Shumë liderë flasin për strategji, vendime dhe vizion. Por ata që arrijnë më larg kanë një avantazh të përbashkët që shpesh nënvlerësohet, dinë të dëgjojnë.
Lexo gjithashtu: Estée Lauder, historia e një refuzimi që u kthye në një perandori $58 miliardë!
Neal Mohan i YouTube, Marvin Ellison i Lowe’s dhe Barry Diller janë tre nga drejtuesit që e kanë kthyer dëgjimin në një nga armët më të forta të lidershipit të tyre. Për ta, dëgjimi nuk është një formalitet, por një proces aktiv që ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrje dhe rezultate.
Marvin Ellison, kur mori drejtimin e Lowe’s, zgjodhi të mos qëndronte vetëm në zyrë. Ai kaloi kohë në terren, duke punuar pranë punonjësve dhe duke dëgjuar nga afër sfidat e tyre. Kjo i dha një kuptim real të biznesit, përtej raporteve dhe prezantimeve.
Barry Diller e përdor dëgjimin si një mekanizëm për të gjeneruar ide. Ai favorizon diskutimet intensive dhe shpesh kontradiktore, ku përplasja e mendimeve krijon hapësirë për zgjidhje më të mira. Për të, dëgjimi është pjesë e një procesi që çon drejt vendimeve më të forta.
Ndërsa Neal Mohan e ka integruar këtë aftësi në zhvillimin e produktit. Duke komunikuar vazhdimisht me krijuesit e përmbajtjes, ai merr feedback të detajuar që ndikon në mënyrë direkte në përmirësimin e platformës YouTube.
Ajo që i bashkon këta liderë është mënyra si e përdorin dëgjimin për të ndërtuar besim, për të kuptuar më mirë njerëzit dhe për të marrë vendime më të informuara.
Diferenca mes një lideri të zakonshëm dhe një lideri të suksesshëm nuk qëndron vetëm tek ajo që thotë, por tek sa mirë di të dëgjojë dhe të veprojë mbi atë që dëgjon.