Ferma medicinale shqiptare, një sipërmarrje që po nxit zhvillimin e ekoturizmit - Business Magazine Albania

Ferma medicinale shqiptare, një sipërmarrje që po nxit zhvillimin e ekoturizmit


Një shqiptar dhe një italiane kanë gjetur vendin e duhur në pllajat pranë kepit të Rodonit për të ngritur biznesin e prodhimit të bimëve medicinale, ndërsa aspirojnë krijimin e një zone të mbrojtur turistike në kodrat e buta në veri të Durrësit.

Mbi njërën prej kodrave të Ishmit në Durrës, prej nga duket edhe gjiri detar i Drinit në Veri, edhe ai i Lalzit në Jug, Sokol Proja ka shtëpinë e prindërve. I emigruar për vite të tëra në Itali, atë e ngacmonte prej kohësh dëshira për t’u kthyer në vendlindje.

Fati e solli të njihej me Irene Tosti në një nga qytezat pranë Asisit në Itali, ku zonja italiane ishte kthyer të jetonte pas përvojave të gjata nëpër botë.

Bisedat e tyre u ndalën te natyra shqiptare dhe prej aty lindi ideja e biznesit, që jo pa qëllim u pagëzua  me emrin “Naturalalba”. Gjashtë vjet më parë, Sokol Proja dhe Irene Tosti nisën në Ishëm biznesin e tyre të kultivimit të bimëve mjekësore dhe sot punësojnë 12-20 gra e vajza të zonës.

Ata thonë se nuk ishte thjesht synimi i fitimit që i bashkoi në kodrat e buta të pjesës veriore të Durrësit, por mbi të gjitha dashuria për natyrën dhe mjedisin.

Kur e pyet se si ka arritur në Kepin e Rodonit pas aventurës së saj gjashtë ditore në vitin 2007 në Kilimanxharo, Tosti përgjigjet: “Nga dashuria për të bukurën dhe për forcën çliron natyra”.

“Siç thoni ju shqiptarët, duhet të kesh edhe një dërrasë mangut,” qesh më pas ajo.

Kompania e kultivimit të bimëve medicinale “Naturalalba” ka tashmë një shtëpi të madhe, ngjitur me shtëpinë e prindërve të Sokol Projës në Lalëz. Dy ortakët, njëri shqiptar dhe tjetra italiane, investuan pak javë më parë në blerjen dhe montimin e një makinerie, që pritet ta ndryshojë kapacitetin dhe rendimentin e punës së këtij biznesi.

“Në faqet e kodrave që shohin nga veriperëndimi deri tani janë kultivuar 10 ha me bimë medicinale biologjike dhe brenda dy vjetësh parashikohet 3-fishimi i sipërfaqes së mbjellë,” tregon për BIRN Irene Tosti, e cila ndjehet këtu si njeri i shtëpisë.

Rigoni, melisa, mentha longifolia, mirto e rusco janë bimët e preferuara nga klientët e huaj, jo vetëm në vendet e BE e në Zvicër, por edhe në Kinë, me disa dhjetra tonelata në muaj-shprehet ajo.

Në oborrin e fabrikës po mbillen shumë nga bimët mjeksore të katalogut për të cilat interesohet tregu i huaj. Tosti tregon se  investimi i deritanishëm, krejtësisht privat, arrin në 250 mijë euro, ndërsa me të njëjtën vlerë në biznesin e tyre ka filluar edhe një investim nga GIZ -Shoqëria Gjermane  për Bashkëpunin Ndërkombëtar.

Nuk janë të paktë banorët e fshatit që vijnë të ndjekin ecurinë e këtij biznesi. Vlash Lazri ka lindur në Ishëm dhe ka punuar për vite me radhë si agronom. Ai është entuziast për të ardhmen e “Naturalalba-s”.

“Kanë punuar mirë, jo vetëm me bimët medicinale, por kanë gjetur kohë edhe për të realizuar projekte jashtë punëve të përditshme,” shprehet Vlashi, ndërsa i bie rrotull kapanonit, ku ndjehet zhurma e makinerisë së re.

Profesor Enver Isufi, drejtor i Institutit BIO me qendër në Durrës është gjithashtu një mysafir i përhershëm në fermën e Lalzit në Ishëm.

“Në sipërfaqen e fermës “Naturalalba” zbatohet një sistem modern i bujqësisë biologjike, e cila përdor inpute të padëmshme për shëndetin e njerëzve dhe për mjedisin,” thotë ai, ndërsa argumenton se produkte të kësaj natyre rrisin imazhin e eksporteve shqiptare në tregun e huaj.

Isufi thotë se kulturat e reja të bimëve medicinale, përmirësimi i infrastrukturës dhe punësimi i 12-20 grave dhe vajzave që banojnë në këtë trevë i ka dhënë një impakt të ri zhvillimit të kësaj zone kodrinore.

Një zonë ekologjike

ferma-medicinale-shqiptare-nje-sipermarrje-qe-po-nxit-zhvillimin-e-ekoturizmit-businessmag

Sokol Proja dhe Irene Tosti kanë aplikuar për krijimin e një zone ekologjike në Ishëm, në të cilën përfshihet bimësia, pyjet, ujërat. Projektet e tyre janë të shumta, por momentalisht disa kanë mbetur në letër dhe në kërkim të mbështetësve financiarë vendas dhe të huaj.

Më shumë se çdo gjë tjetër, në fshatrat e zonës së Ishmit ka gjetur jehonë projekti i rehabilitimit të krojeve të ujit.

Proja ka identifikuar 13-14 kroje uji nga fshati Lalëz deri në Shetaj, shumica dërmuese e të cilëve ishin të bllokuar prej dekadash. Sipas studiuesve, burimet e ujit të pijshëm në këtë zonë “udhëtojnë nën tokë” prej zonës së Alpeve.

“Trevës së Ishmit mund t’i shtohet kështu një itinerar ekoturistik, që bashkë me burimet u jep mundësinë vizitorëve të shohin edhe hapësirat detare dhe ato të gjelbërta kodrinore,” tregon Sokol Proja, duke shtuar se projekti është jo fitimprurës. Projekti i 6 burimeve të para është përgatitur prej kohësh, me mbështetjen e institucioneve të specializuara ndërkombëtare, përfshi edhe SHBA.

Paralelisht me punën për rehabilitimin e krojeve, dy pronarët e fermës po përpiqen të tërheqin vëmendjen e pushtetit vendor edhe për rregullimin e rrugëve.

Për të mbërritur në hyrje të fabrikës “Naturalalba” është e vështirë edhe me një automjet fuoristradë, i cili duhet të kalojë të paktën 1.6 km kalldrëm dhe baltë, rrugë që kërkon rikonstruksion të shpejtë.

“Të merresh me anën burokratike të kësaj historie nuk është e lehtë,” shprehet Sokoli, sipas të cilit në kushtet e hartës së re territoriale, njësia administrative e Ishmit është thuajse inekzistente. “Gjithçka duhet kryer në bashkinë e Durrësit apo në institucionet e qytetit, 40 km larg,” shton ai.

Lorenci, elektriçisti i firmës, i kujton Sokolit se e njëjta procedurë duhet ndjekur edhe për ndërtimin e një kabine të re me transformator të energjisë në afërsi të fabrikës.

Energjia elektrike mungon jo pak herë dhe përveç instalimit të elektrogjeneratorit që prodhon energji falë karburantit, duhet ndërtuar edhe kabina elektrike, që e bën më të sigurt furnizimin,” thotë Sokoli.

“Naturalalba” sidoqoftë ka mbledhur mbështetësit e saj. Përkrahja financiare nga GIZ dhe sigurimi i statusit “zonë e mbrojtur” do të ndikojë në ruajtjen e biodiversitetit bujqësor dhe të kultivuar në këtë zonë gjatë zhvillimit të agroturizmit.

 

burimi: reporter.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0