Ja se cilat ishin Destinacionet më të mira të 2016-ës në revistën Travel, të cilat më shumë se “places to go” mund të quhen “things to see”.
Rruga Egnatia, një udhëtim nëpër histori
E ardhur në vëmendjen e medias dhe grupeve të interesit në fushën e turizmit fillimisht nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, ky itinerar interesant mund të bëhet në të ardhmen një prej destinacioneve më të vizituara në Shqipëri, për shkak të shumë faktorëve, siç janë shtrirja e tij në thuajse gjysmën e territorit shqiptar, lidhja me rajonin, vlerat historike dhe kulturore, njohja e shumë kulturave të vendeve nëpër të cilat kalon kjo rrugë antike. Verën e shkuar një grup i AST Elbasani, përshkoi itinerarin prej 170 km të pjesës shqiptare të Rrugës Egnatia, duke na rrëfyer një përvojë mjaft të pasur jo vetëm të aventurës së përjetuar në këtë udhëtim por edhe të momenteve më të bukura e pjesëve më të spikatura ku duken ende edhe sot gjurmët e kësaj rruge. Me një galeri fotosh dhe me infon që do t`ju përcjellim, edhe ju mund të krijoni një ide të kësaj aventure, duke u bërë nesër pjesë e saj nëse do të doni. Via Egnatia është një nga rrugët e rralla romake jashtë Italisë, e cila mban një emër. Prej shumë kohësh studiues të ndryshëm bënin pyetjen se cila ishte origjina e emrit. Ajo që i dha përgjigje kësaj pyetjeje ishte zbulimi i një guri miliar i gjetur më 1974, afër Selanikut në zonat lyshtërore të lumit Gallikos. Ky gur mbante një mbishkrim dygjuhësh latino-grek, emrin e ndërtuesit të mundshëm të rrugës. Cnaeus Egnatius i biri i Caius për të cilin nuk dihet asgjë përveç emrit dhe fuksionit, prokonsull, i cili me sa duket ishte funksionari më i lartë në Provincën e Maqedonisë në momentin e ndërtimit të rrugës. Thjeshtësia e tekstit, emri i gjykatësit në emërore, dhe hollësira të tjera të të shkruarit si në latinisht ashtu edhe në greqisht tregojnë për datimin e gurit miliar. Motiv për ndërtimin e infrastrukturës së re ishin natyrisht, jo vetëm nevoja ushtarake që me raste favorizonin një lëvizje më të shpejtë të trupave ushtarake por edhe nevoja ekonomike, duke vënë në lëvizje vendet e reja dhe banorët e tyre. Rruga Egnatia bënte lidhjen ndërmjet Romës dhe Bizantit duke lidhur edhe Perandorinë Romake të Lindjes me atë të Perëndimit. Te ecësh përgjatë Rruges Egnatia mund të përshkosh male dhe fusha, lumenj dhe qytete dhe papritur aty poshtë këmbëve tuaja shfaqen kalldrëme të vjetra. Mijëra ushtarë romakë udhëtuan përgjatë rrugës Egnatia por edhe lajmëtarë bizantinë dhe priftërinj. Të dërguarit e Pashait në kohërat osmane, tagrambledhës, barinjtë dhe fermerë në rrugën e tyre për në treg, si dhe të pasurit me karvanet e tyre të gjata me mushka e kuaj. Apostulli Pal predikoi përgjatë Rrugës Egnatia, mësuesit muslimanë dhe predikuesit e besimit Islam përdoren rrugën Egnatia. Kryqtarët e parë ecën këtu, për në rrugën e tyre drejt Jeruzalemit. Përgjatë 2000 viteve që Egnatia ka mbijetuar ajo ka qenë arteria më e rëndësishme e transportit të Ballkanit jugor, e cila në thelb ka formuar një rajon qindra vite më parë. Ruga Egnatia realizonte lidhjen ndërmjet lindjes dhe perëndimit. Rruga Egnatia është ndërtuar përgjatë viteve 146-120 p.l.k. Rrugë e ndërtuar nga ushtarët romake. Ajo quhet rrugë romake por duhet të kemi parasysh që beëhet fjalë për një rrugë apo infrastrukturë e përdorur akoma edhe më përpara se kjo periudhë. Në total rruga ishte e gjatë rreth 750 milje romake, afërsisht 1100 km. Në historinë e saj të gjatë, rruga ka qenë përdorur intensivisht, është prishur, është restauruar disa herë dhe përsëri është prishur. Në më shume se 2000 vjet, pamja dhe vendndodhja e rrugës ka ndryshuar për shkak të shkaqeve natyrore dhe politike. Pjesë të rrugës janë të paqarta, disa pjesë janë zhdukur përgjithmonë, por shumë pjesë janë ende atje dhe të përshtatshme për të ecur në këmbë ose me kalë. Edhe sot e ndarë me stacione dhe ndalesa të ndryshme gjatë rrugës ku peisazhet , kultura, tradita, vendet historike dhe shkëmbimi me njerëzit nuk kanë për të munguar, mund ta bëjmë këtë udhëtim nëpër histori, duke kaluar nëpër fshatra, qytete , male, fusha, duke vizituar mozaikë, rrënoja qytetërimesh, kala ku gjithmonë takimi me njerëzit e thjeshtë që do takoni gjatë rrugës do të jetë qershia mbi tortë e udhëtimit.
“Made in Berat” – Përvojë e paharruar në qytetin e bardhë
Përveçse është një nga qytetet më magjepsës të Shqipërisë dhe të Ballkanit, Berati është i njohur gjerësisht për traditën e tij unike në artizanat dhe mjeshtërinë e të gatuarit. Berati është një nga qytetet e vetme të Shqipërisë që përveçse ka zhvilluar një linjë të plotë të suvenireve dhe produkteve ushqimore vendase, gjithashtu i ofron vizitorëve eksperiencën e plotë të takimit me artizanët në studiot – në shtëpitë e tyre, në lagjen e vjetër të qytetit të Mangalemit apo Goricës. Vizitorët mund të porosisin gdhëndje të personalizuara të gurit dhe drurit, skica, stoli dhe zahiret vendase sikur të jenë marrë përsëri në një tjetër epokë nga meloditë e muzikës popullore të Beratit dhe anekdota nostalgjike, treguar me zë të ulët nga artizanët. Së fundmi, Berati ka zhvilluar markën e vet dhe identitetin vizual – në kuadër të projektit “Marka e Beratit dhe Suvenire”, iniciuar nga Albania Rafting Group, Bashkia Berat dhe BID Berat dhe mbështetur nga Ambasada e Zvicrës përmes “Konkursit Risi 2015”, një nismë e risi e projektit të punësimit të të rinjve “RisiAlbania”, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Në vitin 2015 “Marka e Beratit dhe Suvenire” fitoi një nga çmimet e Konkursit Risi Turistike 2015 për Qarkun e Beratit. “Marka e Beratit dhe Suvenire” do t’i shtojë vlerat produkteve të ndryshme tradicionale të Beratit, të cilat do promovohen për turistët vendas dhe të huaj. Gjithashtu, do t’i ndihmojë artizanët vendas të prodhojnë dhe shesin më shumë produktete interesante për turistët, duke ruajtur në të njëjtën kohë nga një brez në tjetrin artizanatin e lashtë. Çdo turist do të shijojë zanatet e bukura të Beratit duke çuar në shtëpi një kujtim të jashtëzakonshëm nga ky qytet i lashtë dhe tërheqës. Ne ju ftojmë të merrni dhe të shijoni udhëtime në Berat, të mësoni më shumë për këtë qytet, të merri një pjesë tradicionale të tij me vete dhe do të kontribuoni në mbajtjen gjallë të këtyre vepra artizanale të mahnitshme!
Varrezat e Komanit, pasaporta e qytetërimit tonë
Komani është konsideruar gjithnjë si vendbanimi mitik i shqiptarëve. Nëpërmjet zbulimit të këtij vendbanimi ka marrë emër një qytetërim i tërë në Ballkanin Perëndimor, pasi janë disa nekropole dhe vendbanime që kanë dhënë materiale totalisht të krahasueshme me këtë nekropol. Duke qenë se Komani është më i madhi nga këta nekropole dhe i pari i zbuluar, atëherë është ky qytetërim që i dha emrin të tjerëve dhe që quhet Kultura e Komanit. Në aspektin historik është një aset arkeologjik shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Nga zbulimet e fundit kuptohet se është një qytetërim i tërë, kjo do të thotë që ka qenë një qytet me kisha, shtëpi e punishte. Në aspektin e studimeve Komani është mjaft i njohur e i lëvruar nga shumë historian porn ë aspektin e gërmimeve ka filluar të lëvrohet vonë për shkak se arkeologjia mesjetare vuan në të gjithë botën në këtë drejtim dhe vonë ka nisur trajtimi i mirëfilltë si arkeologji. Mesjeta është konsideruar më shumë për tekstet, pikërisht këto shekuj përbëjnë një rëndësi të madhe pasi janë shekujt e parë të mesjetës dhe tekstet mungojnë. Komani njihet pak, pasi nuk është gërmuar shumë. Gërmimet në Koman kanë nisur rreth viteve 1850, ndër kërkimet e fundit para misionit tonë kanë qenë ato të viteve 1980-83. Prej 7 vitesh Komani gërmohet sistematikisht çdo verë. Komani njihet shumë për historianët, pikërisht për historinë që prezanton, ndërsa për publikun nuk njihet aq sa duhet, pasi nuk kanë përfunduar kërkimet. Komani është shpallur në mbrojtje nga shteti shqiptar në vitin 1963, pikërisht si rezultat i kërkimeve të Hënë Spahiut në 1961 dhe është konsideruar i mbrojtur si Nekropoli i Komanit ashtu dhe e ashtuquajtura “Kala e Dalmacës”, por që nuk ka kala, por dy kisha në majën më të lartë. Si rezultat i gërmimeve të reja, prej 7 vitesh, u lobua fort për shmangien e shtyllave të tensionit të lartë të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë, që cënonte ndjeshëm integritetin e kësaj zone si zonë e mirëfilltë arkeologjike. Për fat të mirë lobimi i shoqatave të ambientalistëse, forumeve të trashëgimisë dhe grupeve të tjera të interesit, pati rezultat dhe zona e Komanit i mbeti arkeologjisë, e në të ardhmen shpresojmë edhe turistëve. Tashmë grupet e para të vizitorëve e kanë përshkuar këtë zonë nëpërmjet tureve simpatike më biçikleta e në këmbë, të grupimit Eko Mendje. Kultura e Komanit pasqyron shumë bukur mbijetesën pagane dhe atë të krishterë të të parëve tanë.
Pazari i Korçës- Rivitalizim në proces
Pazari i Korçës është një ansambël me vlera historike, arkitekturore dhe artistike, të cilat datojnë në gjysmën e dytë të shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit të 20.Historia dhe karakteristikat e ndërtimeve reflektojnë cilësi të vecanta të artizanëve dhe tregëtarëve të zonës. Ansambli i Pazarit është unik nga pikëpamja urbane dhe ka një strukturë gjeometrike shumë kompakte. Ka një sistem rrugësh dhe dyqanesh të drejta dhe të grupuara sipas tipologjisë së artizanatit, por me zhvillime të pasura arkitekturore dhe dekorime të vecanta në fasada.Pazari i Korçës përfaqëson evolucionin e tregtisë në Shqipëri.Në Shqipëri egzistojnë shumë pak qëndra tregëtie të kësaj natyre.Dyqanet dhe mënyra e ndërtimit të tyre janë dëshm autentike e procesit të përfshirjes së gurit në ndërtim, gjatë asaj kohe. Dyqanet dhe qëndrat e vogla të akomodimit zënë gjysmën e hapësirës në pazar.Trashëgimia e sipërmarrjes e gjetur në dyqanet e Pazarit është e paçmueshme. Pazari i Korçës është një pikë identiteti për qytetarët e Korçës, ku familjet korcare me histori sipërmarrjesh kanë prona të trashëguara në Pazar. Pazari i Korçës përmendet në një larmishmëri dëshmish së trashëgimisë kulturore në Shqipëri, si këngë, piktura, apo përralla. Pazari i Korçës është shpallur nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) si Monument Kulture i kategorisë së parë në vitin 1973. Projekti i restaurimit të Pazarit të Korçës, përfshin 33 blloqe godinash dhe 3 sheshe. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me Bashkinë Korçë dhe Qeverinë Shqiptare, kanë investuar mbi 4 milion USD deri më tani. Tipologjia e shërbimeve në Pazar po ndryshon gjatë kësaj periudhe. Sipërmarrje të suksesshme korcare dhe jo vetëm, si dhe të rinj me ide inovatore po nxiten e mbështeten për të investuar e ofruar në Pazarin e Korçës shërbime cilësore, të përshtatshme me karakteristikat e ansamblit të këtij pazari. Proçesi i rivitalizimit po vazhdon… (Sot Pazari i restauruar është një prej pikave më të vizituara në Korçë. Shënim i redaksisë).
Guri me Qiell ose Sofra e Zotit
Lumi i Vlorës është një nga nënzonat e shumta dhe më të mëdhatë të krahinës së Labërisë. I vendosur në jug të rrethin e Vlorës ai shtrihet përgjatë luginës së lumit Shushica, që nis nga Kuçi në jug dhe mbyllet në Armen, në veri, aty ku lumi me ujë të kthjellët derdhet në Vjosë. E banuar që në parahistori, kjo zonë të befason edhe sot me resurset natyrore, monumentet, kulturën popullore dhe folklorin e pasur. Natyra e bukur dhe trashëgimnia të shoqërojnë kudo që shkel. Po kështu, vlera të shtuara të kësaj treve janë edhe sitet arkeologjike të Amantias dhe Olimpias, shpellat me vlera historike të Lepenicës dhe Velçës, urat e vjetra të Kaurit dhe Bratajt, burimet e shumta karstike, gjurmët e ndërtimeve të shumta antike e mesjetare, polifonia labe, etj. Por monumenti më i veçantë, më i bukur dhe më uniku, jo vetëm këtu por edhe në gjithë hapësirën tonë shqiptare, është ‘’Guri në Qiell’’ ose i quajtur ndryshe edhe me emrin tjetër ‘’Sofra e Zotit’’. Për të shkuar tek ky monument natyre më parë duhet të udhëtosh nga Vlora drejt Vranishtit, një prej fshatrave më të njohur të Lumit të Vlorës. Pasi përshkon rrugën automobilistike ku Shushica të shoqëron kudo, mbërrin në Vranishtin e njerëzve mikrpitës, trima dhe punëtorë. Pikërisht këtu, me ndihmën e banorëve vendas duhet të ngjitesh për në malin e Bogonicës ku ndodhet monumenti i ‘’Gurit me Qiell”. Pas një udhëtimi prej një orë e gjysëm, i cili përmes shpateve të malit i ngjan më shumë një ngjitjeje të vërtetë alpinistike, mbërrin tek monumenti i jashtëzakonshëm në majën e Lipes, që ndodhet në veri të malit të Bogonicës, 1672 m të lartë. ‘’Guri në Qiell’’ mendohet se është ngritur në këtë vend diku në parahistori, ndoshta në periudhën e neolitit. Ai përbëhet prej një blloku masiv guri në formë drejtëkëndëshi me përmasa ciklopike, i cili është vendosur mbi dy shkëmbinj të faqes së malit. Studiuesit aludojnë se pesha e tij mund të jetë rreth dhjetë ton, gjë që e hedh poshtë ndërtimin e tij nga dora e njeriut. Ndoshta vendosja e këtij blloku guri mund të jetë edhe një trill i natyrës, gjithsesi një gjë e tillë nuk i ka shpëtuar mistifikimit dhe legjendave popullore të cilat e quajnë atë edhe ‘’Sofra e Zotit’’, për vetë formën e një tryeze gjigande. Po kështu lartësia e tij nga toka ka bërë që vendasit ta quajnë pikërisht me emrin ‘’Guri në Qiell’’. Por ajo që të çudit dhe të intrigon më tepër është edhe etimologjia e vendit përreth. Përgjatë shpateve të Bogonicës ndesh edhe gurë të tjerë me emra të çuditshëm si ‘’Guri i Qytetit’’, ‘’Guri i Grave’’ apo ‘’Guri i Hijes’’. Po kështu edhe emrat ‘’Lëmi i Lejlerëve’’ dhe ‘’Dërrasa e Keqe’’ ja shtojnë karakterin legjendar këtij vendi, kur edhe vetë emri Bogonicë rrjedh nga përkthimi i fjalës shqipe që do të thotë ‘’Mali i Zotit’’. Ekzistojnë disa hipoteza rreth kulteve të panjohura pagane që lidhen me këtë gur. Disa mendojnë se ai i përket kultit të diellit, aq të njojur në territoret iliro-shqiptare. Disa të tjerë theksojnë se ai nuk është gjë tjetër veçse një monument mbivarror. Një pjesë këmbëngulin se banorët vendas në këtë gur në formë sofre, i blatonin kurbane perëndive. Ndërsa sot një gjë është fakt i vërtetë. Të gjithë vizitorët që vijnë në Vranisht dhe i ngjiten të përjetave të Bogonicës, nuk kanë vetëm qëllimin që të vizitojnë monumentin. Pasi ulen mbi këtë gur të veçantë ata luten për të marrë bekimin e zotit. Ky është ndikimi i ‘’Sofrës’’ e cila ‘’qëndron në qiell’’ prej shumë mijëvjeçarësh, duke dëshmuar edhe sot karakterin e pavdekshëm në këtë trevë të kulteve pagane.
Shtëpia plot me shpirtra e Kadaresë Muze – Reklamë për Shqipërinë
Pa parë Gjirokastrën …s`i ke parë të tëra Fëmijëria e shkrimtarit ka mbetur pas…për t`u rishfaqur sa herë dikush do të dijë për vendin e shkrimtarit të madh. Pasi detajet e fëmijërisë së tij rikthehen përmes krijimtarisë në rreshta dhe vargje. Sic thotë vetë shkrimtari, asnjëherë nuk e kuptojmë rëndësinë e një momenti derisa ai kthehet në një kujtim..Kujtimet e fëmijërisë së Kadaresë vijnë këtë herë përmes një romani dhe një banese të restauruar. Kështu ndërsa lexuesit, të huaj dhe shqiptarë kanë në duar romanin më të fundit “Kukulla” të shkrimtarit Kadare, plot kujtime për shtëpinë dhe shpirtrat e Kadarejve, rrëfyer përmes dashurisë për nënën e tij, atë kukullën e brishtë, të lehtë si një kukull letre..turistët në vendlindjen e tij, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës kanë një portë të hapur! Shtëpinë ku lindi dhe u rrit Ismail Kadare.. Siç shkruan shkrimtari në hyrje të kapitullit 4 “shtëpitë si e jona ngjanin si të ndërtuara enkas për të ruajtur sa më gjatë ftohtësinë dhe moskuptimin”. Ky rrëfim nga fëmijëria e gjen sot turistin lexues në kërkim të frymës që rriti Kadarenë. Në fund të rrugës tradicionale të Pazarit përmes kalldrëmeve mbërrin në një ansambël objektesh kulturore me vlerë arkitektonike dhe historike të Gjirokastrës. Mes 10 objekteve unike të Gjirokastrës,nën harqet që ndajnë tokën me qiellin ngrihet shtëpia e Kadarejve, tashmë e restauruar. Shkrimtari i madh 20 vite më parë përmes një letre drejtuar kryetarit të bashkisë ia dhuroi banesën e familjes, shtëpinë e lindjes, qytetarëve të Gjirokastrës. E restauruar tashmë aty nuk ka më gjurmë nga zjarri i ratsësishëm i viteve më parë, syri të sheh një banesë komplekse ku ndërthuren tradita dhe historia e qytetit, mjeshtëria e gurgdhendësve dhe tradita e arkitekturës shekullore. Sipas specialistëve të monumenteve, shtëpia mbart mjaft vlera arkitekturore dhe, në ansamblin muzeal ku ndodhet, mund të tërheqë mijëra turistë perëndimorë. Brenda mureve nuk janë më vargjet e para për dashurinë të shkruara nga studenti i dikurshëm, djaloshi i dashuruar, sot shkrimtari që bën të njohur kulturën e popullit të tij. Në raftet dhe paisjet e mjediseve të banesës së restauruar ka elementë që të njohin me simbolikën e jetës dhe e veprës letrare të shkrimtarit. Kalldrëmi i jashtëm të shpie ngadalë në nënkalimin e fshehtë ku dylbitë e penxhereve për të parë botën e qytetit i zëvendëson heshtja medituese për forcën e fjalës së shkruar nga shpirti Kadare. Banesa daton në vitin 1677 dhe është një ndër banesat karakteristike të kërkuara nga turistët si dëshimi e turizmit kulturor, pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit. E lënë në harresë për shumë vite, pas një zjarri në vitin 99 qeveria akordoi në vitin 2000 një fond të parë për të mbërritur 15 vjet më pas në një banesë të vizitueshme. Tashmë e restauruar si ndërtesë nga fondi i akorduar i qeverise shqiptare prej 144 mijë euro, përmes Unesco-s. Nën çatinë e re aroma e drurit të gështenjës paqtohet me çakçukët e skalitësve të gurëve të fundit..E shndërruar në një shtëpi mikpritëse banesa e Kadarejve do të mirëpresë turistët dhe shkrimtarët…duke mundësuar dritën e mirënjohjes për kontributin e veprës së Kadaresë në letërsinë dhe kulturën e shqiptarëve. Kështu që, ju turistë dhe dashamirës të artit: Mirëse vini në shtëpinë e Kadaresë!
Kalaja e Kardhiqit, porta natyrale drejt bregdetit
Njëmijë e ca vjet më parë harta e botës ishte ndryshe! Të tjera rrugë e vendbanime, shoqëri njerëzore e po ashtu tejet të ndryshme historitë njerëzore që gjallonin në hapësirën tonë. Njëmijë e ca vjet më parë , Perandoria më e fuqishme e asaj kohe, Perandoria Romake, u bë e famshme për rrugët e saj të cilat përshkonin botën tejendanë. Kishte rrugë kryesore transnacionale dhe nacionale, të gjera e të sigurta me një infrastrukturë për t’u patur zili madje edhe në ditën e sotme, me të gjitha lehtësitë e komoditetet për ushtritë e udhëtarët, po ashtu rrugë përgjatë grykave të lumenjve e shtigjeve malore, për të lidhur krahina e zona të vështira , të zgjedhura në mënyrën më të mirë të mundshme, duke lehtësuar goxha shkëmbimet ndërkulturore e tregtare aq të domosdoshme të banoreve. Kalaja e Kardhiqit, një vend i braktisur tashmë, por jo i panjohur për nga lavdia e dikurshme, ndodhet në kryqëzim të një prej këtyre rrugëve të çuditshme, në “Rrugën e Vjetër” siç e quajnë banorët sepse është përdorur qysh prej nuk mbahet mend, një destinacion në itinerarin Gjirokastër – Kardhiq – Zhulat – Maja e Lucës – Borsh e prej andej ku i pëlqen udhëtarit në të gjithë Bregdetin Jonian. Si qendër e fortifikuar 18 km larg nga Gjirokastra, përmendet në shekujt III – II-të para Krishtit, Lartësia e kodrës ku ngrihet kalaja e Kardhiqit është 400 m mbi nivelin e detit, me stil ndërtimor 5-këndor; në 1432-1433 përmendet si fortesë ndërsa Çelebiu e quan “ndërtim që daton para pushtimit turk”. Ndërtimi i plotë i saj kaloi në tre faza: 1150, 1180 dhe përfundoi në 1417. Fshati i Kardhiqit, shtrirë në këmbët e saj na çon menjëherë në mendje Ali Pashë Tepelenën, një figurë të lidhur pazgjthshmërisht me historitë e dhimbshme të tij. Lumi i Kardhiqit, që derdhet Drino, është një nga resurset e tij më të mëdha natyrore, përveç burimeve të shumta ujore, që gjenden përgjatë këtij “korridori” turistik, derisa del në Borsh. E gjithë kjo zonë shquhet për prodhimet e famshme blegtorale, por edhe për produktet e shumta në përpunim. E gjithë zona rrotull shtegut të famshëm turistik: Gjirokastër – Kardhiq –Zhulat – Maja e Lucës – Borsh ka po ashtu resurse historike, kulturore e njerëzore, florë e faunë të pasur. Rrënojat e Manastirit të Cepos janë një objekt monument kulture, ku është zhvilluar Kuvendi i Labërisë me rëndësi historike për nga vendimet që u morën aty, ndërsa Rrapi i Taroninës është vendi ku Idriz Sulli ose Papa Zhuli, shpalli “Kanunin e Labërisë” një nga katër kanunet shqiptare. Legjenda na tregon edhe për Markun, arhond me orgjinë nga Kardhiqi, I përmendur ndërmjet 12 arhondëve më të shquar arbër. Këngët e shumta, të kënduara me patos dhe me tekste të goditura sic dinë vetëm lebërit, ritet e veçanta të dasmave, vajit, festave, legjendave, që evidentojnë krahinën si përfaqësuese jo vetëm në histori; janë dëshmi e kulturës së pasur shpirtërore të zonës dhe shoqërojnë udhëtarin gjatë rrugëtimit të tij, derisa prej Majës së Lucës e më poshtë, dalngadalë fillon të fryjë flladi i freskët me aromë sherebele e zë shfaqet Bregdeti Jonian, zgjerohet hapësira, të tjera vise, histori njerëzore, këngë e zakone shfaqen. Ky shteg i famshëm, kjo portë e Labërisë për në Bregdet, dikur i gjallëruar nga patkojtë e kuajve, ofshamat e lodhjes, gurgullimat e burimeve malore, fyejt e barinjve, këngët e moçme, bëmat e kusarëve , rrëfimet e udhëtarëve, betejat e famshme ushtarake qysh prej molosëve të Pirros e së fundmi gjermanëve, pret të gjallërohet sërish dhe mund të themi se “udhëtimet” kanë filluar. Dikush ka marrë masa dhe e ka përshtatur shtëpinë e tij si një shtëpi pritëse tradicionale e jo vetëm; lebërit dinë të përshtaten mirë me kohën, duke ofruar njëkohësisht ambient të këndshëm e të rehatshëm por me aksesorët e duhur , me prodhime bio e histori që përpiqet t’i rrëmojë nga e kaluara për të joshur më së shumti turistët elitarë perçndimorë që pëlqejnë aventurat, pikërshtë si sirenat e Odiseut, në këngët e tyre tragjike për të joshur marinarët e ngratë. Duket se mbështetja dhe nxitja e turizmit malor, të shtigjeve dhe peisazheve malore mahnitëse, ka premisa të mira, sidomos për të gjallëruar jetën në këto zona por pse jo edhe ekonomitë e tyre individuale, për të shpërblyer drejtësisht pritjen dhe mundimet e tyre. Kush ju çon ndër këto shtigje? Stafi me përvojë i Caravan Travel, i cili tashmë ka vite që përshkon me kuaj ose në këmbë shtigjet më të bukura të Jugut të Shqipërisë, Si Zagoria, Libohova, Antigonea dhe krahina të tjera të Gjirokastrës, shtigje që do t`ju pasurojnë shpirtin me natyrë e kulturë shqiptare, duke filluar që nga antikiteti e deri tek mesjeta e hershme dhe e vonë.
Grabova, simfoni mistike nën melodinë e fyejve
Të dashur lexues, po ju vij sërish me Gramshin, ndoshta mendoni se i kemi thënë të gjitha, se Gramshi tashmë është bërë i famshëm për ujvarat, kanionet, dhe shpellat mbresëlënëse, dhe se pak gjë mund të shtohet, se është tashmë një vend përrallor për natyrën e pasur dhe të paprekur, peisazhet mahnitëse dhe aventurën që e gjen kudo. Por në fakt jo, jo vetëm kaq, Gramshi dhe gramshiotët kanë një botë të brendshme mjaft të pasur, vlerat e tij kulturore janë po aq spikatëse sa edhe ato natyrore. Ndoshta nuk e njihni Gramshin shumë në këtë aspekt, sikundër nuk ia njihnit as edhe mrekullitë natyrore, ndaj lë të ecim së bashku në këtë shtegtim në vlerat kulturore të Gramshit nga ku do të dalim më të pasur dhe të zbukuruar në fund të këtij udhëtimi. Mos më thoni se nuk keni dëgjuar më parë për Fyejt e Gramshit, ata janë të famshëm, ata janë simfoni, ata janë gati mitikë, sa shumë i shkojnë bukurive dhe pasurive të kësaj treve. Të ëmbël, të qetë, plot fantazi dhe magjepsje, ata janë gati të hipnotizojnë dhe nën psherëtimën e erës të të rrëmbejnë e të çojnë në gjirin e natyrës së Gramshit, atje buzë burimeve e ujvarave, buzë liqeneve, lëndinave apo kullotave malore ku dhentë kullosin e blegërijnë, qingjat lundojnë, këmboret tringëllojnë, nën melodinë e fyellit të bariut. Këtë magji dhe hipnotizim janë në gjëndje ta krijojnë vetëm Fyejt e Gramshit, pjesëmarrës të përhershëm të Festivalit Folkorik dhe shpesh herë të nderuar me çmime të ndryshme. Po le të vazhdojmë rrugëtimin, praninë e botës shpirtërore të Gramshit, do ta ndiejmë shumë shpejt, sapo dalim nga tuneli Tiranë-Elbasan, direkt para nesh në drejtim të Gramshit na shfaqet një mal me pamje olimpike, ai është i tillë, Tomorri madhështor, i bukur sa më ska, dhe i shenjtë sa më ska. Sa shumë besime e gëzime lidhen me të. Ai është Baba Tomorri, lutjet e nënave në Gramsh i drejtohen atij, “të paftë Baba Tomorri”, “marrtë hak Baba Tomorri”, “të ndihmoftë Baba Tomorri”, “po qëllon Baba Tomorri”, etj. Dhe ai nuk zhgënjen kurrë. Një lutje drejt të lartit Tomorr ta mbush zemrën plot me besim, forcë e shpresë. E ndërsa i jemi afruar dhe kemi mbërritur në qytetin e Gramshit, e kuptojme se ai është afër çdo banori jo vetëm shpirtërisht në lutjen e tyre por edhe fizikisht si engjëll mbrojtës mbi kokë. Do të doje të qëndroje më gjatë dhe të dije më shumë, por duhet të largohemi, të marrim vrapin real dhe të shkojmë në një tjetër vend, në një tjetër kohë. Po për Grabovën e Sipërme, a keni dëgjuar, Grabova mesjetare, besoj se po, por ndoshta keni pyetur veten se ku ndodhet, e pra duhet ta kishit kuptuar që GRAbova ndodhet në GRAmsh. Të vizitosh Grabovën është një eksperiencë e rrallë, një aventurë në kërkim të kulturës mes malesh. Atje lart rreth 1250 m mbi nivelin e detit, aty ku edhe dimri e gjen një strehë ndaj ngrohjes globale, mund të kuptosh se jo vetem ajri i pastër, akulli dhe dëbora i takojnë qëmotit, por edhe kultura është mbrojtur më së miri nga ndikimet e qytetërimit. Ke udhëtuar kilometra të tërë nga Elbasani në Gramsh, e më pas në thellësi të zonës së ish-komunës së Lenies, dhe nuk ke gjetur gjurmë kaq domethënëse të besimit sa kishat dhe urat prej guri që të presin këtu. Grabova, ky emër shekullor përtej zonës malore të Gramshit vazhdon të turbullojë mendjet e njerëzve për misterin dhe fshehtësinë së bashku me thesaret arkeologjike që konservon. Një turist apo i interesuar për herë të parë do ta kishte të vështirë për faktin se për të shkuar në Grabovë rruga është e lodhshme, e pashtruar dhe shpesh një mundim. Por falë peisazheve dhe bukurisë së kësaj zone, vështirësitë janë të pandjeshme. Bukuritë janë të gjithanshme dhe më shumë të paprekura nga njeriu.
Manastiri i Ravenës, një perlë e harruar padrejtësisht
Zona e Gjirokastrës është një prej zonave më të pasura me monumente dhe objekte të antikitetit por edhe të Mesjetës së hershme, kohë kur në Shqipëri sundonte kultura bizantine. Jo më kot për listën tonë të destinacioneve kemi shkëputur disa objekte nga Gjirokstra, në gjirin e së cilës flenë me thjetëra qytete antike të zbuluara vonë ose të pazbuluara plotësisht. Por përveç qyteteve, interesante për këtë zonë të bukur të Shqipërisë është se në çdo qafë malesh të Gjirokatsrës, është ndërtuar në Mesjetën e hershme së paku një manastir, i cili ka shërbyer edhe për të bujtur por edhe për të strehuar murgjit e murgeshat e kohës. I tillë është edhe Manastiri i Ravenës, një prej ngrehinave fetare më të bukura në Shqipëri, padrejtësisht i panjohur për shumë turistë por i pasur me histori e legjenda pa fund. Për fat të mirë, vitet e fundit, rruga për në këtë manastir është ringjallur edhe njëherë, nën trokëllimën e kuajve të Caravan Travel, dhe legjendat e historitë e tij të shumta, kanë filluar të rimarrin jetë falë Kristinës, gazetares dhe udhëtares së palodhur, që udhëheq turistët drejt shtigjeve të Jugut, që kalojnë edhe nga manastiri. Fare pak minuta me kalë larg Gjirokastrës dhe jo më shumë se një orë në këmbë, udhëtarët e etur për këtë lloj turizmi, që përshkojnë shtigjet e natyrës me kalë ose në këmbë mund të provojnë të shijonë ndjesitë e udhëtarëve të dikurshëm, karvaneve tregtare, ushtarëve e korrierëve të shumtë që i kanë përshkuar dendur ato në shekujt e kaluar. E mes bukurive të pashoqe që do të hasin ndanë shtigjeve e monopateve, do të mund të zbulojnë edhe misteret e Manastirit të Ravenës. Manastiri i Ravenës gjendet në fshatin Goranxi. Manastiri i është kushtuar “Fjetjes së Hyjlindëses” dhe festën e tij e kremton më 15 gusht. Kisha e tij përbëhet nga naosi, narteksi dhe eksonarteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal dhe ka përmasa të brendshme 6.80×5.60 m. Kisha është ndërtuar me gurë shtresorë të vendosur në mënyrë të rregullt. Tamburi i kishës është tetëfaqësh dhe i zbukuruar. Gjithashtu edhe korniza nën çati përbëhet me radhë në formë dhëmbësh të alternuara me radhë të drejta. Apsida e kishës është pesëfaqëshe. Mbi apsidën e murit jugor brenda kishës gjendet mbishkrimi: “Lutje e shërbëtorit të perëndisë Hjokë Quriakut, nga katundi Mashkullorë”. Mbi një vulë prej druri është shkruar: “Vula e së mbishenjtës Hyjlindëse, e mbiquajtur e Ravenias, mbi katundin Goranxi 1622”. Kisha është ndërtuar në vitin 1600 prej hieromonakut Kristofor. Këtë e vërteton edhe një mbishkrim i gdhendur në gur mbi portën perëndimore brenda narteksit: “Mbretëreshë e të gjithë profetëve, e quajtur fidanë e Joakimit dhe Anës shterpë, që u bëre e denjë të dëgjoje zërin e engjëllit që thoshte: Gëzohu ti o e gëzuar prej gjithpushtetësit, vajzë, virgjëreshë dhe nënë, prano lutjen prej meje shërbëtorit tënd Jeromonak Kristoforit, që ndërtoi tempullin tënd me dëshirë, viti i lindjes të Krishtit 1600”.
Kisha e Shëlbuemit Rubik, një mrekulli mistike nga Mugujt e Mesjetës
Kushdo ndjek rrugën e re nga Miloti në drejtim të Kukësit, diku në kilometrin e 15-të të këtij segmenti, i shfaqet qyteza e vjetër e Rubikut. E nëse në krahun e djathtë të rrugës shikon mbetjet e ish Uzinës “krenari të bakrit”, në krahun tjetër përballë, prej nëntë shekujsh qëndron “sfidantja„ e përjetshme, që i ka bërë ballë rrjedhave të historisë, Kisha e Shëlbuemit. Vendi ku është vendosuar ajo Kishë është tejet i gjetur, majë një shkëmbi. Për t`i perifrazuar më saktë ato pamje të rralla, na del përpara një figurë disi enigmatike, shkrimtari e dijetari austriak Fabian Barcata, që ka shërbyer te kisha e Rubikut në shkrepin e bardhë, plot njëqind vjet më parë. Ai pati shkruar një libër të rrallë në formën e romanit me titullin “Lule” në gjermanisht. Pikërisht në kërë roman Barcata quante luginën e Fanit, si një nga më të bukurat në botë. Ky misionar i shquar pati shkruar dhe një ditar, që e pati quajtur “Ditari im shqiptar”, që bën fjalë për këtë vend e këta njerëz, ku asokohe kishte dhe ndonjë shtrigë, si shtriga e mullirit… që banorët e Bulgrit e patën mbytur më gurë, që të mos ua lidhte më tej fatin pas mitologjisë. Fraza e famshme e këtij frati, që shërbeu për 10 vjet mes mirditorëve, për njërën nga luginat më të bukura në botë, ka mbetur proverbiale dhe dhe është e shumë përmendur në zonën e Mirditës, pasi kjo luginë, pra lugina e Fanit ndan mes përmes gjithë Mirditën në të gjithë gjatësinë e saj. Po le ti kthehemi Kishës dhe historisë së saj të veçantë… Ky objekt kulti ka vlera të veçanta në vendin tonë. Në këtë kishë gjenden afreske ndër më të vjetrat në Shqipëri. Afresket janë të stilit bizantin ku bazuar në shkrimet gotike që dallohen qartazi në to, këto afreske datojnë me vitin 1272. E nëse tashmë kanë kaluar plot nëntë shekuj nga ai ndërtim dhe natyrshëm për atë kohë nuk mund të ketë dokumenta, janë studiuesit ata që na sjellin momenente të besueshme për një saktësi sa më afër të vërtetës. Referuar disave prej tyre, më afër duket se gjendet studiuesi Ndue Dedaj i cili është autor i një libri tashmë të mirënjohur në këtë fushë, “Toka e Katedraleve”. Z. Ndue Dedaj thotë se nisur nga stili i ndërtimit, lloji i afreskeve etj, është thënë se kisha i përket shekullit të XII, ku Ipen, përcakton vitin 1272. Duke shtuar më tej, z. Dedaj thotë se historianët, sidmos ata të mesjetës, i kanë mbledhur me mundim, gjurmë-gjurmë, dëshmitë historike mbi vjetërsinë e Rubikut kishtar, fillimisht kuvendin benediktin të njohur me emrin “sankti Salvatoris Arbanensis”, i cili me këtë emër paraqitet për herë të parë në një dokument të datës 19 qershor 1166. Që kuvendi ka qenë në fillim i Benediktinëve, studiuesit e lidhin dhe me përmendjen aty të inocentit Abat, emërtim ky që është karakteristik vetëm për benediktinët e jo për françeskanët apo për domenikanët. Françeskanët e marrin më vonë në zotërim, aty ku sot është kuvendi dhe kisha e tyre (S. Salvatoris e Shelbuesit), mund të thuhet që nga shekulli XV, citohet F. Cordignano. Historiani i krishtërimit ndër shqiptarë, Zef Mirdita, citon pastaj Th. Ippen-in dhe M. Shuflay-n në përshkrimin e afreskëve të përmendura të kësaj kishe: “Kisha ka qenë pikturuar me freska dhe me citate nga Besëlidhjë e Re dhe me emrat e shenjtërve të pikturuar, ndër të cilët është dhe emri i Shën Astit, ipeshkvit dhe martirit të Durrësit, por ka dhe dëshmi të kulturës bizantine, gjegjësisht monedha me shkrim bizantin.” Përfundon z. Dedaj. Kjo Kishë i shërbeu Rubikut që nga viti 1272, kur thuhet se u ndërtuar deri në vitin 1967, kur qeverisja e vetshpallur komuniste dëboi franceskanin e fundit At Leon Kabashi. Pikërisht në këtë kohë Kisha u mbyll ndërsa këmbana, një vlerë e rrallë historike u zhvendos nga maja e gurit pak më sipër Kishës, për në oborrin e Uzinës, ku u shërbente punëtorëve për fillimin apo ndërprerjen e punës, alarme etj. Zona përrreth u rrethua nga telat me gjëmba, pasi u instalua një repart ushtarak. Ajo çfar është e rëndësishme në këtë rast është se kjo Kishë nuk u rrafshua si shumë simotra të saj kudo në Shqipëri, por edhe pse u dëmtua jo pak, qëndroi në këmbë si dëshmi historike e fetare deri në fillim vitet e demokracisë ku ëshë u restauruar, për të vijuar misionin e saj për të cilin u ndërtua plot 9 shekuj më parë. Vetë historia e saj, pozicioni gjeografik në të cilin ndodhet e bën këtë kishë të veçantë dhe tërheqëse për turistët e huaj dhe ata shqiptarë. Dhe vërtet, sot Kisha, përveç besimtarëve tërheq mjaft turistë të gjitha besimeve të cilët pothuaj çdo ditë ndalojnë për të shijuar nga afër atë çfarë ofron Kisha, por edhe vetë lugina e Fanit, e cila prej dëmtimeve të mëdha që ka pësuar, ndoshta e ka humbur statusin e një prej luginave më të bukura në botë, sipas Barcatës, por mbetet gjithsesi një prej luginave më të bukura në Shqipëri.
burimi: albaniantravel.info
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.