmasat dhe peshën e konsideruar “të arsyeshme” nga BE-ja.

A do të rriten çmimet e biletave?
Ndërsa votimi duket si një fitore për pasagjerët, një zëdhënës i shoqatës së industrisë Airlines for Europe (A4E) paralajmëroi se kjo mund të çojë në rritjen e çmimeve të biletave, veçanërisht për ata që duan të udhëtojnë me bagazhe. “Ky votim përforcon të drejtat e pasagjerëve, por shton amendamente specifike për udhëtimet ajrore që heqin mundësinë e pasagjerëve për të zgjedhur shërbimet për të cilat duan të paguajnë,” tha zëdhënësi.

Mbrojtje më e madhe për udhëtarët vulnerabël
Votimi për rregullat e bagazheve u shtua në propozimin e Komisionit Evropian të vitit 2023 për forcimin e të drejtave të pasagjerëve. Eurodeputetët duan të sigurojnë që fëmijët nën 12 vjeç të ulen pranë shoqëruesit të tyre pa pagesë. Po ashtu, ata kërkojnë më shumë mbrojtje për pasagjerët me lëvizshmëri të kufizuar, duke mundësuar që një shoqërues të udhëtojë falas me ta dhe duke shtuar të drejtën për kompensim në rast dëmtimi të pajisjeve të lëvizshmërisë ose lëndimit të një kafshe ndihmëse.

Qartësi për kompensimin
Rregullat e propozuara të vitit 2023 sqarojnë rolin e ndërmjetësve (shitësve të biletave ose agjentëve) në rimbursimin e pasagjerëve për anullime, vonesa të gjata ose refuzime të hipjes në avion. Eurodeputetët kërkojnë që këto kompani të informojnë pasagjerët gjatë prenotimit për koston e plotë të biletës, tarifat e ndërmjetësimit dhe procesin e rimbursimit, i cili nuk duhet të zgjasë më shumë se 14 ditë. Nëse ndërmjetësi nuk respekton këtë afat, linja ajrore duhet të procesojë rimbursimin brenda shtatë ditëve.

Ligjvënësit mbështetën gjithashtu propozimin për të futur një formular të përbashkët në të gjithë BE-në për kërkesat e kompensimit dhe rimbursimit. Ata kërkojnë që linjat ajrore t’u dërgojnë pasagjerëve formularin e paraplotësuar ose të aktivizojnë kanale të tjera komunikimi automatik brenda 48 orëve pas një ndërprerjeje.

Për t’u miratuar përfundimisht, propozimet do të kalojnë për votim në parlamentin e plotë dhe mund të pësojnë modifikime gjatë negociatave me shtetet anëtare.

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0