Marrëveshja mes IPKO dhe BONEVET parashikon fillimin e mega-projektit pesëvjeçar të quajtur EVIB për konvertimin e makinës Renault Twingo, e cila tani përdor derivate të naftës dhe pas përfundimit do të funksionojë përmes rrymës, në mënyrë elektrike.
Prototipi i makinës elektrike, të cilën do ta bëjnë ekipi prej 6 anëtarësh në BONEVET ka përfunduar dhe pjesët përbërëse të kësaj makine janë shtypur përmes printerit në 3D. Realizimi i projektit do të bëhet në mes të vitit të ardhshëm në makinën ekzistuese Renault Twingo.
“Ne jemi mahnitur me potencialin e këtyre të rinjve për të shndërruar idetë e tyre në produkte inovative që për bazë kanë mbrojtjen e mjedisit” ka thënë Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO, pas nënshkrimit të marrëveshjes me BONEVET.
Ndërkaq Vëllaznim Xhiha, themelues i BONEVET ka thënë se është krenar për arritjen e marrëveshjes së parë mes hapësirës krijuese Bonevet me industrinë e Kosovës. “Bonevet është një qendër, e cila e stimulon kreativitetin e të rinjve, e cila ka rëndësi shumë të madhe në krijimin e fëmijëve jo vetëm si teknikë, por edhe si persona. Në Bonevet fëmijët mësojnë të zbulojnë talentin e tyre – e kjo më pas ju hap atyre rrugën për karrierën e tyre profesionale.”
burimi: gazetaexpress.com
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
