Sipas portalit online të teknologjisë Techcrunch startup-i shqiptar i kërkimit online Gjirafa.com ka marrë një investim prej $2 milion për të vazhduar më tej zhvillimin e produktit të saj. Ky motor kërkimi është bashkëthemeluar nga Mergim Cahani dhe synon që të bëhet lider në fushën e kërkimit, blerjeve dhe reklamimit online në rajon.
Gjirafa ka zhvilluar një motor kërkimi, që ndryshe nga Google zgjidh disa probleme që dalin nga gjuha unike dhe komplekse që përdorin shqiptarët. Gjithashtu një pjesë e informacionit që kërkohet në shqip, nuk ndodhet në internet.
Për të zgjidhur këtë problem, Mergim Cahani bashkë me skuadrën e tij po punojnë që të hedhin sa më shumë informacion shqip online. Ata kanë filluar të hedhin online të gjithë oraret e nisjes së autobuzëve të rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Gjithsesi plani i tyre afatgjatë është të nxjerrin online një bazë të dhënash të bizneseve dhe kompanive që ndodhen në rajon, duke u bazuar tek modeli Yelp.com, për shkak se shumica e tyre nuk janë prezent në internet.
Një tjetër mision i këtij startup-i është fotografimi i rrugëve të rajonit shqipfolës, siç bën Google me aplikacionin e saj Street View.
Për të realizuar qëllimet e saj , Gjirafa ka marrë një investim prej $2 milion nga Rockaway Capital me bazë në San Francisco dhe Pragë. Fondi që ka fituar Gjirafa, është dhënë për të rritur prezencën në internet të ekonomisë në rritje të Ballkanit dhe të dixhitalizimit të informacionit të Shqipërisë dhe Kosovës, duke e kthyer Gjirafa.com në lider të kërkimit, blerjeve dhe reklamimit online.
I rëndësishëm është fakti që këtë startup e kanë mbështetur investitorë engjëj të rëndësishëm si Esther Dyson, Ondrej Bartos dhe Roland Berger.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.