CEO i Meta, Mark Zuckerberg, prej kohësh është parë si simbol i klasës së miliarderëve, një grup shpesh i kritikuar si tepër i fokusuar te fitimi dhe i shkëputur nga realiteti i përditshëm. Fiksimi i madh për të grumbulluar gjithnjë e më shumë pasuri, përtej çdo nevoje reale, u ka dhënë atyre një reputacion negativ në shoqërinë moderne.
Pavarësisht pasurisë së tij thuajse të pakufizuar, mungesa e empatisë së Zuckerberg ka sjellë reagime të shumta ironike dhe kritika publike, deri në komente që e përshkruajnë si “robot”. Lëvizja e tij e fundit pritet t’i shtojë edhe më shumë këto reagime.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për vendimin e mëparshëm për të ndërprerë financimin e një shkolle private në zonën e Bay Area, e cila ofronte arsim falas për nxënës nga familje me të ardhura të ulëta, duke detyruar pushimin nga puna të rreth 150 punonjësve dhe mbylljen përfundimtare të saj. Këtë herë bëhet fjalë për diçka që kritikët e konsiderojnë edhe më problematike: një hezitim i vazhdueshëm për të përdorur pasurinë e tij në mënyrë që të kontribuojë për shoqërinë. Kjo, sipas artikullit, reflektohet në vendimin e tij për t’u zhvendosur në Florida, ndërkohë që në Kaliforni po fiton terren një projektligj për taksimin e miliarderëve.
Ky projektligj parashikon një taksë njëherëshe prej 5% mbi pasuritë e individëve me më shumë se 1.1 miliardë dollarë. Edhe pse kjo përqindje konsiderohet relativisht e vogël, mbështetësit besojnë se mund të sjellë ndryshime të rëndësishme për miliona qytetarë që përballen me vështirësi ekonomike. Të ardhurat nga kjo taksë pritet të përdoren kryesisht për sistemin shëndetësor.
Zuckerberg është një nga shumë miliarderët që po largohen nga Kalifornia për të shmangur një taksë të tillë. Sipas mbështetësve të nismës, këto fonde mund të ndihmonin në kompensimin e shkurtimeve në financimin federal për shëndetësinë. Ndërkohë, përmendet edhe fakti që disa nga këto politika mbështeten nga administrata që gëzon mbështetje nga miliarderë, përfshirë edhe raste ku Zuckerberg është kritikuar për afërsinë e tij me ish-presidentin Donald Trump.
Mes miliarderëve të tjerë që po largohen nga Kalifornia përmenden Peter Thiel, bashkëthemelues i Palantir, Travis Kalanick dhe Larry Ellison.
Raportohet se Zuckerberg po shpenzon rreth 200 milionë dollarë për një pronë të re prej afro dy akrash në Florida. Kjo i shtohet një portofoli tashmë të madh pronash, përfshirë edhe një kompleks privat prej rreth 1,400 akrash në Kauai, Hawaii, që përfshin edhe struktura të avancuara nëntokësore.
Ndërkohë, projektligji për taksën ndaj miliarderëve po fiton mbështetje të madhe në Kaliforni, duke mbledhur mbi 1.5 milionë firma, pothuajse dyfishin e minimumit të kërkuar.
Nëse të paktën 875,000 prej këtyre firmave verifikohen si të vlefshme, masa mund të përfshihet në votim gjatë zgjedhjeve të ardhshme.
“Milarderët ultra të pasur kanë parë rritje të jashtëzakonshme të pasurisë së tyre, ndërkohë që çmimet e ushqimeve, qirave dhe karburantit po rëndojnë gjithnjë e më shumë mbi familjet që punojnë,” deklaroi Mayra Castañeda, anëtare e Service Employees International Union-United Healthcare Workers West.
“Kur spitalet po reduktojnë shërbimet, klinikat po mbyllen dhe familjet rrezikojnë të humbasin mbulimin shëndetësor, ne besojmë se ata që kanë përfituar më shumë nga Kalifornia mund të kontribuojnë më shumë për ta mbajtur atë funksionale,” shtoi ajo.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto