Shqipëria dhe Polonia kanë ratifikuar një marrëveshje për sigurimet shoqërore, e cila u mundëson qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në të dy vendet të përfitojnë nga njohja e ndërsjellë e viteve të punës. Kjo nismë u hap rrugën emigrantëve shqiptarë në Poloni që, në të ardhmen, të përfitojnë dy pensione, një në vendlindje dhe një në shtetin ku kanë kontribuar.
Lexo gjithashtu: Kina ndalon marrëveshjen Meta–Manus, thellohet rivaliteti global për inteligjencën artificiale
Kjo është marrëveshja e 21-të që Shqipëria ka arritur në kuadër të sigurimeve shoqërore me vende ku ka diasporë, si dhe e dhjeta me vende të Bashkimi Evropian. Ajo konsiderohet një hap i rëndësishëm për garantimin e të drejtave sociale të shqiptarëve jashtë vendit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se qeveria mbetet e angazhuar për të zgjeruar këtë rrjet marrëveshjesh me vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë, me qëllim sigurimin e mbrojtjes sociale dhe njohjes së kontributeve të tyre.
Aktualisht, Shqipëria ka marrëveshje të ngjashme me një sërë shtetesh, përfshirë Gjermaninë, Italinë, Zvicrën dhe Kanadanë. Fokus i radhës mbetet Greqia, ku jeton një pjesë e madhe e diasporës shqiptare dhe ku negociatat janë në fazë intensive.
Përveç kësaj, autoritetet shqiptare po shqyrtojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjeve të reja edhe me vende të tjera si Holanda, Suedia dhe Australia, në funksion të zgjerimit të mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë në emigracion.