Shërbimi i transportit urban pritet të rikthehet në funksion të plotë pas dakordësisë së arritur mes ministrive përkatëse dhe operatorëve të transportit publik për subvencionimin e naftës. Pas një takimi që nisi në orët e para të mëngjesit, palët kanë rënë dakord që transporti të rifillojë normalisht, ndërsa operatorët do të përfitojnë një subvencion për çdo litër karburanti. Sipas autoriteteve, vlera konkrete e këtij subvencioni do të përcaktohet në ditët në vijim.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj, deklaroi se është arritur marrëveshje me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe kryetaren në detyrë të bashkisë.
Lexo edhe: Samiti i Diasporës, mes fjalëve të mëdha dhe nevojës për rezultate konkrete!
“Patëm një takim me ministren e Ekonomisë, ministrin e Infrastrukturës dhe kryetaren e bashkisë, u dakordësuam që transporti do të rikthehet në normalitet dhe do të ketë subvencion lekë për litër, por vlera do të diskutohet më tej. Nga sot transporti do të vijojë me kapacitet të plotë,” u shpreh Memaj.
Ai shtoi se javën e ardhshme do të zhvillohet një tjetër takim për të diskutuar kërkesa të tjera ekonomike, përfshirë TVSH-në, akcizën dhe kategoritë e udhëtarëve që përfitojnë udhëtim falas. Nga ana tjetër, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, konfirmoi se qeveria do të mbështesë financiarisht sektorin e transportit publik për të garantuar vijimësinë e shërbimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto