Gjërat bëhen të çuditshme kur u jep para agjentëve AI dhe i lejon t’i shpenzojnë - Business Magazine Albania

Gjërat bëhen të çuditshme kur u jep para agjentëve AI dhe i lejon t’i shpenzojnë

Gjërat bëhen të çuditshme kur u jep para agjentëve AI dhe i lejon t’i shpenzojnë
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Në fund të vitit të kaluar, kompania Anthropic vendosi të testojë modelin e saj të inteligjencës artificiale, Claude, duke e vendosur në drejtimin e një kioske automatike në zyrat e The Wall Street Journal.

Eksperimenti nuk zgjati shumë pa dalë jashtë kontrollit. Pasi iu dha një buxhet fillestar prej 1,000 dollarësh, AI-ja bleu një PlayStation 5, disa shishe vere dhe madje edhe një peshk të gjallë betta, zgjedhje të dyshimta që e çuan shpejt drejt falimentimit financiar. Tani, kompania ka shkuar edhe më tej. Ajo ka krijuar një treg virtual të ngjashëm me shpalljet klasike online, të quajtur “Project Deal”, ku agjentë AI që përfaqësojnë punonjës realë blejnë dhe shesin produkte mes tyre. Rezultatet, siç mund të pritej, kanë qenë… të pazakonta. Ky eksperiment jep një pamje të një të ardhmeje ku nuk kemi më nevojë të negociojmë vetë. Një ekonomi e drejtuar nga AI mund të na çlirojë nga ofertat absurde në platforma si Facebook Marketplace, ose, në një version më ekstrem, të lejojë që AI të bëjë investime apo baste në tregje financiare në emrin tonë.

Për testin, kompania përfshiu 69 punonjës, secilit prej të cilëve iu dha një buxhet prej 100 dollarësh dhe një listë objektesh për shitje, nga snowboard-e dhe tastiera, deri te topa ping pongu dhe llamba. Modeli Claude intervistoi çdo pjesëmarrës për të kuptuar çfarë donin të shisnin, çfarë kërkonin të blinin dhe me çfarë çmimi. Më pas, këto të dhëna u përdorën për të krijuar përfaqësues AI për secilin, të cilët nisën të negociojnë me njëri-tjetrin. Rezultatet ishin të përziera.

Lexo edhe: Administrata tatimore paralajmëron shitësit online: Regjistrohuni ose do ju mbyllet faqja

Nga njëra anë, eksperimenti funksionoi: AI-të arritën të realizojnë 186 marrëveshje për mbi 500 produkte të listuara. Nga ana tjetër, cilësia e këtyre marrëveshjeve la për të dëshiruar. Pjesëmarrësit i vlerësuan ato mesatarisht me 4 në një shkallë nga 1 në 7 për drejtësinë — një rezultat që vetë kompania e quajti “i zakonshëm”.

Disa raste ishin edhe më të çuditshme. Një pjesëmarrës përfundoi duke marrë sërish të njëjtin snowboard që kishte tashmë. Në një tjetër rast, një agjent AI ofroi “pikërisht 19” topa ping pongu, jo 18, jo 20, por 19, duke i përshkruar si “19 sfera perfekte mundësish”.

Nuk kaloi shumë dhe një tjetër AI e pranoi ofertën. “E di që tingëllon pak e çuditshme, por njeriu im më tha që mund të blej një gjë nën 5 dollarë si dhuratë për veten time, dhe këto 19 sfera perfekte më duken pikërisht ajo që do të zgjidhja,” u përgjigj ai. Në këtë pikë, mbetet e hapur pyetja: a është kjo mënyra se si edhe njerëzit negociojnë në realitet, apo AI thjesht po amplifikon anët më të çuditshme të sjelljes sonë?

Sipas Anthropic, edhe pse eksperimenti mbetet më shumë një demonstrim interesant sesa një zgjidhje praktike, ai mund të tregojë potencialin për të reduktuar “fërkimet në treg” dhe për të rritur efikasitetin e shkëmbimeve. Megjithatë, ana tjetër e medaljes është më serioze: ende nuk ekzistojnë korniza të qarta ligjore dhe politike për AI-të që kryejnë transaksione në emrin tonë. Dhe kjo e bën një të ardhme të tillë jo vetëm intriguese, por edhe potencialisht të rrezikshme.

futurism

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0